Miratimi i koeficientit të pagave pritet ta ndryshojë mënyrën se si do të paguhen kryetarët e 38 komunave të Kosovës. Kjo pasi Ligji i ri për paga në sektorin publik parasheh që kryetarët e komunave të paguhen në bazë të numrit të banorëve që ka komuna që ata udhëheqin.
Vlera e koeficientit prej 105 euro do të caktojë pagat e kryetarëve të komunave të Kosovës të ndara në 7 kategori. Koeficienti 15 i takon kryetarit të kryeqytetit, që ka më së shumti banorë ndërsa koeficienti 11.8 për kryetarët e komunave që kanë më së paku banorë.
Kryetari i Prishtinës me pagën më të lartë
Kryetari i kryeqytetit të Kosovës, do të jetë kryetari më pagën me të lartë në krahasim me kryetarët e të gjitha komunave të tjera.
Koeficienti i pagës për të parin e Prishtinës është 15. Bazuar në vlerën prej 105 euro të koeficientit, paga e kryetarit të Prishtinës pritet të jetë 1,575 euro.
Pagat e kryetarëve të komunave me mbi 100 mijë banorë
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 dhe vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, vetëm Prizreni dhe Ferizaj janë komuna me mbi 100 mijë banorë në Kosovë.
Rrjedhimisht, vetëm kryetarët e këtyre dy komunave do të kenë pagën bazuar në koeficientin 13, apo pagën e dytë më të madhe nga kryetarët e komunave pas kryetarit të kryeqytetit.
Bazuar në vlerën e koeficientit prej 105 euro, paga e kryetarit të Prizrenit dhe Ferizajt për vitin 2023 pritet të jetë 1,365 euro.
Pagat e kryetarëve të komunave me 70 deri në 100 mijë banorë
Bazuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 dhe të vlerësimit të popullsisë që është bërë në vitin 2021, Gjilani, Gjakova, Mitrovica, Peja dhe Podujeva, i kanë 70 deri në 100 mijë banorë.
Për kryetarët e këtyre pesë komunave të Kosovës është rezervuar koeficienti 12.8.
Të parët e Gjilanit, Gjakovës, Mitrovicës, Pejës dhe Podujevës do të paguhen me 1,344 euro në muaj në vitin 2023.
Pagat e kryetarëve të komunave me 50 deri në 70 mijë banorë
Në kategorinë e kryetarëve të komunave nga 50 deri në 70 mijë banorë, hyjnë kryetarët e komunave, Drenas, Lipjan, Rahovec, Skenderaj, Suharekë, Vushtrri dhe Malishevë.
Kjo bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë, të vitit 2011 por edhe te vlerësimi i popullsisë në vitin 2021 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Të parët e këtyre shtatë komunave të Kosovës sipas Ligjit të pagave në sektorin publik do ta kenë koeficientin 12.6.
Bazuar në vlerën e përcaktuar të koeficientit, kryetarët e këtyre komunave do ta kenë pagën 1,323 euro.
Pagat e kryetarëve të komunave me 30 deri në 50 mijë banorë
Në radhën e komunave që kanë nga 30 deri në 50 mijë banorë, bazuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011 dhe vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, janë ajo e Deçanit, Dragashit, Istogut, Kaçanikut, Klinës, Fushë Kosovës, Kamenicës dhe Vitisë.
Sipas Ligjit të pagave në sektorin publik, të parët e këtyre 8 komunave do të kenë koeficientin 12.4.
Duke llogaritur pagën në bazë të vlerës së koeficientit, paga e këtyre kryetarëve do të jetë 1,302 euro.
Pagat e kryetarëve të komunave me 20 deri në 30 mijë banorë
Kryetarët e komunave me 20 deri në 30 mijë banorë sipas Ligjit të pagave në sektorin publik do të kenë koeficientin 12.2. Bazuar në vlerën e koeficientit prej 105 euro, paga e kryetarëve të këtyre komunave do të jetë 1,281 euro.
Nga 20 deri në 30 mijë banorë, bazuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011, i kanë kryetarët e komunave, Obiliq dhe Shtime.
Ndërsa sipas vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, Komuna e Obiliqit i ka nën 20 mijë banorë dhe mund të ketë koeficientin 12 dhe të pagueht me 1,260 euro.
Pritet të shihet kategorizimi i kryetarit të Obiliqit.
Pagat e kryetarëve të komunave me 10 deri në 20 mijë banorë
Sipas Ligjit për paga në sektorin publik, që ka hyrë në fuqi nga 5 shkurti, kryetarët e komunave të Kosovës që kanë nga 10 mijë deri në 20 mijë banorë do të kenë pagë të përllogaritur sipas koeficientit 12.
Në këtë grup sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 bën pjesë Komuna e Graçanicë. Kryetari i Graçanicës do të marrë 1,260 euro.
Ndërsa Komuna e Shtimes, sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011 i ka 9,403 banorë, pra hyn te komunat me më pak se 10 mijë banorë. Ndërsa sipas vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, kjo komunë ka 10,111 banorë dhe kategorizohet te komunat me 10 deri në 20 mijë banorë.
Paga e kryetarit të Komunës së Shtimes do të jetë 1,239 euro nëse numri i banorëve do të llogaritet bazuar në regjistrimin e popullsisë të vitit 2011. Por nëse ajo llogaritet në bazë të vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, atëherë paga e kryetarit të Shtimes do të jetë 1,260.
Pagat e kryetarëve të komunave me më pak se 10 mijë banorë
Në kategorinë e fundit të komunave, të caktuar sipas Ligjit për paga për zyrtarët publik, hyjnë kryetarët e komunave që kanë nën 10 mijë banorë.
Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, të vitit 2011 por edhe sipas vlerësimit të popullsisë të vitit 2021, komunat e kësaj kategorie janë Ranillugu, Parteshi, Kllokoti, Juniku, Mamusha, Shtërpca dhe Novobërda.
Kryetarët e komunave me këtë numër të popullsisë kanë koeficient 11.8 dhe pritet të marrin 1,239 euro.
Nga regjistrimi i popullsisë i vitit 2011, Agjencia e Statistikave të Kosovës nuk ka të dhëna për katër komunat veriore, Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut.
Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik ndërsa i njëjti pas plotësimit dhe ndryshimit me vlerën e koeficientit ka hyrë në fuqi më 5 shkurt.
Për llogaritjen e pagave të kryetarëve të komunave të Kosovës, KALLXO.com është bazuar në të dhënat e ASK-së nga regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë që është bërë në vitin 2011 dhe në vlerësimin e popullsisë të bërë në vitin 2021.
Regjistrimi i popullsisë në Kosovë pritet të fillojë më 1 shtator të vitit 2023 dhe do të zgjas deri më 16 tetor 2023.
Në korrik të këtij viti, me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.
Me këtë ligj do të rregullohet mënyra e organizimit të procesit të regjistrimit të popullsisë, përcaktohen kompetencat dhe përgjegjësitë e organeve që e organizojnë, ndihmojnë dhe zbatojnë regjistrimin, dokumentimin, përpunimin, ruajtjen, publikimin e të dhënave dhe masat administrative.