Çmimi i aksioneve globale rritet pas marrëveshjes së tavanit të borxhit të SHBA

Washington DC Capitol dome detail with waving american flag

Aksionet globale dhe çmimet e naftës u rritën, teksa investitorët mirëpritën lajmet për një marrëveshje, që mund të shmangte një falimentim katastrofik të pagesës së borxhit të SHBA.

DAX i Gjermanisë (DAX) u rrit me 0.3%, CAC 40 e Francës (CAC40) me 0.2%. Në Azi, Nikkei 225 i Japonisë (N225) u mbyll në nivelin më të lartë të 33 viteve, i nxitur nga optimizmi mbi marrëveshjen e tavanit të borxhit dhe Jenit më të dobët. Indeksi është rritur me gati 20% këtë vit.

Tregjet e SHBA dhe Britanisë së Madhe, janë të mbyllura të hënën për pushime. Por, kontratat e së ardhmes Dow dhe S&P 500, u rritën rreth 0.3%, ndërsa të Nasdaq me 0.5%. Tregjet amerikane shënuan rritje të premten, pas raportimeve se presidenti Joe Biden dhe kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy, ishin afër një marrëveshjeje për të lejuar qeverinë amerikane të vazhdojë të paguajë ‘faturat’.

Reklama e sponzorizuar

Ata arritën një marrëveshje në parim të shtunën, për të rritur tavanin e borxhit për dy vjet dhe për të kufizuar shpenzimet. Marrëveshja i shtyn Shtetet e Bashkuara një hap prapa, nga pragu i një falimentimi historik, i cili, nëse do të ndodhte, do të përmbyste tregjet e aksioneve dhe obligacioneve. Gjithashtu, do të shkaktonte dëme të rënda për ekonominë e SHBA-së dhe atë botërore.

Kontratat e së ardhmes të naftës së papërpunuar Brent, pikë referimi globale e naftës, u rritën 0.6% në 77.39 dollarë për fuçi. Nafta e papërpunuar WTI, standardi amerikan, fitoi 0.7%, duke u tregtuar me 73.15 dollarë për fuçi.

Lira e Turqisë, ndërkohë, u ul në 20.07 krahasuar me dollarin amerikan, një rekord i ri i ulët. Presidenti turk Tajip Erdogan siguroi fitoren në zgjedhjet presidenciale, duke e shtrirë sundimin e tij në dekadën e tretë. Erdogan tha se ai do të vazhdojë me politikën e tij të pazakontë të uljes së normave të interesit, për të ulur inflacionin.

Në Azi-Paqësor, S&P/ASX 200 i Australisë u mbyll 0.9% më i lartë. Shanghai Composite i Kinës, u rrit me 0.3%. Indeksi Hang Seng (HSI) i Hong Kongut u hap më lart, por më pas përmbysi fitimet për t’u mbyllur 1% më i ulët, i tërhequr nga rënia e aksioneve të kompanive teknologjike dhe pasurive të paluajtshme. Tregjet e Koresë së Jugut u mbyllën për një festë publike.

Ndërkohë që, marrëveshja e borxhit të SHBA-së u ka dhënë tregjeve shkak për optimizëm, ka ende shumë punë për të kryer.

Tani të dy udhëheqësit, duhet t’ua shesin marrëveshjen aleatëve të tyre në Kongres, ku republikanët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve dhe Demokratët kontrollojnë Senatin. Marrëveshja duhet të miratohet përpara 5 qershorit, datë vendimtare kur Sekretarja e Thesarit Janet Yellen thotë se, SHBA nuk do të jetë më në gjendje të paguajë faturat e saj.

Yellen dha një afat kohor të përditësuar të premten, pasi më parë kishte vendosur afat më të hershëm, më 1 qershori.

Marrëveshja duket se shënon “një përparim të rëndësishëm në situatën e tavanit të borxhit të SHBA”, tha analisti Jun Rong Yeap.

Kina dhe Japonia janë mbajtësit më të mëdhenj të huaj të borxhit amerikan, duke zotëruar së bashku 2 trilion dollarë në thesaret e SHBA. Një dështim i mundshëm i borxhit të SHBA, do të ishte shkatërrues edhe për ekonomitë e tyre. /CNN/