“Rreziqet bankare në Kosovë janë shumë të ulëta, normat e interesit dhe tarifat duhet të ulen”

Albulenë Kastrati-Profesoreshë Universitare e Ekonomisë

Sistemi bankar përbën investimin e huaj direkt më të suksesshëm në Kosovë në 20 vitet e fundit, sipas profesoreshës universitare të ekonomisë, Albulenë Kastratit. Ajo në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik duke folur rreth çështjeve ekonomike që janë duke e preokupuar vendin tonë, ndër të tjerash, vlerëson se sistemi bankar në Kosovë është likuid, solvent dhe i njëjti ka treguar qëndrueshmëri edhe gjatë dy krizave globale, jo vetëm duke iu mbijetuar, por edhe duke realizuar fitime rekorde. 

(Intervistë e Buletinit Ekonomik me Albulenë Kastratin, profesoreshë universitare e ekonomisë)

Mirjeta Shabani

Albulenë Kastrati, profesoreshë universitare e ekonomisë, në një intervistë të gjatë për Buletinin Ekonomik ka treguar pikëpamjet e saja rreth proceseve zhvillimore dhe politikave ekonomike, që duhet t’i ndërmarrë shteti për një stabilitet ekonomik në të ardhmen.

Reklama e sponzorizuar

Ajo, ndër të tjera, thotë se bankat në Kosovë dominojnë sektorin financiar, pasi janë të ndërthurura me secilin sektor të ekonomisë. Kështu, sipas saj, në mungesë të tregut të kapitalit dhe institucioneve tjera financiare (si p.sh. kooperativat, bankat investive etj.), bizneset dhe ekonomitë familjare varen për financim të investimeve dhe konsumit pikërisht nga bankat. Prandaj, siç thekson Kastrati, bankat kanë fuqi tregu në përcaktimin e normave të interesit në kredi dhe sasinë e kredive që e lëshojnë.

Megjithatë, Kastrati shton se norma e ulët e kredive joperformuese (kredive që nuk kthehen), tregon se rreziqet aktuale bankare në Kosovë janë shumë të ulëta, prandaj edhe normat e interesit dhe tarifat për shërbime bankare duhet të jenë më të ulëta.

Përveç kësaj, bazuar në mandatin ligjor, ajo shprehet se bankat në Kosovë janë të vetmet institucione financiare që kanë të drejtë të pranojnë depozitat e qytetarëve, që domethënë se cilado qoftë sasia e depozitave në ekonomi, patjetër se do të kalojë nëpër banka. Sipas profesoreshës Kastrati, kjo situatë pastaj krijon likuiditet të tepërt (depozita të tepërta), dhe meqë bankat nuk mund t’i refuzojnë, i ‘refuzojnë’ në njëfarë mënyre përmes tarifave të larta në shërbime depozitare, si në tërheqje, depozitim të parave, transfere etj.

Sa i përket rolit të BQK-së në rregullimin e tarifave të sistemit bankar, ajo thotë se BQK-ja edhe mund të hezitojë të ndërhyjë në këto raste, për shkak të faktit për të mos ndërhyrë në tregun e lirë. Mirëpo, Kastrati shpjegon se BQK-ja gjithsesi që ka të drejtë si rregullatore që ta ekzaminojë nivelin enorm të tarifave gjithnjë e në rritje të shërbimeve bankare, dhe të nxjerrë rregullore të reja që mbrojnë të drejtat e depozitorëve.

Ndërkohë, sa i përket kërkesave për tërheqjen e një pjese të kursimeve në Trust nga qytetarët, Kastrati thotë se tërheqja nga Trusti nënkupton huamarrje nga vetëvetja nga mosha e pleqërisë, duke shtuar se “Pensionet në Kosovë edhe ashtu janë të ulëta për t’u tkurrur edhe më shumë”.

Sipas saj, kontributet e atyre që punojnë, janë mjete të mbrojtura me ligj dhe kanë për qëllim sigurimin e mirëqenies së qytetarëve pas moshës se pensionimit, dhe për më tepër, këto para nuk janë për menaxhimin e krizave dhe as për konsum afatshkurtë.

“Lejimi i një tërheqje e dytë e kontributeve nga Trusti, nënkupton që qytetarët të huazojnë (zbresin) të ardhurat e tyre nga mosha e tretë, pikërisht atëherë kur u zhvlerësohen aftësitë, më vështirë gjindet punë dhe rriten shpenzimet mjekësore”, thotë Kastrati.

Kastrati në këtë intervistë për Buletinin Ekonomik flet edhe për proceset zhvillimore të Kosovës në përgjithësi në vitet e fundit, masat që duhet të ndërmerren në të ardhmen, flet për ikjen e fuqisë punëtore dhe politikave që duhet të ndërmerren nga institucionet për ta ndalur këtë hov emigrimi të të rinjve nga vendi, si dhe për remitencat e diasporës dhe për pamundësinë që të njëjtat të kthehen në investime, duke dhënë ide se si vetëm kursimet e bashkatdhetarëve mund të kthehen në investime etj.

Intervistën e e plotë të Buletinit Ekonomik me profesoreshën Albulenë Kastratin, mund ta lexoni në vijim:

 

Buletini Ekonomik: Pse ka ngecur Kosova me zhvillimin ekonomik dhe proceset zhvillimore në përgjithësi? Sipas jush, ku janë shkaqet, dhe pse nuk është bërë akoma një kthesë më radikale zhvillimore nga Qeveria aktuale? Një zhvillim më i efektshëm dhe më i frytshëm ekonomik, fundja ishte premtuar nga subjekti fitues politik, por Qeveria Kurti 2, thuaja goxha me trendin e njëjtë me qeveritë e kaluara po zbatojnë politikat zhvillimore. Pse?

Albulenë Kastrati: Kosova ka pasur mungesë të strategjisë aftagjate zhvillimore dhe ndërrim të shpeshtë të qeverive. Secila qeveri e re që ka ardhur, ka sjellë politika të reja. Zakonisht politikat zhvillimore kërkojnë konsistencë kohore, pra një kohë më të gjatë të mirëmbajtjes për të parë rezultate. Shto këtu edhe shtrembërimet tjera, si mosfunksionimi i gjykatave, nepotizmi, shpërdorimi i parasë publike, evazioni fiskal etj. Për më tepër, arsimi – si shtylla kryesore e çdo shoqërie – ka degraduar shumë, pikërisht për shkak të politizimit dhe shkatërrimit të sistetmit të meritokracisë. Arsimi i degraduar, degradon edhe ekonominë e vendit në afatgjatë. Pastaj, politikat zhvillimore dhe rikthimi i besimit qytetar janë proces, nuk janë akt.

Buletini Ekonomik: Çfarë mendoni ju, ku dështuam si shtet dhe si shoqëri qe 22 vjet e sa pas luftës që mos të kemi mjaft energji elektrike, megjithë këto resurse natyrore që i kemi në prag të derës?

Albulenë Kastrati: Mungesa e vullnetit politik për rivitalizimin e sektorit të energjisë dhe mungesa e fondeve të mëdha kapitale për të ndërtuar termocentrale të reja.

Buletini Ekonomik: Më konkretisht, çka duhet bërë më shpejtë dhe çka në afat më të gjatë, për t’u përqëndruar te zhvillimi ekonomik dhe për të qenë më rezultativ në arritjen e ndonjë objektivi zhvillimor për vendin?

Albulenë Kastrati: Sistemi gjyqësor i pavarur që siguron dhe mbron të drejtat e gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe menaxhimi i parasë publike me përgjegjësi e transparencë, janë baza e një shteti funksional. Kjo është me rëndësi jo vetëm për zhvillim ekonomik por edhe për rritjen e konfidencës së qytetarëve në institucione publike. Mirëpo, për zhvillim ekonomik nuk mjaftojnë. Për të krijuar ekonomi të qëndrueshme në afatgjatë duhet së pari të fillojë reforma në arsim, sepse si e ke arsimin sot, do ta kesh ekonominë nesër; megjithatë rezultatet e arsimit shihen vetëm pas 5-10 vitesh. Kjo praktikë ka rezultuar e suksesshme edhe te shtetet tjera të dala nga lufta (të varfëruara e të shkatërruara), që sot janë promotor i zhvillimit rajonal ekonomik (p.sh. Koreja e Jugut). Ne edhe ashtu jemi shumë vonë në këtë aspekt. Në afatshkurtë duhet të adresohet zgovëlimi i ekonomisë joformale, regjistrimi i punëtorëve nga firmat, të bëhen lehtësime për investitorë të huaj dhe të sillen më shumë investime që sjellin kapital e hapin vende të reja të punës, dhe të stimulohen investimet e diasporës. Veçanërisht, të investohet shumë në rininë tonë, si aseti kryesor i ekonomisë së Kosovës. Të gjithë këta faktorë janë të rëndësishëm për ndaljen e emigrimit të rinisë dhe kuadrove të kualifikuara.

Buletini Ekonomik: Pse nuk po gjendet ndonjë modus për orientimin e remitencave të shumta si vlerë dhe si sasi, qoftë në ndonjë projekt prodhues, qoftë sish të shërbimeve, që të punësohet ndonjë numër nga armata e madhe e të papunëve, por edhe “t’ua shohin hajrin” mjeteve të tyre financiare mërgimtarët tanë potentë- financiarisht?

Albulenë Kastrati: Remitancat dërgohen nga bashkatdhetarët tanë nga motivi i altruizmit. Këto para kryesisht u dërgohen familjarëve për ushqim, veshmbathje, shkollim e shërbime mjekësore, pra për funksione bazike të jetesës dhe konsumit. Prandaj, si të tilla do të vazhdojnë përsëri të dërgohen për këto qëllime, meqë p.sh. paratë e ushqimit nuk kthehen në investime. Shumë shtete tjera që janë pranuese të një vlere signifikante të remitancave, kanë provuar të kthejnë remitancat në investime por kanë dështuar, pikërisht për shkak të arsyeve të cekura më lartë. Megjithatë, diaspora jonë që është themeluar e stabilizuar dekada më parë, ka kursime dhe kërkon për mundësi investimi në vendet e zhvilluara dhe në Kosovë. Pra, kursimet janë ato që mund të kthehen në investime, dhe jo remitancat. Qeveria ka provuar të tërheqë investime për emetim të Bonove të Diasporës në ankandin e parë (21 korrik – 20 gusht 2022) 20 milionë euro nga diaspora, mirëpo janë investuar vetëm gjysma e kësaj shume, me gjasë për shkak të normës së ulët të kthimit.

Buletini Ekonomik: Si i vlerësoni ju kërkesat e zëshme, veçmas të subjekteve opozitare politike, për tërheqjen e një shume të caktuar (deri në 30%) të mjeteve të deponuara si kursime në Trustin Pensinal të Kosovës? A është mirë dhe e shëndetshme për situatën financiare në të cilën gjendet Kosova, që të tërheqen këto para?

Albulenë Kastrati: Kontributet e atyre që punojnë (në Shtyllën e Dytë të Sistetmit Pensional në Kosovë) janë mjete të mbrojtura me ligj dhe kanë për qëllim sigurimin e mirëqenies së qytetarëve pas moshës se pensionimit. Me ligjin aktual, kontributet nuk mund të tërhiqen as në rast të sëmundjeve të rënda, as të mirren përkohësisht hua, dhe as të tërhiqen kur qytetari kontributpagues zhvendoset të jetojë në një shtet tjetër (mundet vetëm t’i bartë në Trustin e shtetit tjetër). Këto para nuk janë për menaxhimin e krizave dhe as për konsum afatshkurtë. Tërheqja nga Trusti nënkupton huamarrje nga vetëvetja nga mosha e pleqërisë. Pensionet në Kosovë edhe ashtu janë të ulëta për t’u tkurrur edhe më shumë.

Buletini Ekonomik: Sipas jush, cilat do të ishin pasojat e mundshme në rast të tërheqjes eventuale të këtyre mjeteve nga Trusti, nga qytetarët?

Albulenë Kastrati: Niveli i pensioneve në Kosovë është relativisht i ulët, për shkak të pagave të ulëta, normës relativisht të ulët të kontributeve dhe historikut të shkurtër të ekzisitimit të Trustit. 10% veçse i kanë tërhequr rreth 400 mijë qytetarë. Lejimi i një tërheqjeje të dytë të kontributeve nga Trusti, nënkupton që qytetarët të huazojnë (zbresin) të ardhurat e tyre nga mosha e tretë, pikërisht atëherë kur u zhvlerësohen aftësitë, më vështirë gjindet punë dhe rriten shpenzimet mjekësore.

Kosova ka mbi 102 mijë banorë që mbahen nga skemat sociale, pra nga buxheti i shtetit. Me këtë trend të shpenzimit të kontributeve, edhe këta 400 mijë tjerë do t’u shtohen këtyre skemave. Kjo nënkupton rritje të varfërisë, barrë për familjen dhe fëmijët, barrë të madhe buxhetore, mungesë fondesh për projekte zhvillimore dhe në skenarin më të keq mund të na çojë në krizë sociale. Kjo situatë pastaj krijon zinxhir të dukurive tjera negative në shtet.

Buletini Ekonomik: Po sistemin bankar të përbërë kryesisht nga bankat komerciale me origjinë nga jashtë, si e vlerësoni ju?

Albulenë Kastrati: Sistemi bankar përbën investimin e huaj direkt më të suksesshëm në Kosovë në 20 vitet e fundit. Sistemi bankar është likuid, solvent dhe ka treguar qëndrushmëri edhe gjatë dy krizave globale, jo vetëm duke iu mbijetuar por edhe duke realizuar fitime rekorde.

Buletini Ekonomik: Pse vazhdojnë të jenë kaq të shtrenjta (më të lartat në rajon dhe përtej) produktet bankare në vendin tonë, qofshin interesat bankare për kredidhënie, qofshin për shërbimet bankare?

Albulenë Kastrati: Bankat dominojnë sektorin financiar dhe janë të ndërthurura me secilin sektor të ekonomisë. Në mungesë të tregut të kapitalit dhe institucioneve tjera financiare (si p.sh. kooperativat, bankat investive etj.), bizneset dhe ekonomitë familjare varen për financim të investimeve dhe konsumit nga bankat. Prandaj, bankat kanë fuqi tregu në përcaktimin e normave të interesit në kredi dhe sasinë e kredive që e lëshojnë. Pastaj, me mandat ligjor, bankat në Kosovë janë të vetmet institucione financiare që kanë të drejtë të pranojnë depozitat e qytetarëve, që domethënë se cilado qoftë sasia e depozitave në ekonomi, patjetër se do të kalojë nëpër banka. Kjo situatë krijon likuiditet të tepërt (depozita të tepërta), dhe meqë bankat nuk mund t’i refuzojnë, i ‘refuzojnë’ përmes tarifave të larta në shërbime depozitare (tërheqje, depozitim, transfere etj.). Në anën tjetër, bankat vazhdojnë të ankohen rreth efikasitetit të gjykatave, raportimit financiar, mungesës së kolateralit dhe problemeve me të drejtat e paqarta pronësore, që rrisin asimetrinë e informacionit mes bankave dhe kredimarrësve, përkatësisht rrisin rreziqet bankare. Megjithatë, norma e ulët e kredive joperformuese (kredive që nuk kthehen), tregon se rreziqet aktuale janë shumë më të ulëta, prandaj edhe normat e interesit dhe tarifat duhet të jenë më të ulëta.

Buletini Ekonomik: A ka ndodhur gjëkundi të ngriten tarifat deri në 700 për qind, siç ka ndodhur në Kosovë, dhe siç e keni bërë ju të ditur në njërën prej mediave të vendit, javën e kaluar?

Albulenë Kastrati: Bankat shfrytëzojnë izolimin e depozitorëve brenda sistemit bankar dhe mungesën e rregullimit të tarifave për të rritur tarifat. Pastaj, qytetarët më shumë i njohin normat e interesit në kredi sesa tarifat, dhe presioni kryesor ka qenë të ulen normat e interesit, ndërkohë që për tarifa nuk flitet.

Buletini Ekonomik: Pse BQK-ja, si rregullatore e sistemit bankar të vendit, por edhe si mbrojtëse e interesave të klientelës bankare, është kaq tolerante ndaj tendencave zhvatëse të bankave komerciale të vendit?

Albulenë Kastrati: BQK mund të hezitojë të ndërhyjë në rregullimin e tarifave për shërbime depozitare, për të mos ndërhyrë në tregun e lirë. Megjithatë, si rregullatore, BQK ka të drejtë të ekzaminojë nivelin enorm të tarifave gjithnjë në rritje, bashkërendimin e mundshëm të këtyre tarifave në të gjitha bankat, por edhe të nxjerrë rregullore të reja që mbrojnë të drejtat e depozitorëve. Gjithsesi, është mirë që kjo pyetje t’i drejtohet direkt BQK-së. /Buletini Ekonomik/