Mbahet sekret CV-ja e aktivistit të Vetëvendosjes që mori pozitë të lartë në ministrinë e Rizvanollit

Ministria e Ekonomisë, që drejtohet nga Artane Rizvanolli, nuk ka pranuar ta bëjë publike CV-në e Valon Prebrezës, aktivistit të Vetëvendosjes, i cili është emëruar së fundi udhëheqës i Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP).

Buletini Ekonomik ka kërkuar qasje në CV-në e Prebrezës por as pas më shumë se një jave, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje. CV-ja e Prebrezës është e paqasshme edhe në uebsajtin e kësaj ministrie, por edhe në internet.

Buletini Ekonomik ditë më parë ka shkruar për këtë punësim dhe afërsinë e Prebrezës me Lëvizjen Vetëvendosje. Prebreza është parë i afërt me Vetëvendosjen qysh para ardhjes në pushtet të kësaj partie në vitin 2021.

Reklama e sponzorizuar

Për këtë punësim politik ka reaguar Drejtori ekzekutiv në Institutin GAP, Blendi Hasaj.

Përveq punësim politik, Hasaj ka thënë se bëhet fjalë për një person që nuk ka as CV publike, e as nuk njihet për ndonjë përvojë si ekspert i kësaj fushe.

“Ndonëse në programin elektoral të vitit 2021 VV e trajtojnte drejtë problemin tek ndërmarrjet publike: “Qeveria jonë do të kujdeset që menjëherë të vazhdojmë me procesin e departizimit dhe normalizimit të punës në ndërmarrjet publike aq të goditura si nga pandemia ashtu edhe nga keqmenaxhimi, partizimi e zhvatja e dy dekadave të fundit.” Tani, në 2023, në mundësinë e parë për të emëruar ndonjë profesionist/e në pozitën më kyçe në raport me ndërmarrjet publike, atë të udhëheqësit/es së Njësisë për ndërmarrjet publike (NjPMNP-së), qeveria dhe ministrja Rizvanolli zgjedhin ta emërojnë aty një aktivist/anëtar të VV-së. Një person që nuk ka as CV publike, e lërë më të njihet në publik si ekspert i kësaj fushe!”, ka shkruar Hasaj në rrjetin e tij social, facebook.

Ndryshe në vendimin e Ministres Rizvanolli të datës 22.05.2023, thuhet se Prebreza kompetencat dhe përgjegjësitë e tij i ushtron në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe se këtë pozitë do të mbajë deri në një vendim tjetër.

“Njësia për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ka për mision monitorimin dhe raportimin e performancës së ndërmarrjeve publike qendrore me qëllim të qeverisjes së mirë koorporative të Ndërmarrjeve Publike:, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Sipas fotografive të publikuara në profilin e tij, afërsi shihet të ketë me figura të larta të Vetëvendosjes, si deputeten Fitore Pacolli dhe zëvendësministrin Avni Zogiani. Në shoqërinë e tyre Prebreza shihet edhe në ndeja private e në ditëlindje.

Në disa fotografi, ai shihet edhe brenda zyrave të Vetëvendosjes.

Nga Ministria e Ekonomisë nuk kishte pasur asnjë njoftim zyrtar deri vonë lidhur me këtë punësim, dhe as në media nuk ishte dërguar ndonjë komunikatë nga ministria në krye me Artane Rizvanollin.

Mirëpo, kjo ishte bërë e ditur në një postim të bërë në faqen zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë në Facebook, ku ishte njoftuar për investime në disa ndërmarrje publike në vlerë prej më shumë se 1 milionë euro, në hekurudha dhe në ujësjellës.

“Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku dhe drejtori i ri i Njësisë për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, Valon Prebreza kanë lidhur një varg marrëveshjesh për financimin e projekteve kapitale të hekurudhave dhe ujësjellësit”, thuhej në këtë njoftim.