Zbret në 20.5% shkalla e papunësisë në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2021.

Sipas rezultateve të anketës, shkalla e papunësisë në Kosovë deri në fund të muajit qershor të 2021-s, ka rënë në 20.5%, nga 25.8% sa ishte në tremujorin e parë të vitit 2021.

Papunësia përgjatë kësaj periudhe, ishte më e theksuar te femrat me 22.1%, krahasuar me meshkujt prej 19.9%.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, shkalla më e theksuar e papunësisë vazhdon të shfaqet kryesisht te grupmoshat 15-24 vjeçare me 38.9%, përcjell Buletini Ekonomik.

Në bazë të rezultateve të kësaj ankete nga ASK, dy të tretat e gjithë popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune, në të cilën përfshihen moshat prej 15 deri në 64 vjeç.

Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 37.7%, kurse shkalla e punësimit sipas Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për TM2 2021 ishte 30.0%. Prej kësaj përqindjeje, punësimi më i lartë ishte te meshkujt me 44.0%, ndërsa punësimi te femrat ishte 16.0%.

Femrat ishin të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 53.7 përqindje, ndërsa meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 43.6%.

Ndërkaq, sektorët ekonomikë që prijnë me punësim vazhdojnë të jenë: tregtia me 18.1%, ndërtimtaria me 11.4%, arsimi me 11.3%, dhe prodhimi me 9.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Ndërsa, sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 40.8% e personave të punësuar kishin kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 59.2% kishin kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të kësaj ankete sërish, në TM2 2021, fuqia joaktive në vendin tonë vazhdon të mbetet mjaft e lartë, prej 62.3%, me fokus të veçantë te femrat me 79.4%, krahasuar me meshkujt 45.1%. /Buletini Ekonomik/