Efiçienca e energjisë është top prioritet i Qeverisë së Kosovës, e ku parashihet të bëhen investime në këtë sektor, përfshirë këtu fondin 75 milionësh nga BE, përmes të cilit do të bëhen investime në efiçiencë të shtëpive, si dhe subvencionim të pajisjeve efiçiente për familje dhe biznese të vogla e të mesme.
Kështu ka deklaruar ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli në Forumin Ekonomik të Vjenës, që u mbajt në Prishtinë.
Duke folur në sesionin për investimet e qëndrueshme në kohë krizash dhe mjedis të fragmentuar, ministrja Rizvanolli theksoi se agresioni në Ukrainë e ka riforcuar faktin që siguria energjetike është çështje e sigurisë kombëtare dhe në këtë aspekt ajo tha se pavarësia energjetike është më e rëndësishme se çdoherë tjetër.
Ajo tha se burimet e ripërtritshme të energjisë, janë burime që e sigurojnë pavarësinë energjetike, po ashtu dhe mbrojnë ambientin, duke pasur parasysh ndryshimet klimatike të cilat po ndodhin.
Duke shpalosur punën e Qeverisë, ndër të tjera Rizvanolli theksoi punën që është duke u bërë aktualisht në: – Ndërtimin e parkut solar 100 MW në KEK, i cili mundëson që KEK-u dhe punëtorët e KEK-ut të jenë pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik të vendit, duke rritur kështu edhe kapacitetet prodhuese; – Projektin e impiantit të ngrohjes me energji solare, me kapacitet prej 50 MW që do t’u shërbejë rreth 60.0000 qytetarëve në Prishtinë, që është një nga projektet më të mëdha në Evropë si dhe – Investimin më të madh në Historinë e Republikës së Kosovës në energji, që është Programi Kompakt me MCC-në për ndërtimin e kapaciteteve akumuluese, ndër më të mëdhatë në Evropë për kokë banori.