Ngritje e madhe dhe e vrullshme çmimesh po ndodhin pikërisht vetëm disa ditë pas miratimit të Rezolutës nga Qeveria për frenimin e rritjës së çmimeve të produkteve bazë dhe disa ditë pas paralajmërimeve zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues. Kështu, të enjtën, të premtën dhe të shtunën (11, 12 e 13 gusht) në shtandet e minimarketeve, marketeve të mëdha dhe supërmarketeve u rreshtuan çmime të ngritura në stratosferë të shumë produkteve bazike ushqimore.
Mehmet GJATA
Në Kosovë, sërish ditëve të fundit, sidomos, ka nis të ndodhë ngritje e madhe çmimesh, të të gjitha produkteve, e sidomos të prodhimeve bazike ushqimore, që kanë ndikim të drejtpërdrejt te rënia e ndjeshme e gjendjes sociale të shumica e kosovarëve të varfër. Pra, ngritje e madhe dhe e vrullshme çmimesh po ndodhin pikërisht vetëm disa ditë pas miratimit të Rezolutës nga Qeveria për frenimin e rritjës së çmimeve të produkteve bazë dhe disa ditë pas paralajmërimeve zyrtare për monitorim rigoroz ndaj tregtarëve abuzues.
Kështu, të enjtën, të premtën dhe të shtunën (11, 12 e 13 gusht) shtandet e minimarketeve, marketeve të mëdha dhe supërmarketeve u rreshtuan vezët (kompleti i tyre 30 vezësh)me çmime të reja të ngritura, sipas të dhënave të ATK-së, prej 4, 26 eurosh, por esdhe prej 4.50 eurosh, për dallin nga java e kaluar kur ky komplet vezësh tregtohej me 4.09 euro. Ndërsa në korrik të vitit 2021, një komplet prej 30 copë vezësh ka kushtuar në Kosovë diku më së shumti 2.15 euro.
Ngritje çmimi u pa në të gjitha pikat e shitjes anembanë Kosovës në ditët e apostrofuara në këtë shkrim edhe të vaji ushqimor (thuaja te të gjitha llojet e tij). Vaji i lulediellit, që në Kosovë është më i konsumuari dhe në një farë mënyre më popullori, shitej me 2.93 euro, ndërsa vjet në korrik një litër vaj të lulediellit te ne ka kushtuar diku 1.56 euro.
Edhe të gjitha produktet bazike ushqimore (mielli, buka, mishi i viçit dhe ai i pulës, qumështi, dhe karburantet) kanë shënuar këtyre ditëve prapë rritje çmimesh edhe krahasuar me pak kohë dhe ditë më parë, dhe po se po, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Mielli tani tregtohet me 80 centë kilogrami, (vjet me 0,52 centë), buka me 50 centë në vend të 0,35 centësh sa ishte në korrik të vitit vtë kaluar, mishi i viçit tani kushton sipas të dhënave të ASK-së 9,19 euro deri në 10 euro për kilogram, ndërkohë që në korrikun e vjetshëm ka kushtuar 7,45. Mishi I pulës ka shkuar në 4.5 euro kilogrami derisa vjet shitej me 2.64 euro. E kështu me radhë.
Në anën tjetër, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, praktikisht po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave të tejdukshme, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale. Me fjalë të tjera, po del të jenë vetëm fjalë, sado që të shkruara e zeza në të bardhë, masat e qeverisë të bëra publike kohë më parë për frenimin e shpërthimit egërsisht të ngritjës së çmimeve, sidomos të produkteve elementare ushqimore.
Shifrat e çmimeve të reja të sipërpërmendura në këtë shkrim, tregojnë më qartë se edhe Rezoluta e VV-së, e miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës ditë më parë, që synonte adresimin e rritjes së çmimeve të produkteve bazë në Kosovë dhe në një farë mënyre vendosjen e një tavani të çmimeve për produktet bazë ushqimore, për të pasur sado pak një farë mbikëqyrjeje tek çmimet e produkteve bazë, tani po del vetëm një tekst ordiner, pa asnjë ndikim të vetëm në ecurinë e frenimit të çmimeve të egra. Siç dihet, në mbishkrimin kryesor në këtë rezolutë, thuhej se Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria që të ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe masa të jashtëzakonshme për të adresuar rritjen e inflacionit dhe ndikimin e tij në çmimet e produkteve bazë.
Përveç kësaj, Kuvendi përmes rezolutës ka kërkuar nga ekzekutivi që edhe nëpërmjet instrumenteve monitoruese, t’i ndalë përpjekjet për shfrytëzim të kësaj situate nga tregtarët abuzues. Mirëpo, siç po shihet nga shifrat më të fundit të çmimeve të shumë produkteve bazë ushqimore asnjë kërkesë dhe synim i Rezolutës nuk është përmbushur. Thjesht, si me te si pa te, tregtarët, ata që gjithnjë treguan prirjet e tyre abuzive, edhe këtyre ditëve i çuan çmimet në stratosferë, e kështu edhe marzhën e fitimit.
Ndërsa Qeveria po vazhdon të vonohet për të miratuar Ligjin e paralajmëruar për caktimin e marzhës së fitimit maksimal për produktet bazë, sikurse pak a shumë kufiri maksimal i çmimit të derivative i vendosur për disa ditë nga Mnistria e Tregtisë dhe Industrisë në muajin e kaluar, që ishte caktuar nga Ministria e Tregtisë çdo ditë. Po dalin të jenë goxha të paefektshme edhe premtimet e kryeministrit Kurti, të bëra në shumë raste gjatë muajit që shkoi se “ ditëve në vijim do të publikohen masat e reja të Qeverisë për çmimet e larta të produkteve esenciale”. Kurti kishte deklaruar jo një herë se “vendosja e çmimit tavan për naftën ka dhënë rezultate, duke shtuar se Qeveria po operon që qytetarëve t’u dilet në ndihmë, por pa e shkelur Kushtetutën”.
Kurti ka thënë publikisht se “po diskuton me ministren e Tregtisë, Rozeta Hajdarin dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati për masat ndaj shtrenjtimit të produkteve esenciale.
“Me ministrat Murati e Hajdari, jemi në komunikim që të sjellim masa që i ndihmojnë qytetarët. Çmimi tavan për naftën ka dhënë rezultate, por duhet ta gjejmë mënyrën më të mirë, por të mos e shkelim kushtetutën”, deklaroi Kurti. Por, duhet thënë se fare pak nga masat e paralajmëruar për t’i ndihmuar qytetarët në frenimin e ngritjes abuzive të çmimeve kanë ndodhur në këtë ndërkohë në tregjet e Kosovës dhe fare, ose aspak efekte konkrete nuk janë shënuar në këtë fillim gusht sa i përket stopimit të egërsimit të mëtejshëm të çmimeve në vend. Ato, çmimet pra, vetëm sa janë ngritur, por me vrull të përshpejtuar dhe me shifra marramendëse të përqindjeve të ngritura.
Tashmë po del të jenë thuaja të kota edhe reagimet e shumta dhe të shpeshta, qofshin dashakeqëse, qofshin dashamirëse edhe të opozitës në Kosovë, e cila, edhe pse bukur shumë e vonuar dhe në raste të shumta, edhe pse ngritjen e egër të çmimeve po e shfrytëzon jo pak për sulme politike ndaj qeverisë aktuale. Nuk patën ndonjë efekt pra, as reagimet thuaja të pareshtura të ish kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hotit, i cili nuk rresht së hedhuri kritika në adresë të qeverisë Kurti për rritjen e çmimeve të produkteve kryesore.
Ai në korrik pati deklaruar se ani pse çmimet janë rritur shumë, qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët. Sipas Hotit, që dorën në zemër, është një ndër deputet më të shkathët, po se po edhe më të informuarit rreth ecurive të çmimeve në vend, çmimet në qershor 2022 u rritën mesatarisht 14% krahasuar me qershorin e vitit të kaluar. Por, sipas tij, për produktet kryesore rritja ishte shumë më e madhe: vajrat dhe yndyrat ushqimore (53,8%), Karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (67,3%), gazi (39,3%), buka dhe drithërat (27,7%), qumështi, djathi dhe vezët (22,3%), mishi (19,6%), sheqeri, reçeli, mjalti, çokollata dhe ëmbëlsirat (19,0%), prodhime të ndryshme ushqimore salca, erëza kripë, ushqim për fëmijë etj. (12,8%), perimet (6,8%) dhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (33,6%).
Hoti ka thënë se Qeveria nuk ka marrë asnjë veprim për të zbutur ngarkesën për qytetarët. Sipas tij, nuk është pezulluar akciza në naftë, nuk është shtuar lista e mallrave me TVSH prej 8%, nuk janë rritur pagat në sektorin publik, nuk janë indeksuar pensionet dhe ndihma sociale.
Por, ngritjen egërsisht të çmimeve të produkteve elementare ushqimore po e ndiejnë në supet e tyre qytetarët e Kosovës. Edhe më shumë, ata, të varfëritë që janë numerikisht shumicë në këtë vend. Ata, tashmë thënë shkurt e shqip, janë lodhur dhe mezi po e përmbyllin muajin me muaj. Ka rënë pa diskutim fuqia blerëse e kosovarëve në përgjithësi, e në veçanti e të skamurve, edhe për pasoj se në muajt e fundit të 2022-tës familjet kosovare pothuajse çdo produkt po e blejnë më shtrenjtë.
Në fund të korrikut, shkalla e inflacionit ka arritur në 14.2 për qind, që do të thotë që çmimet e produkteve që konsumon një familje në muajin korrik mesatarisht kanë qenë më të shtrenjta 14.2 për qind. Dhe kjo shifër është treguesi më real dhe më bindës për ritmet e vrullshme të ngritjes së çmimeve, sidomos të atyre bazike ushqimore dhe që kanë ndikim të drejtëpërdrejtë në varfërinë e shtuar të qytetarëve të këtij vendi.
Por, shifrat e ngritjes enorme të çmimeve, ku te disa produkte nuk është vështirë të shihet marzha e fitimit mbi 50 e më shumë për qind, po tregojnë edhe pafuqinë e shtetit dhe pushtetit në Kosovë karrshi tregtarëve abuziv dhe manipulues, tashmë shumë sish, goxha të njohur, për nga prirjet e tyre manipulative. Në këto zhvillime dhe ecuri çmimesh, nuk bëhet fjalë më për ligjshmëri. Dhe, sa më shumë të zgjatë kjo gjendje dhe ky kaos çmimesh, aq më shumë do të cenohen mirëqenia e shumicës së popullsisë së Kosovës dhe do të ç’rregullohet paqja, edhe ashtu e brishtë sociale e këtij vendi. /Buletini Ekonomik/