Nis zbatimi i vendimit për marzhën e fitimit, bien çmimet e derivateve në Kosovë

Naftëtarët në vend po e respektojnë vendimin e fundit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për marzhën e fitimit, përkundër që Shoqata e naftëtarëve ka shprehur pakënaqësi me këtë vendim.

Mirëpo, kryetari i kësaj shoqate, Fadil Berjani bën të ditur se janë zbutur qëndrimet e naftëtarëve të cilët në mbledhjen e fundit ishin të tensionuar dhe kishin kërkuar protesta e mbyllje të pikave të karburanteve.

Megjithatë, Berjani paralajmëron se këtë vendim do ta dërgojnë në Gjykatën përkatëse për shqyrtim, pasi që sipas tij është i kundërligjshëm.

Reklama e sponzorizuar

I pyetur për abuzimet me çmime nga kompanitë, Berjani tha se nuk ka informacione por shtoi se me këtë duhet te merret inspektorati dhe organet kompetente.

“Vendimi është duke u respektuar dhe është i plotfuqishëm. Por, në mbledhjen e kuvendit të shoqatës tonë situata ka qenë e tensionuar, ku anëtarët kanë kërkuar të protestohet dhe mbylljen e pikave të shitjes së karburanteve. Mirëpo, kemi dalë nga ajo situatë dhe kemi vendosur që me iu drejtuar gjykatës për vendim e ministrisë”.

“Ne iu kemi drejtuar me një letër kërkesë ministres, sot presim me na e kthyer përgjigjen. Megjithatë, si ta kemi përgjigjen nga ajo (ministrja Rozeta Hajdari), ne do t’i drejtohemi gjykatës sepse vendimi i cili është nxjerrë është në kundërshtim me ligjin”, thekson ai.

Me qëllim mbrojtjen e konsumatorit, mbrojtjen e konkurrencës dhe për të mënjanuar çrregullimet në treg, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ditë më parë ka marrë vendim për caktimin e çmimit dhe masave tjera mbrojtëse të produkteve të naftës.

Sipas këtij vendimi, marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me shumicë është 2 euro për litër kurse marzha tregtare maksimale e lejuar e shitjes me pakicë është 12 euro për litër.

Berjani ka treguar se sot çmimet e derivateve janë: 1.37 euro për naftë dhe 1.34 euro për benzinë./KP/