Kosova dje edhe zyrtarisht ka filluar negociatat e tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s, ku përfshihen 4 shtete me të cilat vendi ynë vazhdimisht ka pasur shkëmbime tregtare mjaft të larta.
Vendet anëtare të EFTA-s janë: Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni, përcjell Buletini Ekonomik.
Këtë lajm e ka konfirmuar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila ka marrë pjesë në takimin ministror të vendeve të EFTA-s, që është mbajtur dje në Borgarnes të Islandës.
Sipas njoftimeve zyrtare, raundi i parë i negociatave të Kosovës me vendet e EFTA-s, pritet të nisë në fund të muajit gusht 2022.
Marrëveshja e Tregtisë së Lirë mes Kosovës dhe këtyre vendeve, mbulon fusha të ndryshme në të cilat palët do të kërkojnë bashkëpunim më të madh, si dhe çështje tregtare si tregtia e mallrave dhe shërbimeve, barrierat teknike në tregti, masat sanitare dhe fitosanitare, lehtësimi i tregtisë, rregullat e origjinës, duke përfshirë bashkëpunimin doganor dhe të drejtat e pronësisë intelektuale.
Sipas ministres Hajdari, finalizimi sa më i shpejtë i kësaj marrëveshjeje, është e një rëndësie të madhe për Kosovën, pasi shkëmbimet tregtare me vendet e EFTA-s, veçanërisht me Zvicrën dhe Norvegjinë, janë vazhdimisht në rritje dhe kanë një bilanc të dukshëm pozitiv tregtar për mallra dhe shërbime.
“Vendet e EFTA-s dhe Kosova gjithashtu, do të kërkojnë të zgjerojnë bashkëpunimin në fusha me rëndësi të veçantë për të zgjeruar marrëdhëniet e tyre tregtare, siç janë flukset e investimeve, duke përfshirë transferimin e teknologjisë, politikën dhe ligjin e konkurrencës, prokurimin publik, tregtinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe çështje dhe politika të tjera të lidhura me tregtinë, duke përfshirë tregtinë e shërbimeve”, thotë tutje Hajdari.
Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm nga Ballkani Perëndimor që nuk ka pasur të miratuar ende marrëveshje te tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s, më konkretisht me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin.
Ndërkohë, shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe këtyre vendeve, janë rritur vit pas viti, e sidomos eksportet në këto vende. Që nga shpallja e pavarësisë së vendit, volumi tregtar i Kosovës, sidomos me Zvicrën dhe Norvegjinë, është dhjetëfishuar – nga 9 milionë në vitin 2008 në 108 milionë euro më 2021.
Vetëm për në Zvicër, eksportet e Kosovës në muajin dhjetor 2021 dhe janar 2022, përbënin 6.6 për qind, përkatësisht 6.9 për qind të të gjitha eksporteve të Kosovës, përcjell Buletini Ekonomik.
Edhe Sytrime Dervisholli, eksperte e tregtisë, shprehet se një marrëveshje e tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s (Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni) është shumë e rëndësishme për komunitetin e biznesit dhe Kosovën në përgjithësi.
Sipas saj, një Marrëveshje e Tregtisë së Lirë me EFTA-n, përveç rëndësisë që ka nga aspekti tregtar dhe ekonomik, do të forconte edhe më tej imazhin dhe pozicionin e Kosovës në raport me partnerët e tjerë tregtar dhe me investitorët e huaj, ata ekzistues dhe potencial.
Dervisholli potencon se vendet e EFTA-s kanë bazë shumë të zhvilluar industriale dhe ofrojnë eliminim total të detyrimeve të importit për të gjitha produktet industriale, ndërsa produktet bazë bujqësore të tilla si: gruri, qumështi ose sheqeri, zakonisht trajtohen në marrëveshjet dypalëshe të lidhura ndërmjet shteteve individuale të EFTA-s dhe vendit partner, në këtë rast Kosovës. Ndërsa, për produktet bujqësore të përpunuara (si supa, kosi ose çokollata), EFTA në parim jep tregti të lirë.
Kujtojmë se që në fillim të vitit 2018, Kosova kishte filluar komunikimin me Sekretariatin e EFTA-s dhe tek në muajin nëntor të po atij viti, në Gjenevë ishte nënshkruar Deklarata e Përbashkët për Bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe 4 vendeve të EFTA-s. Ndërsa, në muajin nëntor 2020 ishte mbajtur takimi i parë i Komitetit të Përbashkët ndërmjet Kosovës dhe vendeve të EFTA-s. Komiteti i Përbashkët përbëhet nga ministrat e katër vendeve dhe është organi më i lartë vendimmarrës. /Buletini Ekonomik/