Presidentja e Bankës Qendrore Europiane, Christine Lagarde paralajmëroi se një “recesion i lehtë” është i mundur, por ai nuk do të mjaftojë për të frenuar rritjen e çmimeve.
Duke folur një javë pas rritjes së dytë radhazi të BQE-së prej 75 pikësh bazë në kostot e huamarrjes, si dhe mes frikës në rritje se kriza energjetike do të zvogëlojë prodhimin në 19 vendet e eurozonës, Lagarde tha: “Ne nuk besojmë se ky lloj recesioni do të jetë në gjendje të zbusë inflacionin.”
Megjithëse rënia ekonomike nuk është skenari i saj “bazë”, kolegu letonez i Lagarde, Martins Kazaks, tha se ai pret një rënie ekonomike në muajt e ardhshëm. Anëtari i Bordit Ekzekutiv, Fabio Panetta, paralajmëroi për rreziqet ekonomike që vijnë nga rritja e shpejtë e normave.
Këto komente janë pjesë e një sërë paraqitjesh publike nga zyrtarët e BQE-së, në një kohë kur investitorët dhe analistët janë të shqetësuar për sfidat e dyfishta të rritjes rekord të çmimeve dhe të mundësisë për një rënie ekonomike, kryesisht për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
Dhjetë nga 25 anëtarët e Këshillit Drejtues do të flasin të enjten, disa ditë pasi të dhënat treguan se çmimet e konsumit u rritën me 10.7% në muajin tetor – shumë më tepër nga sa pritej dhe pesë herë më shumë se objektivi zyrtar i BQE-së. Fokusi tani është te veprimet që do të ndërmerren muajin e ardhshëm në takimin përfundimtar të komitetit të politikave monetare për vitin 2022, ku të gjithë duket se bien dakord që nevojiten rritje të mëtejshme të normave të interesit.
Por, çështja nuk është vetëm te normat, të cilat u dyfishuan duke shkuar në 1.5% muajin e kaluar, në atë që është konsideruar si cikli më agresiv i shtrëngimit monetar në historinë e BQE-së, por që gjithsesi mbetet prapa atij të SHBA-së. Zyrtarët po debatojnë gjithashtu se si mund të reduktojnë sasinë e rreth 5 trilionë eurove në obligacione të blera në formë stimujsh gjatë krizave të fundit. Plani është që në takimin e dhjetorit do të duhet të bihet dakord edhe për këtë proces, i cili njihet ndryshe si “shtrëngimi sasior”.
Inflacioni që është “shumë i lartë për një kohë të gjatë”, edhe kur nxitet nga faktorët e ofertës, duhet të “sulmohet” në mënyrë që politikat e BQE-së të mos humbasin besueshmërinë e tyre, tha anëtari i Këshillit Drejtues, Mario Centeno, në një intervistë për gazetën portugeze Publico.
“Politika që ne po përcaktojmë nuk ka objektiv kontrollin e inflacionit për nesër ose për muajin tjetër,” tha ai. “Objektivi është kontrolli i inflacionit në një periudhë afatmesme. Kjo është detyra e BQE-së.”
Presidenti i Bundesbank, Joachim Nagel, tha se, në një kohë kur presioni politik mund të rritet teksa BQE vazhdon të shtrëngojë politikën monetare, kjo nuk duhet ta bëjë atë që të frenohet nga rritjet e mëtejshme të normës.
“Presioni politik mund të rritet me kalimin e kohës, për sa kohë që do të jemi në këtë proces të rritjes së normave”, tha anëtari i Këshillit Drejtues të BQE-së në një event në Madrid. “Ne nuk duhet të hezitojmë për të vazhduar me rritjet e mëtejshme të normave.”
Megjithëse pranoi nevojën për më shumë rritje të normave, ai tha se BQE kishte nisur një udhëtim për të cilin ai nuk do të spekulonte se ku mund të përfundojë.
Eurozona është në një pozicion shumë më të mirë krahasuar me krizën financiare, sipas Nagel, i cili tha se nuk pret një gjendje të vështirë ekonomike për kontinentin vitin e ardhshëm.
Lagarde tha gjithashtu se zyrtarët duhet të jenë të vëmendshëm ndaj efekteve të dëmshme të rritjes së shpejtë të normave të interesit të miratuara nga Rezerva Federale.
“Duhet të jemi të kujdesshëm për njëri-tjetrin dhe duhet të jemi të vëmendshëm ndaj përhapjeve të mundshme të ndikimeve të politikave tona, ashtu siç mendoj se është edhe Fed,” tha ajo në një konferencë në Riga të Letonisë, një ditë pas rritjes së fundit të normave të interesit nga Fed me 0.75 pikë.
“Secili prej nesh, ashtu si BQE-ja, ka mandatin e vet, dhe megjithëse ne duhet të përfshijmë elemente të tilla si vendimet e politikës monetare të Fed dhe elementë të tjerë të një natyre ndërkombëtare që do të na ndihmonin të përcaktonim më mirë politikën tonë monetare, ne nuk jemi njësoj dhe nuk mund të ecim me të njëjtin ritëm dhe të njëjtën diagnozë të ekonomive tona,” shtoi Lagarde. /Financial Post/