ATK, për pesë muaj shqiptoi 3 mijë e 534 gjoba në vlerë 1.2 milionë euro

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka njoftuar se inspektorët tatimor për pesë mujorin e parë të këtij viti kanë realizuar 15 mijë e 276 vizita përmbushëse tek bizneset, dhe se si rezultat i konstatimeve në teren janë lëshuar 3 mijë e 534 gjoba mandatorë, si dhe 184 gjoba për mallin e gjetur pa dokumentacion.

Sipas një njoftimi të ATK-së në facebook, vlera e gjobave mandatarë ka shkuar në 1.2 milionë euro, kurse sa i përket mallit pa dokumentacion 155 mijë e 387 euro.  Siç thuhet në njofitmin e ATK-së, aktivitetet operative të cilat realizohen bazuar ne Planin Vjetorë të punës, kanë hasur edhe në konstatime tjera, siç është ajo e mungesës në stoqe, qarkullimit dhe tatimit shtesë.

ATK gjithashtu ka thënë se aktivitete operative të kryera kanë dhënë rezultat në rritjen e të hyrave dhe se për këtë periudhë kemi rritje  për 70.2 milionë euro  apo 28.9 për qind, ku totali i inkasimit arrin vlerën e 312.7 milion euro.

Reklama e sponzorizuar

“Trajtimin e evazionit tatimor përveç me aktivitete rutinore, hetime tatimore, ATK do ta bëjë edhe përmes projekteve përmbushëse, si ai në fushën e ndërtimtarisë, gastronomisë/hotelerisë, mallit pa dokumentacion dhe mungesës në stoqe, si dhe mos-deklaruesve”, përfundon njoftimi i ATK-së./Buletini Ekonomik/