Sa janë kamatat për vonim të pagesës së tatimeve në Kosovë?

Në qoftë se çfarëdo lloj shume e ndonjë tatimi e administruar nga ATK sipas legjislacionit të zbatueshëm në Kosovë nuk është paguar deri në datën e fundit të përcaktuar për pagesë, tatimpaguesi, do jetë i detyruar të paguajë interes sipas përqindjes (%) së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.
Sipas Administratës Ttaimore të Kosovës (ATK), kur një personI i kërkohet të dorëzojë një deklaratë tatimore sipas legjislacionit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës, dhe nuk e dorëzon këtë deri në datën e kërkuar, personi i tillë do t’i nënshtrohet një ndëshkimi administrativ prej pesë përqind (5%) të tatimit të papaguar për secilin muaj apo pjesë të muajit për të cilin është vonuar, me një ndëshkim maksimal administrativ për pagesë prej njëzetepesë përqind (25%) të obligimit tatimor.
Ndërsa, kur një personi i kërkohet të paguajë një tatim sipas legjislacionit të aplikueshëm në Republikën e Kosovës, dhe i njëjti nuk e paguan tërë apo një pjesë të tatimit të tillë deri në datën e kërkuar, personi i tillë do t’i nënshtrohet një ndëshkimi administrativ prej një përqind (1%) të obligimit tatimor për secilin muaj apo pjesë të muajit për të cilën ajo pagesë është vonuar, deri në maksimum dymbëdhjetë (12) muaj.
Pra, ndëshkimet për vonesa në deklarim dhe pagesë, janë si më poshtë:
-Interesi – sipas përqindjes (%) së përcaktuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve;
-Ndëshkim për mosdorëzim të deklaratës tatimore pesë përqind (5%), maksimum njëzetepesë përqind (25%);
-Ndëshkim për mos pagesë të tatimit një përqind (1%), maksimum dymbëdhjetë përqind (12%). /Buletini Ekonomik/