Afaristët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut po kërkojnë hapjen e një terminali doganor në vendkalimin kufitar në Jazhincë-Glloboçicë, që do ta shkurtonte kohën e eksportimit të mallrave në Kosovë.
Afaristi tetovar, Kasam Zendeli, i cili për më shumë se 10 vite eksporton prodhime të qumështit në Kosovë thotë se hapja e një terminali doganor në vendkalimin kufitar Jazhincë-Glloboçicë, do ta shkurtonte kohën e eksportimit të mallit në Kosovë.
“Ky veprim do të ishte i mirëseardhur sepse do të shkurtonte kohën e vajtjes së mallit nga Tetova deri në Prishtinë. Momentalisht për ta dërguar një kamion me mall deri në Prishtinë shkon 9 deri në 10 orë, me pritjet e gjata që bëhen në terminalin e Bllacës”, ka theksuar Zendeli.
Hapjen e këtij terminali e kërkon edhe Oda Ekononike e Maqedonisë Veri Perëndimore. Drejtuesit e saj, vlerësojnë se hapja e një terminali të përbashkët doganor, do të lehtësonte punën e bizneseve dhe do të kishte ndikim pozitiv për ekonominë e të dyja shteteve.
“Duke pasur parasysh që krejt malli me Kosovën qarkullon vetëm me një pikë doganore ne vendosëm që ta bëjmë një kërkesë, e cila nuk mbështetej nga infrastruktura e duhur për një terminal doganor, por që do të lehtësonte punën e bizneseve qoftë atyre kosovare, qoftë atyre maqedonase. Ndërkohë, doli në ndihmë qeveria kosovare me atë që tha se terminalin doganor e bëjmë të përbashkët. Ajo na konvenonte sepse me një terminal doganor kryhen të dy veprimet”, ka thënë për RTK-në Menderes Kuçi, kryetar i Kuvendit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri Perëndimore.
Ndërtimi i terminalit të ri doganor ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Kuçi thotë se do të ishte një ndihmesë e madhe për bizneset e rajonit të Pollogut, të cilat në vend se të bënin 60 kilometra rrugë deri në Bllacë, për 20 minuta do të arrinin në Jazhincë.
“Nëse duam ta lehtësojmë bërjen biznes, ajo është një ndihmesë e madhe, sepse janë kosto të përditshme, qoftë në pagesë, qoftë në pritje. Shpesh ka prishje mallrash dhe demotivim për të bërë biznes. Si vizionar që jemi dhe që e dimë se si duhet të shkojnë punët, ne e dimë se një kost benefit për të ka”, ka shtuar Kuçi.
Vetëm në rajonin e Pollogut zyrtarisht janë të regjistruara rreth 11.000 kompani. Për shumicën e tyre, Kosova është një nga destinacionet më të rëndësishme të eksportit.