Në asnjë mënyrë nuk duhet lënë anash gjatë ngarendjes së imponueshme për t’u përballur me sfidat në shëndetësi dhe në arsim çështjet zhvillimore, në radhë të parë investimet kapitale dhe joshjen shumë më të prekshme të investimeve të huaja, të cilat, përkundër sinjaleve për rritjen e tyre, akoma kanë mbetur të zbehta dhe fare të paefektshme dhe pa lënë shumë gjurmë në arritjen e parashikimeve zhvillimore.
Mehmet GJATA
Shumica e kosovarëve, edhe e profesionistëve edhe e laikëve, thuaja në unison, tani në këtë fillimvit, theksojnë se prioritet ndër prioritetet e këtij pushteti duhet të jetë tejkalimi i problemeve në shëndetësi dhe në arsim. Këto dy fusha, tejkalimi dhe përballja me shumë probleme që kanë kapluar me vite shëndetësinë dhe arsimin, gjithsesi, duhet të jenë preokupime me përparësi i Qeverisë aktuale. Jo vetëm me fjalë, por me vepra.
Por, në asnjë mënyrë nuk duhet lënë anash gjatë ngarendjes së imponueshme për t’u përballur me sfidat në shëndetësi dhe në arsim çështjet zhvillimore, në radhë të parë investimet kapitale dhe joshjen shumë më të prekshme të investimeve të huaja, të cilat, përkundër sinjaleve për rritjen e tyre, akoma kanë mbetur të zbehta dhe fare të paefektshme dhe pa lënë shumë gjurmë në arritjen e parashikimeve zhvillimore. Në këtë kontekst, do të ishte mirë fillimisht të saktësohet nga ministritë përkatëse se çka i duhet urgjentisht Kosovës, çfarë kapaciteti industrial dhe të saktësohen mundësitë financiare vetanake.
Në asnjë mënyrë nuk duhet pritur paratë vetëm nga jashtë, nga institucionet ndërkombëtare financiare, por sivjet autoritetet e Republikës duhet të jenë në mënyrë absolute me kreativë, më inventivë dhe më të vendosur për të investuar në ndërtimin, ose së paku në nisjën e ndërtimit të kapaciteteve imediate për nevojat e Kosovës. Nuk duhet të vlejnë më arsyetimet për dështimet në investime, për mbetjen pa shfrytëzuar të mbi 700 milionë eurove të dedikuar për investime kapitale gjatë 2022-tës. Këto para janë shumë e madhe dhe me to ka pasur mundësi lehtësisht të ndërtohet një e më shumë kapacitetete indistriale që e mungojnë vendit. Ka mundur fare lehtësisht të nis, madje edhe të përmbyllen dy tre projekte të energjisë së ripërtëritshme, në radhë të parë sosh solare, për të cilat ka kaq shumë nevojë Kosova dhe të cilat nuk marrin kohë të stërgjatur për ndërtimin e tyre.
Sivjet, që tani, duhet medoemos Qeveria aktuale dhe ministria kompetente që të ideojnë me urgjencë dhe pastaj t’i bëjnë të gjitha projektet për ndërimin e ndonjë kapaciteti të energjisë së rinovueshme. Pse mos të nis, bie fjala që tani me finalizimin e të gjithë dokumentacionit dhe të projekteve për ndërtimin e një centrali solar, të inicuar dhe të shtruar si ide tashmë më shumë se një vit, në sipërfaqet- të bëra kodra djerrinë me hirin nga djegia me vite e qymyrit në termocentralet e Kosovës për të prodhuar energji elektrike. Ose, pse mos të nis që në fillim të këtij viti rindërtimi i një blloku të termocentraleve Kosova A, siç ka parashikuar kjo Qeveri në vizionet e saja për të pasur më shpejtë më shumë energji elektrike dhe që këto vizione i ka bërë në vitin e shkuar disa herë publike ministrja Artane Rizvanolli.
Ajo, sado që gjithnjë ka qenë decidive se e ardhmja energjetike e Kosovës parashihet të jetë te energjia e rinovueshme, jo një herë ka vijëzuar edhe rindërtmin e tërësishëm të një blloku të termocentraleve Kosova A, si synim për të vazhduar derisa të jetë e mundshme edhe me prodhimin e energjisë në bazë të qymyrit. Fundja, Kosova kaherë ka nevojë imediate për të pasur kapacitete të reja prodhuese të energjisë elektrike. Meqenëse, tash për tash, praktikisht Kosova ka hequr dorë nga ndërtimi i një termocentral i ri, një kapacitet elektroenergjetik në bazë të qymyrit, qoftë vetëm edhe të një blloku të termocentraleve të stërvjetëruara të Kosova A, është bërë sërish thuaja domosdoshmëri, sidomos pas shfaqjes së krizës së ashpër elektroenergjetike në botë, që nuk e kurseu as vendin tone.
Rindërtimi i tërësishëm i një blloku të Kosova A, është më se i nevojshëm, kur dihet fakti se autoritetet vendimmarrëse kanë hequr dorë edhe nga rindërtimi i tërësishëm i termocentraleve Kosova A (tri njësive të saj–A3, A4 dhe A5, siç ishte parashikuar para dy vjetësh, gjegjësisht që kur nisi qeverisjen e vendit Qeveria Kurti 1). Prandaj, komuniteti elektroenergjetik kosovar e mirëpriti vizionin për rindërtimin e tërësishëm të një blloku, sado që për rrethanat kosovare me shumë rezerva të qymyrit dhe në sipërfaqe të tokës, nga shumëkush vlerësohet si një investim potëncial fare modest.
Pra, tani pas krizës globale energjetike dhe pas rikthimit të vëmendjes të shteteve të mëdha kah qymyri, nuk ka pse të hezitojë më Kosova, as të frikësohet nga një ndërmarrje aq e nevojshme për vendin. Më nuk është ndonjë “herezi” e tmerrshme rikthimi te qymyri askund në Europë as në botë. Kriza energjetike, praktikisht, ka kushtëzuar të ndryshojnë qenësisht pikëpamjet anti-qymyr në favor të përdorimit të tij. Në këtë kontekst, Kosova, insitucionet dhe autoritetet e saj duhet domosdo të shqyrtojnë shpejtë, madje urgjentisht mundësinë e rindërtimit të këtij blloku (ndoshta e mira do të ishte rindërtimi i tërësishëm i Kosovës A, tri blloqeve të këtij termocentrali), me bërjen fare të ri të të cilit, natyrisht duke respektuar kriteret dhe standardet e mbrojtjes maksimale të ambientit, do të krijoheshin konditat dhe mundësi që me më pak investime dhe për më pak kohë të kenë kapacitete prodhuese që do të përmbushnin më shpejtë nevojat, qofshin edhe të shtuara, të konsumit të Kosovës.
Ekspertët, sidomos ata me përvojë të madhe në energjetikë, tani, pas dështimeve të njëpasnjëshme të nismave për të ndërtuar një termocentral të ri në Kosovë, dhe të rindërtimit të tërësishëm të “Kosovës A” mendojnë se do të ishte njëfarë zgjidhjeje rindërtimi urgjent i një njësie të termocentraleve të vjetra. Ata nuk ngurrojnë fare të numrojnë një vistër arsyesh për të argumentuar tezat e tyre në favor të këtij rivitalizimi: Bëhet shumë më shpejtë, me shumë më pak para dhe njësoj do të sigurohej mbrojtja e ambientit sikundër me një TC të ri dhe njësoj do të siguroheshin megavat-orët e energjisë elektrike, sa do të prodhonte i riu.
Natyrisht, krahas rindërtimit të njërës njësi të TC Kosova A, vendimmarrësit, siç u tha më lartë, duhet të vazhdojnë të preokupohen njësoj edhe për të shtuar kapacitetet e energjisë së rinovueshme, njësoj siç tashmë i kanë shpërfaqur synimet dhe vizionet edhe në Strategjinë energjetike 2022-2031. Dhe, duhet thënë se po të sheshohet seriozisht mundësia e realizimit të këtyre projekteve aq të nevojshme për funksionimin normal të shtetit tonë, do të bëhej fare e dukshme se Kosova dhe përkundër brishtësisë së saj dhe problemeve evidente të mungesës së parasë, ka pasur parakushtet për t’ia nisur ndërtimit të ndonjërit nga këto projekte. Me fjalë të tjera, ka mundur edhe në rrethanat e krijuara nga post-Covid-i dhe nga kriza globale energjetike të bëjë shumë më shumë për të pasur, ose së paku për të nisur një projekt të ri elektroenergjetik, cilindo qoftë nga ato të sipërpërmendurat.
Qeveria aktuale me një vendosmëri më të madhe dhe me një përkushtim më serioz, gjithsesi, ka pasur të gjitha parakushtet për të nisur ndonjë kapacitet energjetik edhe nga burimet e rinovueshme, siç u proklamua në vazhdimësi në këtë periudhë. Një kapacitet 100 megavatësh, qoftë nga era, qoftë nga energjia solare, Kosova ka pasur të gjitha mundësitë vetjake që së paku ta nisë në këtë vit, e pse jo edhe ta finalizojë ndonjë projekt të energjisë solare, për çka parashihet më pak kohë për ta realizuar, por edhe më pak mjete financiare se sa bie fjala një kapacitet me kapacitet përafërsisht të njëjtë me energji nga era.
Pa shumë kalkulime dhe fare lehtësisht do të realizohej, siç u tha, propozimi nga ana e KEK-ut dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, për ndërtimin e një parku solar 100 megavatësh në një nga ish-deponitë e ‘Kosovës A’. Nga ekspertët e KEK-ut, vlerësohej se nëse jo i gjithë kapaciteti, gjysma e tij do të ishte gati, gjithsesi, brenda një viti. Prandaj, po të kishte më shumë vendosmëri, vizione, projekte dhe nisma konkrete, mundësitë janë këtu. Mundësi ka, pra. Ka edhe hapësira e sipërfaqe toke të lëna djerrë, që fare lehtë do të bëheshin troll i përshtatshëm për energji solare, sikundër që ka goxha vende, madje të identifikuara për energji në bazë të erës. Edhe paratë, nëse do të mungonin, ka shumë rrethana favorizuese për t’i gjetur ato, për të gjetur investitorë potencialë dhe që nuk hamenden edhe aq shumë kur është fjala për kapacitete të energjisë së rinovueshme.
Ndërtimi i një Parku të energjisë solare, që mund të finalizohet për një vit, e shumta dy sish, dhe që mund të sigurojë goxha sasi të energjisë, për furnizimin e Kosovës me rrymë, do të bënte jehonën e mirë në komunitetin energjetik të botës. Askush më nuk mund të mohonte se Kosova po ndërton centrale në bazë të erës dhe të diellit. As nuk mund të kontestojë më vendosmërinë e Kosovës për të përmbushur synimet për të shtuar kapacitetet e prodhimit të energjisë së rinovueshme, mu sipas dokumenteve e marrëveshjeve ndërkombëtare për ta zëvendësuar gradualisht qymyrin deri më 2050 si burim energjetik.
Dihet, Parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës me fuqi 105 megavatësh dhe me 27 turbina, është ndërtuar për dy-tre vjet e shumta, dhe me një kosto diku 180 milionë euro, që do të thotë se për të janë investuar më pak mjete financiare se sa qeveria është duke dedikuar për zgjidhjet momentale të krizave energjetike, ose për blerjen e përkohshme të energjisë së munguar elektrike. Ndërkohë, kapaciteti energjetik në bazë të diellit, i inicuar nga KEK-u që të ndërtohet në tokën djerrë (deponinë e madhe sa një kodër e tërë e krijuar nga hiri i qymyrit të djegur në termocentralet tona) me goxha fuqi (100 megavatë, qoftë edhe energji solare nuk është pak), siç u tha më lartë, do të ndërtohej ndjeshëm me më pak para se kompleksi i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës. Kështu dhe këto janë vetëm një nga mundësitë e shumta për investimet kapitale gjatë 2023-tës, edhe në Kosovën e varfër dhe me shumë brishtësi financiare. Mjetet e parapara për investime kapitale do të ishin në bazë e mirë për të bërë punë të madhe në ndërtimin e një kapaciteti të ri energjetik. Ndoshta, me shfrytëzimin racional të këtyre mjeteve, ato edhe do të mjaftonin për të finalizuar tërësisht ndonjërin nga projektet e sipërpërmendura, për të cilat ka shumë nevojë Kosova.
Ndryshe, nuk do të prajnë krizat energjetike te ne, as kërkesat për para të shumta nga prodhuesi, furnizuesi dhe shpërndarësi i rrymës dhe kushtimisht do të varfërohemi nga dita në ditë edhe energjetikisht. Krejt në fund, po të llogariten të gjitha “injeksionet” financiare të Qeverisë për të zbutur sado pak pasojat e rënda të krizave të deritashme elektroenergjetike që përfshinë vendin tonë, del qartë se me ato mjete do të ndërtoheshin dy –tre kapacitete të energjisë së rinovueshme, do të rindërtohej gjithsesi Kosova A tërësisht, ose do të shkonte në gjysmën e punëve ndërtimi i nje termocentrali fare të ri. Kjo, pra është llogaria./Buletini Ekonomik