Blloku B1 në remont që nga e mërkura, importohen 200 megavatë/orë rrymë për nevojat e vendit

Termocentrali 'Kosova B'

Sipas zyrtarëve të KEDS-it, këtyre ditëve konsumi mesatar i energjisë elektrike gjatë ditës në vend, sillet diku rreth 600 megavatë orë, ndërsa në orët e pikut shkon te 800 megavatëshi. Prandaj, kushtimisht mungesa e rrymës për nevojat e konsumit të vendit po kompenzohet me import nga tregjet e jashtme të energjisë. Sasia e rrymës së importuar, derisa të jetë jashtë procesit të punës blloku B1, është diku 200 megavat/orë.

Buletini Ekonomik

Nga dita e mërkurë (2 nëntor 2022) blloku B1 i termocentraleve Kosova B, është tërhequr nga prodhimi për shkak të një remonti të planifikuar disa-ditor. Dhe me tërheqjen e B1-shit, në prodhim që nga e mërkura pra, gjenden vetëm tri njësi të prodhimit të termocentraleve të Kosovës, respektivisht janë duke punuar blloku B2 me kapacitet 260 megavatë-orë dhe A3-shi e A4-shi, që të dyja bashkarisht me rreth 260 megavatë, ose sicila veç e veç nga 130 megavatë/orë.

Gjithsej, nga termokapacitetet tona aktualisht janë duke u gjeneruar diku rreth 520 megavatë/orë energji elektrike dhe një sasi thuaja simbolike e rrymës nga kapacitetet ekzistuese të energjisë së rinovueshme.

Reklama e sponzorizuar

Mirëpo, edhe pse ende po mbajnë ditë me mot të mirë dhe pa të ftohtë të theksuar, që për rrjedhojë ka konsumin jo edhe aq të rritur, krahasuar me muajt e verës, kjo sasi e energjisë elektrike nuk është e mjaftueshme për nevojat e konsumit të Kosovës. Sipas zyrtarëve të KEDS-it, këtyre ditëve konsumi mesatar i energjisë elektrike gjatë ditës në vend, sillet diku rreth 600 megavatë në orë, ndërsa në orët e pikut shpenzimi i rrymës edhe këtyre ditëve ende të ngrohta shkon te 800 megavatëshi. Prandaj, kushtimisht mungesa e rrymës për nevojat e konsumit të vendit po kompenzohet me import nga tregjet e jashtme të energjisë.

Sasia e energjisë së importuar, derisa të jetë jashtë procesit të punës B1-shi është diku 200 megavat-orë, kanë thënë për Buletinin Ekonomik, zyrtarët e KEDS-it.

Ndërsa, inxhinierët e termocentraleve Kosova B sot i kanë thënë Buletinit Ekonomik se blloku B1 do të rikthehet nesër në prodhim, me çka sasia e energjisë elektrike të prodhuar nga termokapacitetet tona do të shtohet edhe për 260 megavatë, për aq sa është fuqi e këtij blloku. Por, siç njoftojnë nga Kosova B, prodhimi nga dy njësitë e Kosovës B do të zgjatë fare shkurtër, ndoshta dy-tre ditë, pasiqë me t’u kthyer në punë B1-shi, planifikohet të tërheqet, pokështu, për disa ditë B2-shi për riparime disaditore. Kjo është situata aktuale elektroenergjetike në vend.

Ndërsa, dimri, dihet, do të diktojë rrethana të tjera elektroenergjetike në Kosovë, kur pritet të ketë goxha mungesë të rrymës. A do të ketë para Kosova për ta importuar energjinë që do t’i mungojë, mbetet të shihet.

Kurse, racionalizimi i shpenzimit të rrymës, ose kursimi aty ku ka mundësi të bëhet, mbetet opsioni i vetëm i mundshëm për t’ia lehtësuar sado pak vetvetes pasojat e mungesës së energjisë gjatë dimrit. Sepse, në muajt e acartë, çmimi i energjisë elektrike parashihet të jetë edhe sivjet shumë i lartë, dhe për Kosovën e varfër edhe financiarisht, do të jetë goxha vështirë të sigurohet importi i nevojshëm. Ndërsa, nëse vazhdon të mbajë kjo kohë pa të reshura të bollshme, edhe shpresat nga këmbimi i energjisë elektrike, përkatësisht nga kthimi i borxhit të rrymës së deponuar në KESH, do të jenë fare të zbehta.

Siç dihet, sipas marrëveshjeve ndërmjet dy koorporatave elektroenergjetike të Kosovës dhe të Shqipërsisë, për ta këmbyer/shkëmbyer rrymën ndërmjet të dy shteteteve shqiptare, Kosova ka deponuar në këta muaj të sivjetshëm një sasi goxha imponuese të rrymës. Bëhet fjalë për rreth 150 mijë megavatë-orë që është deponuar tashmë në KESH. Por, me këtë gjendje të akumulimit të paktë të ujit në liqenet e hirocentraleve në Kaskadën e Drinit, Kosova ka fare pak mundësi të shpresojë te borxhi nga energjia elektrike e deponuar në KESH.

Duhet përkujtuar se në stabilimentet e stërvjetëruara, megjithë remontet goxha të rregullta dhe të shpeshta që KEK-u sivjet ua ka bërë njësive prodhuese aktuale, dhe megjithë mirëmbajtjen standarde të tyre, mund të ndodhin edhe defekte prej më të ndryshmeve teknike, që do të thotë ndërprerje e paparashikuar e prodhimit. Në këto raste, pastaj, sidomos në ditët me temperatura të ulëta, do të përkeqësohet domosdo situata elektroenergjetike dhe domosdo do të aplikohen kufizime të konsumit të rrymës. /Buletini Ekonomik/