Euro ka rënë në vlerë më poshtë dollarit për herë të parë në gati 20 vjet.
Sipas BBC, përcjell Telegrafi, një euro e vetme “bleu” 0,998 dollarë në tregun valutor në orën 14:45 (sipas kohës tonë), me një rënie prej 0,4% në tregtimin e ditës.
Dhe sipas mediumit në fjalë, frika se Rusia mund të kufizojë furnizimet e Evropës me energji kanë rritur shanset për recesion në zonën e euros.
Banka Qendrore Evropiane ka mbetur prapa bankave të tjera qendrore në rritjen e normave, duke dobësuar më tej euron.
Si pasojë, një monedhë në dobësim do t’i bëjë importet më të shtrenjta për vendet e eurozonës, veçanërisht mallrat me çmime në dollarë si nafta e papërpunuar.
Kjo mund të kontribuojë në një inflacion edhe më të lartë në eurozonë, i cili tashmë po shkon në 8.6% për qershorin.
Një zëdhënës i BQE-së tha se ajo “nuk synon një kurs të caktuar këmbimi. Megjithatë ne jemi gjithmonë të vëmendshëm ndaj ndikimit të kursit të këmbimit në inflacion, në përputhje me mandatin tonë për stabilitetin e çmimeve”.
Kështu, Banka pritet të nisë rritjen e normave të interesit javën e ardhshme.
Euro ka rënë pothuajse 12% kundrejt dollarit që nga fillimi i vitit.
Monedha evropiane ka qenë me vlerë më shumë se dollari për pjesën më të madhe të historisë së saj.
Ajo ngeli poshtë dollarit në vitet pas daljes në treg të monedhës në 1999, por hera e fundit që u tregtua nën dollar ishte dhjetori 2002 – më pak se një vit pasi kartëmonedhat dhe monedhat euro u prezantuan për herë të parë.