Kjo është çmimorja e re e Trafikut Urban

Linjë e trafikut urban të Prishtinës

Një biletë e rregullt autobusi, njëdrejtimëshe, do të ketë çmimin 50 centë, apo 10 centë më shtrenjtë se që ka qenë më parë, ka bërë të ditur Komuna e Prishtinës. Plani i ri tarifor u bë i ditur një ditë më parë ndërsa do të implementohet qysh sot.

Në njoftimin e komunës bëhet e ditur se ky vendim është marrë në kuadër të Marrëveshjes së Kredisë mes Trafiku Urban Prishtinë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), me qëllim të përmirësimit të shërbimit të transportit publik dhe inkurajimit të qytetarëve për përdorimin e autobusëve.

Riorganizimi i planit të tarifimit ka bërë që të ndryshojnë edhe çmimet e tjera, ku për të gjithë përdoruesit e rregullt, çmimi i biletës mujore nga 14.00 euro do të zbresë në 13.50 euro.

Reklama e sponzorizuar

Në anën tjetër, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se për t’iu përshtatur nevojave të të gjithë qytetarëve, kanë përfshirë në planin tarifor biletat javore dhe ditore shumëpërdorimëshe si në vijim:

• Bileta Ditore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit përgjatë 24 orëve, me çmimin 0.80€

• Bileta Javore përfshin udhëtime vajtje-ardhje pa limit në të gjitha ditët e javës, me çmimin 4.00€

Një biletë e rregullt autobusi, e cila mund të përdoret vetëm për një drejtim, do të ketë çmimin 0.50€.

Ndërkaq, kartelat javore dhe mujore mund t’i bleni në pikat e shitjes së Trafikut Urban:

Kioska me logon e Trafiku Urban, prapa Objektit të Komunës së Vjetër (tek “Plepat”),

Kioska me logon e Trafiku Urban, në lagjen Kodra e Diellit, (tek ”Banesat e Bardha”).

Bëhet e ditur se biletat ditore 24-orëshe dhe ato me një drejtim, qytetarët mund t’i blejnë si zakonisht në autobus, duke u pajisur me kupon fiskal.

Qytetarët të cilët udhëtojnë me “Trafikun Urban”, janë shprehur të mllefosur pas vendimit për shtrenjtim të çmimeve të transportit publik. Disa të intervistuar nga Ekonomia Online, thanë se rritja e çmimeve duhet bërë në koordinim me situatën aktuale ekonomike, raporton Ekonomia Online.

Nga 0.40 cent sa ka qenë bileta në “Trafikun Urban”, ajo është shtrenjtuar në 0.50 cent. Disa prej udhëtarëve, kanë kërkuar nga kompania që të mos ketë pritje të gjata për udhëtarë, e disa prej tyre rikthim të çmimeve të vjetra.

E pakënaqur është Erëza Ajvazi e cila thotë se ka njerëz që nuk kanë për të paguar biletën dhe sipas saj duhet të hiqen.

“Jo nuk po më duket e arsyeshme edhe pse mua nuk më bien shumë shpesh me udhëtua me autobus apo automjete që duhet me pagua biletë, por ka njerëz që punojnë dhe udhëtojnë dhe nuk po më duket e arsyeshme pse janë rrit edhe biletat. Është e kuptueshme që është rrit edhe nafta, mirëpo ka njerëz që s’kanë dhe për mendim timin nuk po më duket e arsyeshme pse janë rrit biletat… Bile unë e kisha bë edhe më lirë ose me i heq të gjitha”, thotë ajo.

Ndërsa Agim Bimbashi tha se për qytetarët që e përdorin transportin publik, do të jetë e rëndë. Krahas kësaj, Bimbashi ka kërkuar që të mos ketë pritje të gjata për udhëtarët.

“Krizë normal që është krizë edhe ta i dinë disa arsyeje pse me i rrit e pse mos me i rrit. Problemi i tyre është shërbimi, me qenë korrekt, çmimi është i ngritur. E kanë ngrit me një arsyeje, ndoshta kanë arsye po ndoshta edhe nuk kanë absolut, sepse problemi tek udhëtarët është me pas shërbim siç duhet, me pas kohën. Vjen autobusi në këtë kohë e jo me prit 30-40 minuta për një lokacion, qaty është problemi. Për çmim e kanë paralajmëruar më herët kështu që ka me u ngrit, por ai që ka shpesh me lëviz është peshë e rëndë, dikush ndoshta 1 muaj 3 bileta i paguan nuk është shumë peshë e rëndë ajo por mendimi im është s’ka pas nevojë me u rrit hiç. 40 cent ka udhëtar të mjaftueshëm. I mbulon të gjitha shpenzimet, fitimi normal që llogaritet. Ama këta tashmë po veprojnë çka po munden si po ju teket, jo paralajmërim por është në pyetje që disa koordinime me situatën duhet me i bërë”, tha ai.

Kundër shtrenjtimit të biletave, është shprehur edhe Fadil Llumnica. Ai ka kërkuar që çmimet të mbesin siç kanë qenë.

“Jo, kjo nuk është normale hiç se është dashtë edhe pak kushtet e vështira me mundur edhe pak me i lanë ashtu siç kanë qenë. Për të gjitha s’munden me qenë por me e lënë me këtë çmim që ka qenë, ma merr mendja që ky çmim është normal është. Por me u rrit është pak më problem”, u shpreh ai.