Ndërmarrja publike “Telekomi i Kosovës” është duke e vazhduar trendin e operimit me humbje për të shtatin vit me radhë. Vetëm gjatë vitit fiskal 2021, kjo ndërmarrje ka regjistruar humbje në vlerë të 10 milionë e 829 mijë eurove.
Ndërsa, humbjet e akumuluara nga operimi me humbje përgjatë shtatë viteve të fundit deri më datë 31 dhjetor 2021, kanë arritur në shifrën e 76 milionë e 264 mijë euro, përcjell Buletini Ekonomik.
Detyrimet rrjedhëse të kësaj kompanie deri më datë 31 dhjetor 2021, tejkalonin pasuritë aktuale të vet ndërmarrjes për shumën prej 52 milionë e 605 mijë eurove (më 2020, kjo shifër ishte: 66,233,000€).
Sipas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Telekomin e Kosovës për vitin raportues 2021, kjo ndërmarrje ka ngecur edhe në pagesën e obligimeve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës dhe Trustit Pensional, për shkak të borxheve tjera të shumta.
Kësti i lartë mujor të cilin Telekomi gjatë vitit 2021 ishte i obliguar t’ia paguante kompanisë me të cilën kishte marrëveshje për operim, Dardafonit, kishte pamundësuar pagesën e Obligimeve tatimore ndaj ATK-së dhe Trustit Pensional.
Si rezultat, obligimi ndaj ATK-së ishte rritur në vazhdimësi që së bashku me obligimin e bartur para vitit 2021, kishte arritur vlerën prej 12,727,748 euro. Ndërkohë, kësti mujor që duhej të paguhej nga Telekomi ishte 170 mijë euro në bazë të marrëveshjes me ATK-në.
Qeveria e Kosovës në fund të vitit 2021, kishte vendosur që ta shlyejë edhe dividentën e deklaruar për Telekomin në vlerë prej 15 milionë eurove.
Telekomi kishte rrezikuar ta humbte edhe licencën e opertimit nga ARKEP, për shkak të borxheve
Auditori në këtë raport auditues, ka konstatuar se Telekomi gjatë vitit 2021, kishte qenë i detyruar të mbulonte obligime financiare edhe ndaj Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare (ARKEP), për shkak të rrezikut të humbjen së licencës për operim. Kjo gjë e kishte obliguar ndërmarrjen të kërkonte ndihmë financiare sërish nga shteti.
Më pas, përmes një vendimi më datë 31.12.2021, Qeveria e Kosovës kishte aprovuar kërkesën e Telekomit për mbështetje financiare në vlerë të 10 milionë eurove për mbulimin e obligimeve që kishte ndaj ARKEP. Përndryshe, nëse nuk do të ishte mbështetja e Qeverisë, Telekomi rrezikonte Licencën e operimit – apo tërheqjen e të drejtës për shfrytëzim të resurseve frekuencore në brezin 900 MHz dhe 1800 MHz.
Rreziqet që ndikojnë në ndërprerjen e plotë ose të pjesshme të shërbimeve ndaj konsumatorëve
Edhe gjendja e platformave dhe sistemeve telekomunikuese brenda Telekomit vazhdon të jetë e rëndë, vlerëson Auditori i Përgjithshëm. Sipas një raporti nga Departamenti Teknik në Telekom, kjo gjendje për disa platforma është qysh para vitit 2010 (për sistemet transmetuese telefonia fikse) ndërsa në rrjetin mobil që nga viti 2016 kur janë bërë instalimet e fundit në rrjetë.
“Pastaj, kjo gjendje në mënyrë progresive ka ardhur duke u keqësuar si rezultat i daljes nga garancioni i pajisjeve, konsumi i pjesëve rezervë në stok si dhe amortizimi i pajisjeve. Për shumicën e platformave dhe sistemeve të cilat mundësojnë ofrimin e shërbimeve telekomunikuese, mirëmbajtja kryhet vetëm nga stafi teknik i ndërmarrjes. Për shumicën e sistemeve (rrjeti fiks, mobil, IPTV dhe ISP) nuk ka kontrata aktive të mirëmbajtjes/përkrahjes teknike nga prodhuesi”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Auditori thekson se ky raport nga Departamenti Teknik ka renditur një sërë rreziqesh të mundshme që do të ndikonin në ndërprerjen e plotë ose të pjesshme të shërbimeve ndaj konsumatorëve, pamundësinë e neutralizimit të problemit dhe kohëzgjatjen e zgjidhjes së problemit dhe pamundësia e riparimit të pajisjeve me defekte në të gjitha pjesët e rrjetit si rezultat i gjendjes aktuale dhe mungesës së investimeve dhe kontratave të mirëmbajtjes.
Sipas vlerësimeve të zyrtarëve të Telekomit, projektet investive të domosdoshme për operim, tashmë kapin shumën prej 19 milionë euro.
Për shkak të gjendjes së rënduar financiare me të cilën po vazhdon të përballet Telekomi, Qeveria e Kosovës gjatë 2021-s, kishte ndarë një shumë prej 40 milionë euro për dy ndërmarrje publike, ku njëra prej përfitueseve ishte edhe Telekomi i Kosovës.
Megjithatë, Auditori tregon se atyre nuk iu është prezantuar ndonjë dokument formal (vendim ose marrëveshjeje) lidhur me shumën që do t’i ndahet Telekomit.
Megjithatë, bazuar në ketë mbështetje, ndërmarrja në vitin 2021 kishte filluar procedurat e prokurimit për projektin Migrimi në Kodin Telefonik të RKS dhe Modernizimi i Rrjetit Mobil në vlerë të parashikuar prej 12,984,118 eurove, projekt i cili mendohet se do të përmirësonte ndjeshëm cilësinë e shërbimeve dhe rritjen e të hyrave, ndërsa implementimi i kodit shtetëror do t’ia kursente ndërmarrjes rreth 1.5 milion euro në vit.
Gjithashtu, vlen të theksohet se me datë 25.05.2022 Qeveria e Kosovës ka aprovuar në parim kërkesën për huamarrje për financimin e pakove dalëse për shkëputjeje vullnetare të marrëdhënies së punës për punëtorët e Telekomit në vlerë të 7 milionë e 775 mijë eurove, që sipas kërkesës në fjalë, kthimi i huamarrjes do realizohet nga viti 2027. /Buletini Ekonomik/