Të gjitha vendet do të duhet të kalojnë një tranzicion të shpejtë nga lëndët djegëse fosile në burime të pastra të energjisë për të shmangur ndryshimet klimatike globale.
Në një sesion të organizuar Nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), me temë “Nga thëngjilli tek energjia e rinovueshme”, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë se reformat e filluara në Kosovë janë të vlerësuara.
Sipas Muratit, Kosova ofron një mundësi veçanërisht interesante investimi pasi qeveria tani është gati të nisë një strategji ambicioze energjetike për një tranzicion direkt nga thëngjilli në energjinë e ripërtëritshme.
Ai tha se pa infrastrukturë të gazit për të filluar, Kosova synon të mbështetet në teknologjinë moderne për ruajtjen e energjisë dhe lidhësit ndërkombëtarë për të siguruar ekuilibrin ndërmjet kërkesës dhe prodhimit të ndryshëm të energjisë elektrike nga energjia diellore dhe e erës.
Sipas tij Kosova ka rini të re dhe kjo shihet edhe në rrugët e Prishtinës.
“Ne kemi penetrim të lartë të internetit, tani kemi shumë shërbime online, pandemia ka ndikuar të kemi jetë digjitale”, tha Murati.
Sipas tij, edhe sistemi bankar në Kosovë është shumë i zhvilluar, duke veçuar se kreditë e këqija janë shumë të ulëta në rajon.
Ndryshe, ky sesion pritet të përcaktojë mundësitë që mund të krijojë për investitorët një tranzicion i tillë, duke filluar nga fermat klasike diellore dhe me erë deri te zgjidhjet më të avancuara si bateritë në shkallë rrjeti, ruajtja e nxehtësisë diellore etj. /syri.net/