Fitimi duhet të jetë prioriteti i investimeve të diasporës

Diku rreth 70 për qind e parave të diasporës që arrijnë në Kosovë, shpenzohen për buxhete familjare. Edhe më tutje, në Kosovë nuk ka ndonjë projekt madhor të realizuar me kapital të mërgatës, as ndonjë kapacitet prodhues atraktiv dhe që i sjellë të hyra solide vendit. Investimet e diasporës, deri më tani, shquhen në angazhimet me shumicë absolute në paluajtshmëri, më konkretisht në blerjen e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryqytet.

Mehmet GJATA

Sado që në asnjë rast të vetëm, tani e 23 vjet, nuk ka pasur statistika të sakta për prurjet financiare të mërgatës sonë, për të ashtuquajturat pra, remitencat, ato për Kosovën me numër të paktë të banorëve dhe me territor të vogël, janë kolosale, përtej shifrave për t’u lakmuar. Dhe, janë burim i pashterrshëm i të hyrave për Kosovën e vobektë dhe të brishtë tani e më shumë se dy dekada, dhe infuzion financiar aq i nevojshëm për kosovarët.

Reklama e sponzorizuar

Remitencat për Kosovën, me fjalë të tjera, janë mbijetesa e shtetit dhe pushtetit, por edhe e kosovarëve të papunë, janë gjithashtu për zhvillimin ekonomik, zbutjen evidente të pasojave të varfërisë, por edhe shtysë me ndikim në mbajtjen e një niveli modest të mirëqenies sociale.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, vlera e remitencave të dërguara nga diaspora për familjet e tyre në Kosovë, ka arritur një tjetër rekord, ku sipas raportit të fuindit të Bankës Qendrore të Kosovës, mërgata jonë solli, ose dërgoi hiq më pak se 238.5 milionë euro. Shumë kolosale kjo e parave për Kosovën.

Por, nuk e kam të qartë pse BQK-ja i vlerëson remitencat si të ardhura dytësore.

Sipas vlerësimit të kupolës bankare të vendit “remitencat në Kosovë paraqesin kategorinë më të madhe financiare në kuadër të llogarisë së të ardhurave dytësore”.

Paratë e mërgatës sonë, sido që të vlerësohen nga institucionet, ka vite që janë parësore, të rëndësishme dhe një nga shtyllat më të fuqishme të ekulibit social të vendit dhe një nga shtyllat më reale të financimit të Kosovës. Në fakt, përgjatë viteve, dërgesat apo paratë e diasporës, që nga paslufta vazhdojnë të përbëjnë burimin ndër më të mëdhenjtë të të ardhurave në Kosovë.

Vetëm vitin e kaluar, sipas të dhënave të Bankës Qendrore (BQK), remitencat kanë kapur vlerën e rreth 1.2 miliardë eurove.

Sa herë që është raportuar nga mediet dhe nga shumë institucione se më 2021, remitencat kanë thyer të gjitha rekordet e deritashme, janë apostrofuar shifrat e ndryshme deri në 1,5 miliardë e më shumë euro.

Dhe Kosova ka varësi të madhe nga paratë e mërgatës sonë që tashmë numërikishit s’është më e pakët, si në Gjermani, Zvicër, Itali dhe Austri, shtete këto ku kosovarët kryesisht jetojnë në numër më të madh, dhe nga paratë e mërgatës sonë të shtrirë gjithandej në shtetet të tjera te Europës dhe përtej saj.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, Eurostat, Kosova përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, apo 1.3 për qind e popullatës së përgjithshme.

Ndërsa, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850 mijë persona dhe që s’do mend, ky numër realisht duhet të jetë goxha më i madh. Dhe, kosovarët qofshin ata të brezave më të hershëm që ia mësynë Perëndimit, qofshin gjeneratat e mëpastajme dhe këto më të vonshmet, vazhdojnë të ruajnë me ngulm lidhjen shpirtrore, emocionale, farefisnore dhe kombëtare. Dhe, duke e mbajtur këtë lidhje, vazhdojnë të dërgojnë para te familjet e tyre, por që këto para reflektojnë imponueshëm edhe në zhvillimet e gjithbarshme në republikën tonë, e sidomos në rritjen ekonomike.

Remitencat, apo dërgesat e parave nga diaspora, përbëjnë një burim të vazhdueshëm të madh, tash e 23 vjet, të të ardhurave në Kosovë. Sipas të dhënave, megjithë parashikimet e viteve të mëhershme të BQK-së se në disa vitet pasuese, më saktësisht në pes vjetët pas të 2013-tës, të ketë rënie të remitencave, për shkak të, siç është thënë në atë kohë “krijimit të gjeneratave të reja në diasporë dhe dobësimit të lidhjeve midis diasporës dhe Kosovës”, kjo thuaja për asnjë çast nuk ndodhi.

Prurja e parave nga remitencat ka vazhduar të jetë e madhe. Në këtë lumë remitencash ndër vite, gjithsesi ka ndikuar edhe imigrimi i pandalë i kosovarëve, që në periudha të ndryshme dhe tashmë të evidentuara, kanë qenë në përmasa dhe përqindje të frikshme. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, vendi përballet me një mesatare emigrimi prej 23,933 personash në vit, ose 1.3 për qind e popullatës së përgjithshme. Por, gjithsesi, vrojtuesit dhe njohësit e këtyre rrethanave, jo një herë kanë vënë në dukje se numri i “ikanakëve” nga Kosova është ndjeshëm më i madh, pra përtej statistikave të institucioneve tona, që jo rrallë ia huqin dhe dalin të jenë të vjetëruara.

Sidoqoftë, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), numri i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, deri në fund të vitit 2018, ka qenë mbi 850,000. Prandaj, sipas analistëve të shumtë, ky trend i migrimit të kosovarëve është shkaku që remitencat edhe për vite të tëra, jo vetëm që nuk do të zvogëlohen, por do të vazhdojnë të ngriten.

Mirëpo, në gjithë këto zhvillime financiare, e keqja e këtyre prurjeve të parasë nga diaspora qëndron për vite të tëra se diku rreth 70 për qind e këtyre parave që arrijnë në Kosovë, shpenzohen për buxhete familjare.

Praktikisht, deri më tani, doli thuaja se të jenë të pa efektshme deklarimet e shumta të zyrtarëve se “duhet që mjetet e diasporës të orientohen në jetësimin e projekteve investuese, dhe në këtë kuptim, duhet inkurajuar mërgatën tonë për të investuar paranë e tyre në vendlindje”.

Edhe më tutje, në Kosovë nuk ka ndonjë projekt madhor të realizuar me kapital të diasporës, as ndonjë kapacitet ekonomik-prodhues atraktiv dhe që sjellë të hyra solide, dhe ç’është më keq, nuk as ndonjë nismë për të investuar paranë e mërgatës në këso projektesh.

Investimet e diasporës, gjegjësisht remitencat deri tash shquhen në angazhimet e tyre me shumicë absolute në paluajtshmëri, më konkretisht në blerjen e banesave në qytete të ndryshme të Kosovës dhe më së shumti në kryqytet.

As Qeveria aktuale e Kosovës, sikundër pararendëset, nuk u tregua këmbëngulëse deri në fund, për të insistuar në krijimin e konditave joshëse për ta investuar këtu paranë e bashkëatdhetarëve tanë, as për të krijuar instrumente praktike për t’i orientuar ato në ndërtimin e potencialeve atraktive zhvillimore. Thjesht, disa prej parashikimeve të kësaj Qeverie, sikur ajo për t’u emetuar Bono thesari, të dedikuara për diasporën, nuk u dëshmuan se i bindën edhe aq bashkkombasit tanë për të investuar paranë e tyre në vendlindje.

Mbase zyrtarët aktual të vendit, tani e tutje, do të duhet të jenë më kreativ dhe më intrigues në politikat vijuese për trajtimin e diasporës në përgjithësi dhe parasë së tyre në veçanti.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në Forumin e Bizneseve të Diasporës, të mbajtur javën e kaluar në Prishtinë, bëri të ditur se “janë duke punuar që mërgata të jetë pjesë integrale e zhvillimit të Kosovës, atij shoqëror, ekonomik e kulturor, dhe janë duke zhvilluar një dialog për të përfaqësuar sa më mirë interesat e tyre në Strategjinë për mërgatën që pritet të finalizohet këtë vit”.

Kurti nëse e kishte përnjëmend dhe ishte i sinqertë gjatë ekspozes së tij në Forumin e Bizneseve të Diasporës, më në fund, e bëri një ftesë ndryshe për mërgatën tonë dhe investimet e tyre.

Kurti nuk e ftoi diasporën për të investuar në emër të patriotizmit, atdhedashurisë, dashurisë për vendlindjen, siç ishte praktikë thuaja standarde e deritashme, në të gjitha rastet e takimeve me përfaqësues të mërgatës. Kryeministri, kësaj radhe, ftoi diasporën drejtëpërdrejtë, duke ua bërë të ditur se “investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë”.

“Tanimë me situatën e volitshme ekonomike dhe potencialin zhvillimor, investimi në Kosovë paraqet një mundësi përfitimi si kurrë më parë. Ejani, kontribuoni dhe fitoni. Nuk jemi në të kaluarën kur kemi bërë thirrje për kontribut përmes sakrificës, po kontribut përmes përfitimit të dyanshëm”, u shpreh Kurti.

Por, krahas ftesës për të investuar për të fituar të dy palët, ua tha troç dhe pa ndonjë kompleks e keqardhje diasporës se Kosova ka nevojë për ta, për dijën dhe përvojën e tyre:

“Jemi duke shikuar mënyrat si ta përdorim dijen dhe eksperiencën e marrë jashtë për të zhvilluar vendin…. Jemi në situatë kur kemi nevojë jo më pak për dijen, shkathtësitë, përvojën, etikën e punës së mërgatës e jo vetëm për financat e bazën e tyre materiale”.

Në këto rrethana, sidoqoftë, zhvillimi i Kosovës është i lidhur drejtpërdrejtë dhe në masë relativisht të madhe me paranë e mërgatës. Prandaj, krahas kësaj ftese ndryshe nga herat e tjera, duhet vepruar institucionalisht, pa humbuar kohë, për të krijuar ligjërisht kushtet e favorshme për investimin e parasë së mërgatës sonë. Sepse, nuk mjafton vetëm pozita gjeografike e Kosovës, aeroporti modern, infrastruktura rrugore, afërsia e porteve që e bëjnë vend të volitshëm tregtar e transportues. Nuk mjaftojnë as ftesat me fjalë të mira. Duhet fuqizuar një orë e më parë rendi dhe ligji dhe përmirësimi i të gjitha parakushteve të të bërit biznes.

Mërgatës tani, sikundër çdo investitori të jashtëm, i duhet garanci për të qenë i bindur se investimi i tyre do të jetë qind për qind i sigurtë. Ndryshe, paraja e mërgatës nuk do të vije për investime në Kosovë.

Diaspora, në njëfarë mënyre do të paksojë ndjeshëm edhe investimet në paluajtshmëri, respektivisht në blerjen e banesave. Thjesht, për shkak të tejngopjes së nevojave të tyre për banesa. Ndërsa dihet që mërgimtarët kosovarë kanë investuar shumë e shumë në blerje të patundshmërive. Vetëm në periudhën janar-shtator të vitit të kaluar, janë shpenzuar 265 milionë euro investime të huaja direkte në këtë sektor. Blerja e banesave, shtëpive e tokave në Kosovë, përbënin 68 për qind nga gjithsej 389 milionë eurove të investimeve nga jashtë në vitin e kaluar. /Buletini Ekonomik/