Shitjet me pakicë në Gjermani bien me normën më të lartë të regjistruar ndonjëherë

Rënia thekson sfidën me të cilën po përballet ekonomia më e madhe e eurozonës.

Shitjet me pakicë në Gjermani ranë me normën më të madhe vjetore që nga fillimi i regjistrimit të këtyre shifrave në vitin 1994, duke theksuar sfidat e vështira ekonomike me të cilat po përballet ekonomia më e madhe e eurozonës.

Volumet e shitjeve me pakicë ranë me 8.8 për qind në qershor krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, treguan të hënën të dhënat nga Destatis, zyra gjermane për statistikat kombëtare.

Reklama e sponzorizuar

Claus Vistesen, kryeekonomist për eurozonën në Pantheon Macroeconomics, tha se këto shifra ishin “të mjerueshme” dhe vinin kryesisht si rrjedhojë e ndikimit të rritjes së çmimeve në shpenzimet e konsumatorëve. Inflacioni në Gjermani është në nivelin më të lartë të disa dekadave, prej plot 8.5 për qind.

Rënia në shitjet me pakicë vjen pas lajmeve të ditës së premte se rritja ekonomike gjermane pati një stanjacion midis tremujorit të parë dhe të dytë, ndërsa shifrat tregojnë se besimi i bizneseve dhe i konsumatorëve është tani në nivelin më të ulët që nga muajt e parë të pandemisë.

Megjithëse ekonomia e eurozonës në tërësi u rrit me 0.7 për qind midis tremujorit të parë dhe të dytë, analistët presin gjithnjë e më shumë që rajoni të hyjë në një rënie përgjatë muajve të ardhshëm, pas ndikimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në tregjet e energjisë dhe në besimin e konsumatorëve.

Chris Williamson, kryeekonomist për bizneset në S&P Global Market Intelligence, tha se aktiviteti prodhues në Gjermani dhe kudo “po shkon drejt një rënieje gjithnjë e më të madhe, duke shtuar rreziqet e recesionit për rajonin”.

Indekset e menaxherëve të blerjeve për prodhimin e eurozonës, të publikuara gjithashtu të hënën, treguan se aktiviteti i fabrikave është në rënie në të gjithë eurozonën.

Indeksi i menaxherëve të blereve S&P Global për prodhimin gjerman ra për herë të parë në dy vite nën nivelin kritik prej 50, i cili shërben si një pikë ndarëse mes zgjerimit të aktivitetit dhe tkurrjes së tij.

Në të gjithë rajonin, porositë e reja pësuan rënie – një shenjë kjo që kushtet ka të ngjarë të mbeten të vështira edhe në muajt e ardhshëm. Rreziku më i madh me të cilin po përballet rajoni është se tensionet me Moskën po përkeqësohen, duke bërë që Rusia të reduktojë, ose edhe të ndalojë, furnizimet me gaz për në BE. Ekonomistët besojnë se kjo do të shkaktonte një recesion të madh në të gjithë bllokun.

Megjithëse volumet e shitjeve me pakicë në Gjermani ranë ndjeshëm, konsumatorët reduktuan shpenzimet e tyre të përgjithshme me një sasi shumë më të vogël, një rënie vjetore prej vetëm 0.8 për qind, për shkak të ndikimit të inflacionit në fuqinë blerëse.

Shifrat e së hënës zhgënjyen investitorët, pasi rënia prej 1.6 për qind në volumin e shitjeve midis majit dhe qershorit ishte shumë më e keqe sesa parashikimi i rritjes prej 0.2 për qind nga ekonomistët e anketuar nga Reuters.

Rënia e shpenzimeve në sektorin e shitjeve me pakicë reflekton gjithashtu një zhvendosje të shpenzimeve drejt sektorit të shërbimeve, të cilat nuk përfshihen në retail, pas rritjes së madhe të kërkesës për mallra që ndodhi gjatë tremujorëve të parë të pandemisë së koronavirusit, kur restorantet, baret dhe vendet e argëtimit mbylleshin shpesh prej izolimeve.

Vistesen vuri në dukje se rënia e shitjeve me pakicë mund të sjellë një rishikim të shifrës së javës së kaluar për produktin e brendshëm bruto të Gjermanisë, i cili ishte një vlerësim i shpejtë dhe mund të ndryshojë shpesh.

Të dhënat nga Eurostat, zyra e statistikave e Komisionit Europian, treguan se në qershor, numri i të papunëve u rrit në eurozonë për herë të parë në 14 muaj.

Megjithëse tregu i punës në këtë rajon vazhdon të jetë një pikë relativisht e mirë e ekonomisë dhe shkalla e papunësisë mbeti e pandryshuar në nivelin rekord të ulët prej 6.6 për qind, shifra absolute e atyre që kërkojnë punë u rrit me 25,000 njerëz, duke arritur në pothuajse 11 milionë. /Financial Times/