Gjykata Themelore në Prizren, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç), Enver Shabanit, drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë dhe Berat Kabashit, zyrtar i Komunës së Suharekës.
Ata po dyshohen se i kanë shkaktuar mbi 74 mijë euro dëm komunës përmes keqpërdorimit me tenderin e rrugës në Mushtisht.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, gjykatësja e procedurës paraprake, Teuta Krusha.
Ndryshe, paraprakisht është mbajtur seanca dëgjimore ndaj dy të dyshuarve, ku prokurori Petrit Kryeziu kërkoi që ndaj të dyshuarve të caktohet masa e paraburgimit, ndërsa mbrojtja kërkoi që Shabanit dhe Kabashit t’iu caktohet ndonjë masë më e butë.