ZKA-ja konfirmon edhe njëherë se 149 persona të Mbrojtjes Civile kanë marrë paga nga buxheti i shtetit pa qenë në marrëdhënie pune

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka thënë se janë identifikuar 149 persona të Mbrojtjes Civile, të cilët kanë marrë paga përkundër që nuk janë në marrëdhënie pune.

Këtë e konfirmuar auditorja e përgjithshme Vlora Spanca në një intervistë për Telegrafin, duke shtuar vlera e pagesës është mbi 700 euro në vit.

“Kemi potencuar një çështje e cila e përcjell Qeverinë e Kosovës, është ajo e pagesave për punonjësit që nuk e vijojnë punën. Kjo është si rezultat i Marrëveshjes së Brukselit dhe një vendim i Qeverisë që është nënshkruar në vitin 2015 për integrimin e ish-Mbrojtjes Civile në institucionet publike. Numri i tyre është 149 dhe vlera është diku mbi 700 mijë euro në vit”, ka konfirmuar Spanca.

Reklama e sponzorizuar

Sipas saj, tashmë këto pagesa janë ndalur.

“Mund të them se këtu ka përmirësime në këtë aspekt, ku Ministria e Arsimit dhe ajo e Ekonomisë e kanë zgjedhur këtë problem, duke iu ofruar kushte dhe punonjësit ka filluar të punojnë, përderisa Ministria e Kulturës me marrjen e raportit, në qershor apo në korrik të vitit të kaluar, ka ndalur pagesat”, ka shtuar ajo.

Dy javë më parë, Qeveria e Kosovës kishte marr vendim që t’i shpallë terroriste organizatat serbe Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut, të cilat operojnë në pjesën veriore të vendit.

Këto dy organizata dyshohet se janë përgjegjëse për shumë krime të kryera në veriun e Kosovës. Pikërisht për këto dyshohet të ketë qenë i destinuar arsenali i armëve i cili u kap para pak ditësh në një veturë në Zveçan.

Mbrojtja Civile në Serbi funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Shpallja e tyre si organizata terroriste vjen në kohën kur tensionet në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur.

Serbët lokalë po kundërshtojnë kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit që u zgjodhën më 23 prill. Këto votime u bojkotuan nga popullata serbe.

Që nga 26 maji, serbët kanë protestuar në veri dhe që atëherë në këtë zonë janë regjistruar disa sulme me shok-bomba dhe granata dore, që kanë shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz.