Sa të forta janë firmat teknologjike “njëbrirëshe” në Europë? Rënia nuk ka gjasa të dëmtojë teknologjinë në kontinentin e vjetër
“Asnjë nga miqtë e mi nuk qëndroi në teknologji”, thotë Fred Plais, shefi i Platform.sh, një kompanie kompjuterike cloud me qendër në Paris.
Atij i kujtohet ende mjaft mirë ajo çka ndodhi në Europë në vitin 2001. Kompania që drejtonte asokohe, një motor kërkimi online, u mbyll pasi shpërtheu flluska e dot-com, dhe kështu ndodhi me shumicën e firmave të tjera startup që ai njihte, shkruan The Economist.
Historia ishte e ngjashme në vitin 2008, si rezultat i krizës financiare globale. Kompanitë europiane të teknologjisë vuajtën më shumë se ato amerikane.
Frika se rënia e afërt do të jetë edhe një herë më e rëndë në Europë sesa përtej Atlantikut, u shtua më 1 korrik, kur Wall Street Journal raportoi se Klarna, një firmë suedeze e tipit “bli tani-paguaj më vonë”, po përpiqej të rriste kapital të freskët me më pak se një të pestën e vlerësimit maksimal prej 46 miliardë dollarësh.
Pavarësisht historive të tilla, si kompanitë europiane startup, ashtu edhe sipërmarrësit e tyre, duken shumë më të fortë se sa dikur, dhe janë shumë më pak të varur nga njohuritë dhe kapitali i huaj. Madje këtë herë, ata mund ta përballojnë stuhinë më mirë se homologët amerikanë.
Për të kuptuar se pse, fillojmë duke marrë parasysh bumin. Viti i kaluar ishte një vit i mirë për Europën. Për herë të parë, investimet e kapitalit sipërmarrës në kontinentin e vjetër, tejkaluan shifrën 100 miliardë euro (118 miliardë dollarë) në një vit, raporton PitchBook, ofrues i të dhënave.
Vlerësimet e firmave startup u rritën në përputhje me rrethanat, duke shtuar numrin e kompanive europiane “unicorn”, që janë firma private me vlerë më të lartë se 1 miliard dollarë.
Numri i tyre ka arritur në rreth 150 sot, afërsisht sa 13% e totalit botëror. Edhe pse ekosistemi teknologjik i Europës është ende vetëm sa një e treta e Amerikës për sa u përket investimeve të kapitalit sipërmarrës, ai është dyfishuar në madhësi që nga viti 2020.
Një pjesë e kësaj rritjeje është një pasojë mekanike e vërshimit të kapitalit të tepërt në Europë, ku vlerësimet e firmave startup kishin mbetur mbrapa atyre në Amerikë dhe në Azi. Në vitin 2021, firmat amerikane të kapitalit sipërmarrës, investuan në marrëveshje europiane me vlerë 83 miliardë dollarë, një rritje trefish në krahasim me vitin e kaluar, sipas PitchBook.
Investitorët jo-tradicionalë, si amerikanë ashtu edhe nga vende të tjera, u dyndën gjithashtu drejt Europës, duke marrë pjesë në marrëveshje me vlerë totale prej gati 100 miliardë dollarësh, një rritje prej 150% nga viti 2020.
Siç tregon edhe përpjekja e kompanisë Klarna për të mbledhur fonde, rritja e kapitalit pritet të përfundojë këtë vit në Europë, ashtu si kudo tjetër.
Për fat të mirë, kjo nuk është e gjithë historia. “Vrulli europian ka nisur”, thotë Sarah Guemouri nga Atomico, një firmë e kapitalit sipërmarrës në Londër, duke nënkuptuar se suksesi në teknologji sjell sukses të mëtejshëm.
Vrulli ndihet në nivelin e firmave individuale, ku më shumë përdorues nxisin krijimin e shërbimeve më të mira, gjë që tërheq përdorues të tjerë, e kështu me radhë. Ato gjithashtu ndihmojnë për të ringjallur të gjithë industrinë.
Asnjë sipërmarrje, asnjë fitim
Kapitalizmi sipërmarrës europian duket me të vërtetë i aftë për t’u fuqizuar. Një burim i rëndësishëm është talenti. Vitin e kaluar, Dealroom, një tjetër ofrues i të dhënave, analizoi karrierën e 38,000 drejtuesve të kompanive startup.
Pothuajse dy të pestat e tyre kishin punuar si për startup-et e vogla, ashtu edhe për firmat e vjetra, duke treguar një përvojë kolektive në rritje.
Në mënyrë të ngjashme, kur një firmë europiane e kapitalit sipërmarrës, e quajtur Mosaic Ventures, kohët e fundit shqyrtoi rreth 200 themelues të firmave “njëbrirëshe”, ajo zbuloi se dy në tre vinin nga sipërmarrës të përsëritur. “Është hera e dytë ose e tretë që një sipërmarrës prodhon një njëbrirësh”, thotë Simon Levene, një nga partnerët e firmës.
Teksa fitojnë përvojë, sipërmarrësit europianë jo vetëm që po bëhen më ambiciozë, por edhe më të aftë në arritjen e ambicieve. Nadine Hachach-Haram, themeluesja e Proximie, një firmë startup e kujdesit shëndetësor, që u mundëson mjekëve të shohin në distancë një operacion, është në një mision për të krijuar “sallën e operacionit pa kufij”.
Avi Meir, i cili drejton TravelPerk, një faqe për të menaxhuar udhëtimet e biznesit me seli në Barcelonë, dëshiron që të lehtësojë “lidhjet njerëzore midis punëtorëve në distancë”, për shembull duke ofruar mjete për të organizuar takime në ekip, në jetën reale.
Nicolas Brusson, shefi i BlaBlaCar, një firmë e cila u krijua si një shërbim parisien për të rregulluar udhëtime të përbashkëta me makina midis qyteteve, synon ta kthejë atë në një “platformë multimodale” duke përfshirë edhe kërkesën për autobusë dhe ndoshta edhe trena, në nivel global.
Për disa, kjo mund të tingëllojë si zhurmë marketingu, por është pikërisht ajo çka duan të dëgjojnë investitorët dhe stafi i ardhshëm.
Kapitali po grumbullohet dhe po ushqehet në industri. Sipas PitchBook, gati 100 miliardë euro në kapitalin sipërmarrës u mblodhën nga fondet europiane në pesë vitet e fundit.
Investitorët europianë gjithashtu priren të grumbullojnë shumë para në startup-et që janë në fazat e hershme. Në vitin 2021, startup-et europiane tërhoqën një të tretën e të gjitha investimeve në raundet e financimit, të cilat shkojnë deri në vlerën 5 milionë dollarë globalisht, vlerëson Dealroom – pothuajse po aq sa homologët e tyre amerikanë.
Po rritet gjithashtu edhe numri i “engjëjve”, pra sipërmarrësve të suksesshëm që e kthejnë një pjesë të pasurisë së tyre teknologjike, në startup-e të tjera.
Disa krijojnë firmat e veta të kapitalit sipërmarrës. Më 28 qershor, Taavet Hinrikus, bashkëthemeluesi i Wise, një shërbim pagesash ndërkombëtare, dhe tre sipërmarrës të tjerë europianë, themeluan Plural, një fond prej 250 milion eurosh.
Drejtuesit në zinxhirin ushqimor kanë filluar gjithashtu të investojnë, për shkak se gjithnjë e më shumë punëtorë të teknologjisë europiane kompensohen pjesërisht me stokun e punëdhënësit të tyre.
Disa vite më parë, vetëm rreth 10% e aksioneve iu ndaheshin punonjësve, thotë Dominic Jacquesson nga Index Ventures, një kompani transatlantike e kapitalit sipërmarrës. Falë ndryshimeve ligjore dhe rritjes së pranimit kulturor të opsioneve të aksioneve në Europë, kjo shifër tani është rreth 17%, pothuajse sa shifra prej 20% në Amerikë.
Struktura e ekosistemit të teknologjisë është gjithashtu më e fuqishme tani, ndërsa dikur reflektonte suksese të pamundura dhe dështime të njëpasnjëshme, si Skype, një shërbim video-konferencash që tani zotërohet nga Microsoft, ose Spotify, aplikacioni suedez i transmetimit të muzikës.
Në një raport të fundit mbi njëbrirëshit europianë, Richard Kersley nga banka e investimeve Credit Suisse, dhe kolegët e tij, i ndanë firmat në “mundësuese”, për shembull shërbime pagesash siç janë Klarna dhe Checkout.com, dhe “ndërprerëse” (si Getir, një aplikacion turk për shpërndarje), të cilat lulëzojnë duke u mbështetur në një infrastrukturë të tillë.
Përveç rritjes së përvojës dhe kapitalit në atdhe, si dhe strukturës më të fortë, kompanitë europiane mburren edhe me disa përparësi krahasuese që do të jenë të dobishme në epokën e brishtë pas pandemisë. Një përparësi është shkalla e kursimit.
Edhe pse kompanive private nuk u kërkohet të zbulojnë shifra të tilla, indikacionet tregojnë se “shkalla e djegies” së tyre, pra shpejtësia me të cilën shpenzojnë paratë që kanë mbledhur, është më e ulët, të paktën në startup-et më të reja.
Këtu ndihmon fakti se punësimi i zhvilluesve të softuerit në Barcelonë ose Berlin, kushton mesatarisht sa gjysma e çmimit në San Francisko ose Seattle.
Ambicie e madhe
Megjithatë, teksa firmat bëhen “njëbrirëshe”, dallime të tilla duket se zhduken. Mesatarisht, startup-et amerikane dhe europiane kanë grumbulluar afërsisht të njëjtën sasi kapitali përpara se të arrijnë statusin e njëbrirëshit: 378 milionë dollarë, krahasuar me 392 milionë dollarë për firmat që kanë arritur një vlerësim prej më shumë se 1 miliard dollarë që nga fillimi i vitit 2021.
Startup-et e pjekura në Europë janë më pak të përqendruara gjeografikisht sesa homologët e tyre në Amerikë. Për shkak se tregjet e brendshme dhe grupet e talenteve të Europës janë të kufizuara, firmat zgjerohen shpejt jashtë vendit. Veriff, shërbim estonez i identifikimit në internet, hapi kohët e fundit një degë në Barcelonë, sepse nuk mund të punësonte mjaft inxhinierë në Talin.
Si rezultat, rreth 80% e kompanive europiane të teknologjisë, kanë një prani ndërkombëtare, krahasuar me 61% të firmave me seli në Silicon Valley, sipas Atomico.
Vetëm një në pesë firma europiane kanë një zyrë vetëm në territorin e tyre të origjinës dhe pak më shumë se gjysma janë të pranishme në tre ose më shumë vende. Në Silicon Valley, raporti është i kundërt. Në kohë krize, diversifikimi ndihmon.
Për më tepër, sipas klasifikimit nga banka Credit Suisse, bizneset tepër të ndjeshme ndaj recesionit, siç janë shërbimet e konsumatorit, janë më pak të përhapura në Europë se në Amerikë.
Një e treta e “njëbrirëshve” europianë, operojnë në teknologjinë financiare, shpesh duke ofruar shërbime pagese për firmat e tjera, falë rregulloreve më të hapura financiare të BE-së. Pothuajse një e katërta e njëbrirëshve, vlerëson banka, mund të konsiderohen të qëndrueshëm.
Të gjitha këto arsye ndihmojnë për të shpjeguar pse numri i njëbrirëshve është rritur në Europë këtë vit. PitchBook numëroi edhe 42 të tjerë në gjashtë muajt e parë, krahasuar me 37 të krijuar në të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Tremujorët e ardhshëm sigurisht që do të jenë më të ashpër, por ashtu janë edhe kompanitë europiane të teknologjisë.
Platform.sh, kohët e fundit, arriti të grumbullojë 140 milionë dollarë (vlera totale e firmës nuk u zbulua, por ajo po i afrohet territorit të njëbrirëshit). Dhe kjo do të thotë se shefi i saj, zoti Plais, nuk ka gjasa të kërkojë një punë tjetër së shpejti.
Përktheu: Monitor.al