AKP kthehet në “Agjenci të Punësimeve Masive”

Agjencia Kosovare e Privatizimit -(AKP)

Dikur Lëvizja Vetëvendosje, sa ishte në opozitë kërkonte me ngulm zhbërjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, duke arsyetuar se kjo agjenci është kryesorja që ka bërë degradimin e pronës publike në dobi të personave të politikës dhe oligarkëve të biznesit.

Jo që kjo nuk po ndodhë tashmë kur LVV-ja është në pushtet por përmes kësaj agjencie, më anë të konkurseve për punësim me Kontrata për Shërbime të Veçanta, apo Kontrata mbi Vepër, janë punësuar hiq më pak se 33 persona.

E ky numër vetëm në 6 mujorin e parë të vitit 2022.

Reklama e sponzorizuar

Punësimi i këtyre personave është bërë nëpërmjet 9 konkurseve të shpallura nga AKP-ja.

Sipas hulumtimit të bërë nga Gazeta Infokus del se këta 33 të punësuar me kontratë mbi vepër do ti kushtojnë buxhetit të Kosovës hiq më pak se 86 mijë e 220 euro.

Kjo vetëm për 6 muajt aq sa është edhe kohëzgjatja e kontratës sipas konkurseve të shpallura në web faqen e AKP-së.

Interesante në këtë hulumtim del se të gjitha këto konkurse duke lënë anash vetëm 3 prej tyre janë të shpallura në të njëjtën ditë.

Sipas hulumtimit tëInfokus vetëm në shpalljen e konkursit të datës 16.06.2022, AKP-ja kërkon 12 ofrues të shërbimeve në procesin e likuidimit, me pagë 450 euro, dhe kohëzgjatje të kontratës për 6 muaj.

Këta ofrues të shërbimeve kërkohen, 8 për Rajonin e Prishtinës, 2 për Gjilanin, 1 për Mitrovicën dhe 1 për Prizrenin.

Në një kalkulim të thjeshtë del se këta 8 ofrues shërbimesh që po kërkohen nga AKP-ja për 6 muaj do ti kushtojnë taksapaguesve hiq më pak se 32 mijë e 400 euro.

Në të njëjtën ditë AKP-ja ka shpallur edhe 5 konkurse të tjera, ku kërkon 12 ofrues të shërbimeve në të njëjtën formë rekrutimi.

Konkursi i fundit i publikuar nga kjo agjenci është ai i datës 16.06.2022 ku kërkohen 2 ofrues të shërbimeve për ekipin mbështetës për shërbime në protokoll, pranim/përcjellje të palëve dhe çështje administrative që ndërlidhen me likuidimin.

Sipas shpalljes së kontratës pagesa do të jetë 450 euro në muaj me kohëzgjatje prej 6 muajsh, e që në total ka një kosto prej 5 mijë e 400 euro.

Në të njëjtën ditë, përsëri AKP-ja ka kërkuar edhe 3 ofrues të tjerë të shërbimeve në procesin e likuidimit, sërish me pagë 450 euro dhe një kohëzgjatje të kontratës prej 6 muajsh.

E tëra kjo ka një kosto prej 8 mijë e 100 euro, për aq sa është paraparë të zgjasë kontrata sipas shpalljes.

Por kjo nuk është e tëra për këtë ditë. Përsëri AKP-ja me 16.06.2022, shpall konkurs edhe për dy ofrues të tjerë të Shërbimeve në procesin e Likuidimit.

Sërish me pagat e njëjta dhe me kontratë mbi vepër, që në total këta dy ofrues të shërbimeve, buxhetit do ti kushtojnë 5 mijë e 400 euro.

Dita e shpalljeve për ofrues të shërbimeve me kontrata mbi vepër nuk mbaron me kaq. Në po këtë ditë AKP-ja publikon në faqen e saj edhe një shpallje tjetër ku sërish kërkohen 2 ofrues të Shërbimeve në procesin e likuidimit. Kostoja përsëri është 5 mijë e 400 euro.

Konkursi tjetër i datës së “kontratave mbi vepër”, është ai ku kërkohen 3 ofrues të shërbimeve prapë në kohëzgjatje prej 6 muajsh dhe me pagë prej 450 euro në muaj.

Mirëpo edhe para kësaj date AKP-ja kishte shpallur edhe tre konkurse të tjera e ku kërkonte sërish 9 ofrues shërbimesh, të cilëve u ofronte kontratë për 6 muaj e me pagë prej 450 euro.

Mirëpo, pika e 6 e Nenit 10 e Ligjit të Punës e parasheh që kontrata për një detyrë specifike, nuk mund të jetë më e gjatë se tre muaj brenda një viti.

Kujtojmë se Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje, para se të vinin në pushtet ishin më të zëshmit sa u përket punësimeve me kontratë për shërbime të veçanta madje këtë formë punësimi e quanin si formën ligjore të rehatimit të militantëve të partive që aso kohe mbanin pushtetin. /Gazeta Infokus/