Çmimet e derivateve në Kosovë po vazhdojnë të jenë të larta edhe pse në bursat ndërkombëtare ka rënie të theksuar në javën e fundit.
Çmimi i naftës në bursa ka rënë nga 120 dollarë për barel në 105 dollarë.
Ndërkohë, në Kosovë po ndodhë e kundërta.
Këtë javë çmimi i naftës ka arritur deri në 1.90 euro, që shënon njëherësh edhe çmimin më të lartë ndonjëherë të këtij karburanti në vend, ndërkohë që çmimi i një litre benzinë është tregtuar mbi 1.85 euro.
Përfaqësuesi i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Bejrani, në një përgjigjie për Buletinin Ekonomik ka thënë se ende nuk janë mbledhur si shoqatë për ta diskutuar këtë çështje.
Së fundi, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka njoftuar se është duke punuar për të nxjerrë një vendim të ri me të cilin parashihet të rregullohen çmimet e derivateve.
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës është miratuar projektudhëzimi administrativ për rregullimin e çmimeve të naftës dhe karburanteve të ripërtëritshme në Kosovë. Ky projektudhëzim administrativ, që pritet të përcaktojë çmimin maksimal të lejuar për produktet e naftës dhe karburatanve tjera në vend.
Sipas ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdarit, në Kosovë muajve të fundit ka mospërputhje të çmimeve nëse i krahasojmë me lëvizjet në tregjet botërore, mospërputhje këto të cilat i kanë konfirmuar edhe nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), Dogana e Kosovës dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. Prandaj, ajo ka ritheksuar se duhet që sa më shpejtë të caktohet një çmim maksimal i lejuar apo një kufizim i marzhës tregtare, në mënyrë që të mbrohet konsumatori dhe konkurrenca në treg.
Ndryshe, lufta e Ukrainës ka bërë që çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare për pak kohë të shkojë mbi 139 dollarë për fuçi në mars, shifra më e lartë që nga viti 2008, duke përkeqësuar kështu edhe presionet e inflacionit nëpër botë./Buletini Ekonomik/