Numri i mësuesve nga komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas në shkollat e Kosovës vazhdon të jetë minimal, me komunitetet që ankohen se mospunësimi i tyre në këtë sektor tregon edhe diskriminimin racor.
Ngadhnjim Avdyli
Shemsi Kodrollit qysh në adoleshencën e hershme i erdhi dëshira për t’u bërë mësues. Ngashënjimin ia shtoi puna në qendrën sociale në fshatin e tij, në Dubravë të Ferizajt, ku si vullnetar ndihmonte fëmijët e tjerë në mësimet plotësuese. Eksperienca njëvjeçare, të riun e mbushi me vetëbesim se një ditë mund t’i dalë zot punës si mësues. Bile, qysh në atë moshë nisi mësime plotësuese e kurse drejt këtij qëllimi. Ama të afërmit shihnin male me barriera përpara tij. Pos dyshimeve, rrethi shqetësohej se ai një ditë do të dëshpërohej, por edhe se rrezikonte të mbetej i papunë.
“Tezaku e kreu fakultetin edhe s’ka lanë shkollë a konkurs në Lipjan pa provu, por nuk është pranu askund”, kujton Kodrolli përvojën e familjarit të tij, përvojë kjo që po e dekurajonte edhe më tej rrethin e tij për të kërkuar punë në sektorin e arsimit.
Të afërmit e Kodrollit ishin të bindur se konkurset për mësimdhënës janë të kurdisura, e shpalljet bëhen sa për ‘sy e faqe’ dhe paraprakisht veçse dihet kush do punësohet.
Dyshimet e tyre nuk qëndrojnë krejtësisht në ajër. Ndër vite janë raportuar akuza karshi komunarëve kosovarë se punësimet nëpër shkolla janë punësime partiake. Këto përceptime ua rriste edhe Kadri Limani, tezaku i tyre. Ai prej kur u diplomua në vitin 2017, asnjëherë nuk arriti të punësohet si mësimdhënës.
“Në dy-tri shkolla kam aplikuar [në disa konkurse], as s’e kanë marr mundimin me më thirrë në test, apo me lajmëru diçka”, rrëfen Limani për Buletini Ekonomik.
Akuzat e të riut nga Gadimja e Lipjanit shkojnë përtej punësimeve partiake. Ato përmbajnë edhe ngjyrimet e diskriminimit racor.
“Pos po gatuhen pozita, dikujt edhe po i pengon ngjyra jonë, e po bullizohemi [diskriminohemi] kur vjen tek punësimi”, është sentimenti që ai e ndan.
Limani e Kodrolli vijnë nga komuniteti ashkali dhe numërojnë një mori vështirësish që pjesëtarët e këtij komuniteti hasin në përpjekjet e tyre për t’u punësuar.
Për Limanin më nuk qëndron ai rrëfimi i shpeshtë se ‘mungojnë kuadrot nga komunitetet romë, ashkalinj e egjiptas, prandaj nuk punësohen nëpër ato vende pune’.
Numri i studentëve universitarë nga të tri komunitetet gjithashtu është rritur në vazhdimësi. Sipas të dhënave të Roma Versitas, një organizatë jo-qeveritare, 42 studentë nga të tri komunitetet u regjistruan në institucionet e arsimit të lartë në vitin akademik 2018/2019, ndërsa kjo shifër u rrit në 53 në vitin akademik 2019/2020.
Buletini Ekonomik ka kërkuar shifrat e përditësuara për numrin e të diplomuarve nga komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas në Fakultetin e Edukimit në pesë vitet e fundit, por as MASHTI e as Fakulteti i Edukimit nuk kanë ofruar këto të dhëna para se të publikohej ky hulumtim.
Por, për Limanin edhe po të arsimohesh nuk përbën ndonjë ndryshim të madh. Nisur nga eksperienca e të afërmve, ai përmend se “dy djemtë e axhës e tre-katër shokë nga Lipjani kanë përfunduar fakultetin, por vazhdojnë të punojnë punë të krahut e jo punë për të cilat janë të kualifikuar”.
Diskriminimin në baza racore kur vjen fjala tek punësimet, e thekson edhe Kodrolli.
“Ne jemi rritë në familje të varfëra, por edhe jemi përballur vazhdimisht me racizëm, qoftë edhe të fshehur, edhe pse kohëve të fundit shihet një emancipim”, thotë Shemsi Kodrolli.
Në fshatin Dubravë të Ferizajt, fshat me mbi 300 shtëpi dhe kryesisht i banuar me ashkalinj, ai dhe familja e tij kujtojnë se “vetëm mësuesi Bajram, i vetmi prej komunitetit tonë ka punu si mësues”.
Kodrolli shton se edhe kjo e ndikonte familjen e tij ta shihte si të pamundur faktin që djali i tyre një ditë të bëhej mësues, pasi këto pozita të punës vazhdimisht nuk janë parë të denja për komunitetin e tij nga shumica.
“A keni parë ndonjë ashkali, rom apo egjiptas të punojë në ndonjë furrë të bukës? S’keni pa, është ai paragjykimi me pastërtinë e komunitetit të tërë. Edhe po të ketë ndonjë pronar që do punësonte s’do i shkonte asnjë myshteri”, thotë i bindur e me mllef Kodrolli.
Kadri Limani thotë se përkundër që besonte se iu është bërë padrejtësi nëpër disa konkurse, ai asnjëherë nuk është ankuar zyrtarisht. Arsyeja e tij është se asnjëherë s’e ka pasë besimin se mund të zgjidhte diçka përmes ankesave, pasi tashmë është i bindur se konkurset “po gatuhen”.
Ai thekson se ka raste edhe në konkurse të tjera publike, jo vetëm në shkolla, që edhe pozitat e parapara për komunitete janë zaptuar nga pjesëtarë të komunitetit shumicë.
“Për besë jam lodh tash. Tash punoj në një depo ani pse nuk është puna për të cilën jam shkolluar, por jam në dilemë nëse do konkuroj apet [në konkurse publike]”, thotë ai.
Ministria e Arsimit: “Nuk ka ankesa”
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) thekson se nuk kanë pranuar ankesa sa i përket pranimit të pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas si mësimdhënës në nivel vendi.
“Ministria e Arsimit deri më tani nuk ka pranuar ndonjë ankesë nga këto komunitete për diskriminimin e tyre në punësime për pozitë të mësimdhënësit”, thuhet në përgjigjjen e ministrisë.
Këshilltarja për media në MAShTI, Edona Kutleshi-Maliqaj, shton se punësimi i mësimdhënësve bëhet në bazë të nevojave të shkollave të cilat paraqesin kërkesat nëpër Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA). Pastaj hapen konkurset prej DKA-ve për secilën shkollë dhe kriteret e konkurseve vendosen prej drejtorive përkatëse.
Megjithatë, Ministria e Arsimit ka mbledhur të dhëna për numrin e mësuesve të punësuar nga komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas në komunat e Kosovës dhe numrat tregojnë një realitet të hidhur.
“Sipas informatave të raportuara në SMIA për vitin shkollor 2021/2022, numri i mësimdhënësve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptias është gjithsej 23 mësimdhënës në 13 komuna”, thuhet në përgjigjen e MAShTI-it.
Vetëm në komunën e Gjakovës, Gjilanit, Klinës, Kamenicës, Rahovecit, Pejës, Podujevës, Prizrenit, Suharekës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë e Ferizajt, ka të punësuar pjesëtarë të komuniteteve romë, ashkalinj e egjiptas, nga ku 10 janë romë, 8 ashkalinj dhe 5 egjiptas.
Sipas të dhënave zyrtare nga regjistrimi i fundit më 2011, në Kosovë rreth 2 përqind e popullatës janë nga komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas dhe me mijëra nxënës nga këto komunitete vijojnë mësimet në shkollat gjithandej Kosovës.
Në sektorin e arsimit numri i të punësuarëve është minimal.
I vetmi mësues ashkali në një qytet mbi 100 mijë banorësh
Shemsi Kodrolli është mësuesi i vetëm në Ferizaj nga komuniteti ashkali, anipse mijëra banorë nga ky komunitet jetojnë në këtë qytet e fshatrat përreth. Sipas një raporti të OSBE-së, mbi 3,600 banorë nga ky komunitet janë të regjistruar si banorë të Ferizajt.
Në vitin 2021 ai u pranua si mësimdhënës i klasave I deri në IV në shkollën fillore “Naim Frashëri”, në fshatin Zaskok. Shkolla është ngjitur me fshatin e tij dhe me të parë konkursin aplikoi një vit pasi përfundoi studimet në Fakultetin e Edukimit.
“Me konkurs të rregullt jam pranu, ku kanditatë kanë qenë 20 persona dhe unë kam dalë i pari”, kujton Kodrolli.
Ai edhe sot kujton ditën e 21 shtatorit 2021, që ishte dita e parë e tij si mësues. Gjithë rrethi i tij, por edhe nxënësit e komunitetit ashkali që ndjeknin mësimet në shkollën “Naim Frashëri”, ishin çuditur. Edhe vet Kodrolli ishte çuditur kur kuptoi se dekada më herët, pos mësuesit Bajram, aty ka qenë edhe një mësues i muzikës që vinte nga komuniteti ashkali.
Mësuesi i ri tregon se mbi 40 për qind të nxënësve në këtë shkollë janë nga komuniteti ashkali, kryesisht nga fshati Dubravë. Kodrollit edhe më tërheqëse ia ka bërë punën klasa ku ai është mësues, pasi ajo është multietnike.
“Gjatë aktivitetit tim brenda inciativës “Kundër Braktisjes së Mësimit” e kam parë sa e rëndësishme është që të mos ketë segregim të klasave, dhe sa i rëndësishëm është si shembull për gjithë fëmijët mos ndarja e klasave në [bazë të] etnisë”, thotë Kodrolli.
Mbi të gjitha, Kodrolli punësimin e tij nuk e sheh vetëm si sukses personal, por insiston se punësimi i tij “s’duhet të shihet si tregues se çdo send është në rregull”. Ai thotë se diskriminimi fillon me varfërinë e komunitetit dhe pastaj përkthehet në forma tjera.
“Unë kam qenë pjesë e organizatave jo qeveritare që nga shkolla e mesme, ku kam marrë disa trajnime. [Pastaj] po të mos ishte bursa [nga një fondacion privat] që e kam marrë gjatë studimeve, padiskutim se s’do mund të filloja studimet”, thotë ai, duke shtuar se pos kësaj, gjatë viteve të studimeve, edhe organizata tjera i kanë ndihmuar me kurse e tranime të ndryshme.
Nevoja për kuotat e punësimit në arsim
Kodrolli, anipse vet gjatë konkursit s’ka përfituar nga asnjë lehtësim, insiston se kuotat për punësimin e pjesëtarëve të komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas duhet të ekzistojnë. Rrethanat në të cilat jetojnë këto komunitete, sipas tij, ua pamundësojnë këtyre pjesëtarëve të jenë të barabartë nëpër konkurse.
Në kuota për pranimin e mësimdhënësve prej komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptas, pajtohet edhe Valmira Morina nga organizata Teach for Kosova. Ajo thekson se kjo shtysë ka rezultuar me ndikim pozitiv në disa aspekte.
‘‘Ne jemi që të ketë vende të rezervuara kur bëhet fjalë për komunitetet e margjinalizuara. Nga përvojat tona në terren, kemi kuptuar se kuotat pos që kanë shërbyer për punësim, kanë bërë që të kemi edhe integrim më të madh të këtyre komuniteteve’’, thotë ajo.
Morina tregon se momentalisht në Kosovë me ligj nuk përcaktohet që të ketë kuota për komuntetet romë, ashkalinj dhe egjiptas kur vjen puna tek punësimi si mësimdhënës, mirëpo ka shembuj të mirë kur komunat me iniciativa vetanake kanë krijuar mundësi të tilla. Ajo përmend si shembull të mirë Komunën e Prizrenit – komunë kjo që edhe në shpërndarjen e bursave për studime, praktikon metoda të ngjajshme.
Nga të dhënat e Ministrisë së Arsimit del se Komuna e Prizrenit ka numrin më të madh të mësimdhënësve që vijnë nga komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas.
Për Morinën, praktika të tilla krijojnë shembuj të mirë të integrimit, por edhe shërbejnë në luftën kundër braktisjes së shkollimit – ku komunitetet romë, ashkalinj dhe egjiptas vazhdojnë të jenë ndër komunitetet më të prekura.
Morina thekson se përveç shembujve, kjo duhet të përcillet edhe me politika tjera, si rritja e numrit të bursave, pastaj punësimet me punë praktike, angazhimit si tutorë nëpër shkolla etj.
E rëndësinë e dhënies së shembujve të mirë e përmend edhe Kodrolli. Ai thekson se tashmë edhe prindërit, por edhe nxënësit e tij, i kanë thënë se punësimi i tij si mësues ka qenë shumë i rëndësishëm për komunitetin ku ai jeton. Mirëpo, krejt disponim tjetër është në familjen e Kadri Limanit.
‘‘Vëllai e ka ndal fakultetin në vitin e parë. Pos kushteve të vështira financiare [që e kanë ndikuar], po më thotë: çka [bane] ti që e kryve fakultetin?’’, thotë Limani.
(Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diskriminim e mospërfshirje: Shkeljet ndaj punëtorëve në sektorë të ndryshëm në Kosovë”. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Buletinit Ekonomik dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ATRC-së ose BIRN KOSOVË.)