KEK, “çerdhe” e keqmenaxhimit të kontratave

Foto: Termocentrali "Kosova B"- KEK

Korporata Energjetike e Kosovës prej vitit 2018 deri në vitin 2020, përmes prokurimit ka lidhur gjithsej 1 mijë e 60 kontrata me vlerë të përgjithshme prej 181.5 milionë eurove. Por, ndonëse aktivitetet e prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës, sikurse në çdo autoritet tjetër kontraktues, do të duhej të zhvilloheshin në pajtim me parimet e ekonomisë, efikasitetit dhe trajtimit të barabartë, e njëjta nuk ka ndodhur në KEK.

Mirjeta Shabani

Performanca e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) përgjatë këtyre tri vjetëve, është përcjellur me keqmenaxhim të fondeve publike, diskriminim të operatorëve, dëmtim i konkurrencës, si dhe mungesë të transparencës, përcjell Buletini Ekonomik.

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e auditimit të performancës së KEK-ut, saktësisht për “Prokurimin e zhvilluar për periudhën 2018-2020, në ndërmarrjen publike “KEK”, konstaton se kjo ndërmarrje në rastet e tenderëve të dhënë, nuk ishte siguruar që fondet dhe burimet e saj të përdoreshin në mënyrën më ekonomike, duke marrë në konsideratë qëllimin dhe lëndën e prokurimit. Po ashtu, e njëjta nuk ishte treguar as transparente, pasi në disa prej aktiviteteve të saja të prokurimit, i ka trajtuar operatorët ekonomik në mënyrë jo të barabartë dhe diskriminuese.

Reklama e sponzorizuar

Nga raporti i auditimit del edhe e dhëna tjetër se Korporata Energjetike e Kosovës kishte zhvilluar disa aktivitete të prokurimit në atë mënyrë që kishte reduktuar apo eliminuar konkurrencën në mes të operatorëve ekonomik, dhe kishte diskriminuar në dëm ose në të mirë, një ose më shumë operatorë ekonomik.

Sipas ZKA-së, kjo kishte ndodhur për shkak se KEK-u kishte lidhur një numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke i arsyetuar me situata të emergjencave ekstreme, përderisa rrethanat që i kishin krijuar këto situata, i atribuohen neglizhencës ose lëshimeve të vet institucionit.

Kështu, aktivitetet e prokurimit në këtë ndërmarrje ishin realizuar kryesisht me negocim të çmimit, me ç’rast Korporata Energjetike e Kosovës përveç që nuk kishte siguruar transparencë në prokurim, kishte paguar më shtrenjtë për mallrat dhe shërbimet e blera.

Në dëmtim të konkurrencës kishin kontribuar edhe specifikimet teknike të kërkuara nëpër njoftime për prokurorim dhe kriteret e përshtatshmërisë teknike dhe profesionale gjatë tenderimit.

KEK kishte bërë specifikime teknike të panevojshme dhe me kritere kufizuese të konkurrencës, që ishin pasuar me ankesa në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Si rrjedhojë, ankesat në OSHP kishin marrë kohë për t’u shqyrtuar, e për pasojë tashmë Korporata Energjetike e Kosovës kishte lidhur një numër të konsiderueshëm të kontratave të negociuara.

Madje, të gjitha këto kontrata kishin rezultuar me çmime më të larta se sa kontratat paraprake apo pasuese, të lidhura me tender të hapur.

Gjithsej shpenzimi shtesë që kishte rezultuar nga prokurimet e negociuara në këtë kompani, ishte afër 739 mijë euro, 472 mijë euro për njërin tender (shërbimi i transportit) dhe afër 267 mijë euro për tenderin tjetër (sigurimi fizik i objekteve).

Në vitin 2020, përmes prokurimit publik, KEK-u kishte kontraktuar shpenzime në vlerë prej 36 milionë euro, ndërsa në vitet paraprake (2019 dhe 2018), shpenzimi i kontraktuar ishte 88 milionë euro përkatësisht 56 milionë euro.

Vlera e kontratave të lidhura me procedurë të negociuar, gjatë këtyre tri viteve, sipas konstatimeve të bëra në raportin e ZKA-së, arrin në afër 33 milionë euro, e që përfaqëson 18% të vlerës totale të kontratave të lidhura nga KEK-u, ndërsa pjesa tjetër prej 82% ishin kontrata me procedurë të hapur.

Njëri prej tenderëve që ishte shquar si më me mangësi ishte ai për blerje të kushinetave për nevoja të KEK-ut. Mos grumbullimi i nevojave për blerje të kushinetave kishte rezultuar me numër të madh të aktiviteteve të prokurimit, ku gjithsej 34 aktivitete të prokurimit që ishin zhvilluar gjatë viteve 2018-2020, vetëm për këto blerje.

Në vitin 2018, KEK  kishte zhvilluar 12 aktivitete pikërisht për kushineta, pastaj 12 tjera në vitin 2019 dhe 10 aktivitete në vitin 2020.

Dhjetë prej këtyre kontratave i kishte fituar një operator ekonomik i vetëm, apo gati 30% të kontratave përgjatë këtyre viteve. Kontrata në fjalë ishte lidhur me operatorin ekonomik në vlerë prej 62,160 eurove.

Operatori ekonomik i kishte dorëzuar kushinetat në depo të KEK-ut në janar të vitit 2021, kurse në fund të vitit 2021, gjendja në depo ishte e njëjta. Shumica e këtyre kushinetave ishin ende në depo, derisa KEK-u kishte kërkuar garanci për vetëm 12 muaj. Ndërkohë, në dhjetor 2021, edhe garancia më nuk ishte e vlefshme ndërsa kushinetat ende nuk ishin montuar në pajisje të KEK-ut. Për pasojë, nga ZKA vlerësojnë se çfarëdo defekti eventual që mund të ketë në kushinetat e blera, nuk mund të reklamohet më tek OE-ja.

Edhe në tri kontratat tjera për të njëjtin qëllim, me vlerë të përgjithshme 64,351 euro, që KEK-u i kishte lidhur gjatë viteve 2019-2020, është gjetur gjendje të ngjashme sa i përket skadimit të vlefshmërisë së garancisë, ku afërsisht gjysma e kushinetave të blera ishin ende në depo.

KEK kishte lidhur kontrata me operatorë që fillimisht i kishte vlerësuar si “të papërgjegjshëm”

KEK e kishte shpërblyer me tender edhe njërën prej kompanive që në raundin e parë të prokurimit e kishte shpallur si “të papërgjegjshme”. Ky tender kishte të bënte me shërbime të transportit të punëtorëve, me ç’rast KEK-u kishte nënshkruar tetë kontrata të negociuara njërën pas tjetrës, përgjatë periudhës tetor 2017 – maj 2019 pas skadimit të kontratës kornizë trevjeçare (2014-2017), e cila ishte bazuar në procedurë të hapur të prokurimit.

Vlera e përgjithshme e kontratave të negociuara ishte 2.4 milionë euro. Katër kontrata ia kishte dhënë njërit operator ekonomik dhe katër tjerat një operatori tjetër ekonomik.

KEK-u në fillim kishte publikuar tender të hapur për këtë shërbim mirëpo nuk kishte arritur të përmbyllte sepse asnjëri nga dy ofertuesit nuk i kishte plotësuar kërkesat e përshtatshmërisë profesionale, për staf të pakualifikuar dhe pajisje të pamjaftueshme, dhe rrjedhimisht, ishte anuluar aktiviteti i prokurimit.

Ndërkohë, kontratës aktuale për shërbime të transportit i skadonte afati, kështu që KEK-u i kishte bërë ftesë për negociata njërit nga dy ofertuesit e papërgjegjshëm, duke injoruar kërkesat mbi përshtatshmërinë profesionale në këto negociata. Pra, KEK-u kishte negociuar dhe më pas kishte nënshkruar kontratë me OE-në, i cili në procedurën e sapo anuluar ishte shpallur i papërgjegjshëm.

Nga ZKA thonë së asnjë nga kërkesat e dosjes së tenderit që shoferët e autobusëve të kenë patentë-shofer të vlefshëm si dhe që autobusët t’i jenë nënshtruar kontrollit teknik, nuk ishin aplikuar në kontratat e negociuara.

Kufizimi i konkurrencës

KEK-u në tenderin e hapur për shërbime të transportit kishte parashtruar kërkesa për kapacitet teknik dhe profesional që OE-të i kishin vlerësuar si kufizuese. Një kërkesë që OE-të duhej plotësuar ishte që ato të kishin kryer shërbime për transport gjatë tri viteve të fundit dhe të dorëzojnë referencat (projektet e realizuara) si në vijim:

*Lloti 1 – Minimum dy referenca vlerë së paku 1,000,000 euro;

*Lloti 2- Minimum një referencë vlerë së paku 500,000 euro dhe

*Lloti 3- Minimum një reference vlerë së paku 100,000 euro).

Operatorët i kishin parë këto kërkesa si kufizuese të konkurrencës prandaj kishin parashtruar ankesë. Ndërsa, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) e kishte vlerësuar si të bazuar ankesën në këtë pikë dhe e kishte urdhëruar KEK-un që të mos e kufizojë numrin e referencave në këtë mënyrë, pra të përmirësojë dosjen e tenderit dhe të zgjasë afatin për dorëzim të ofertave. Por, pas kësaj kërkese të OSHP-së, kontratës aktuale iu kishte afruar fundi dhe KEK-ut iu ishte imponuar lidhja e një kontrate tjetër të negociuar.

Vlera e kontratës së negociuar ishte 442,500 euro për tre muaj ose 147,500 euro për muaj, që për dallim prej kontratës me tender të hapur, çmimi mujor i kontratës së negociuar ishte për 31,100 euro më i lartë (93,295 euro për tre muaj). Dhe sërish kërkesat e përshtatshmërisë profesionale dhe teknike nuk ishin aplikuar fare për kontratën e negociuar.

Gjithashtu, rreth mbikëqyrjes dhe menaxhimit të kontratave ishin caktuar vetëm nga tre zyrtarë për divizionin të cilit i përkiste vet menaxheri (Termocentrali Kosova A, Termocentrali Kosova B, dhe Divizioni i Qymyrit). Por, këta menaxherë të kontratës merreshin vetëm me pranim të ankesave eventuale që vinin nga punëtorët që e shfrytëzonin transportin e kontraktuar.

Ndryshe, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është shoqëri aksionare 100% në pronësi të shtetit, dhe aktiviteti kryesor i kompanisë është gjenerimi i energjisë elektrike si dhe aktivitetet minerare.

Pas vitit 1999, KEK-u kishte kaluar nëpër disa faza të ristrukturimit dhe ndryshimeve organizative e operative, për të shënjuar ndarjen dhe më pas privatizimin e afarizmit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, në vitin 2013 (në dy kompani private KEDS dhe KESCO). Që nga ky vit, funksioni parësor i Korporatës është vetëm prodhimi i qymyrit dhe gjenerimi i energjisë elektrike. Për të përmbushur këto dy funksione, KEK-u është i organizuar në dy Divizione: Divizionin e Mihjeve dhe Divizionin e Gjenerimit. Korporata tashmë operon me mihjen sipërfaqësore të linjitit dhe dy termocentrale në funksion: TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B”.

Ndërkohë, funksionet e kësaj Korporate rregullohen përmes politikave të Zyrës së Rregullatorit për Energji në Kosovë (ZRRE)./Buletini Ekonomik/