Zyrtarët edhe autoritetet e vendit nuk u shquan deri më sot as në parandalimin e keqpërdorimeve të çmimeve, sidomos të atyre të produkteve ushqimore brenda për brenda ambienteve të marketeve dhe supermarketeve të shumta anekënd vendit. Rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të tregtarëve evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, keqpërdorime nga shit-blerjet “online” dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes.
Mehmet GJATA
Zhvillime anarkike në fushën e çmimeve dhe ecuritë e çregulluara dhe jo normale në këtë sektor kanë qenë të pranishme në Kosovë (ndër më të varfërit në rajon dhe përtej) që nga shpërfaqja e pandemisë Covid 19, e sidomos nga nisja e luftës ruso-ukrainase. Që nga kjo kohë, rreth 2 vjet e më shumë në sektorin e çmimeve të Kosovës ka dominuar anarkia, kaosi dhe anashkalimi dhe mospërfillja e shkakut dhe të pasojave të daljes jashtë kontrollit të ecurive të çmimeve.
Praktikisht, tregtarët, u dëshmuan se janë të paprekshëm dhe vepruan rreth ngritjes së çmimeve, siç iu teket atyre, edhe në raste krizash, edhe në raste të ditëve më të qeta në tregjet ndërkombëtare, por edhe në tregun e vendit. Disa nga tregtarët e fuqishëm dhe me produktet e tyre përcaktues evident të ecurive në tregun kosovar, shfrytëzuan edhe situatën politike të brishtë në vend, përqëndrimin e vëmendjes të institucioneve dhe të subjekteve politike në gjendjen aktuale në veri të vendit. Atyre në këto rrethana nuk pati kush t’u dalë përpara.
Thjeshtë, shumë tregtarë kosovarë në periudhën e apostrofuar, praktikisht nuk përfillen thirrjet e përfaqësuesve të shtetit, për të respektuar ligjshmërinë e tregut, por edhe tendencat e uljes së çmimeve në botë. Përkundrazi, vazhduan me ngritje thuaja të përditshme enorme të çmimeve të të gjitha produkteve, e sidomos të atyre elementare ushqimore.
Dhe, çmimet po vazhdojnë të ngritën në Kosovë ende dhe në të gjithë muajt e sivjetshëm, kur, praktikisht, në mbarë botën ka ulje evidente të çmimeve, edhe të produkteve ushqimore. Në këtë mënyrë, sipas të dhënave të ASK-së, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në muajin tetor 2023, krahasuar me periudhën e njejtë të vitit të kaluar ishte më i lartë 3,3%.
Bazuar në të dhënat e ASK-së, kjo rritje kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: perimet (15,9%), pemët (12,1%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (11,1 %), gjërat dhe pajisjet tjera rekreative, kopshtet dhe manaret (8,4%), prodhimet ushqimore (7,5%), pijet joalkoolike (6,9%), sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat (6,9%), pijet alkoolike, duhani (5,6%), rekracioni dhe kultura (5,3%), mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë (5,1%), blerja e automjeteve (4,9%), buka dhe drithërat (4,7%), restorantet dhe hotelet (4,1%), veshje dhe këpucë (3,5%), mallrat dhe shërbimet e ndryshme (3,2%), energjia elektrike, gaz dhe lendet djegëse të tjera (2,6%) dhe mishi (2,1%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 3,8 për qind në IHÇK-it.
Ndërkohë, nga Autoriteti i Konkurrencës të kosovës kanë konfirmuar për medie se ka goxha ankesa për çështjen e çmimeve, dhe disa prej tyre kanë adresë edhe këtë asociacion. Shkaku i këtyre ankesave, siç thonë zyrtarët e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, ata kanë intensifikuar monitorimin e tregjeve për t’u dalë në mbrojtje konsumatorëve.
Edhe kryetari i Shoqatës “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, ka shumë vërejtje në ecuritë e çmimeve në vend. Sipas tij, “çmimet në Kosovë, kur kihet parasysh se disa janë pothuajse të njëjta me ato në Bashkimin Evropian e disa edhe më të larta, dëshmojnë se diçka nuk është në rregull”. Ai thotë se “brenda këtyre çmimeve që ne i paguajmë me vështirësi, pasi 30 për qind e konsumatorëve janë familje të varfëra qëndrojnë edhe shpenzimet e klientelizmit, shpenzimet e korrupsionit, shpenzimet e partive politike, të cilat po mund të marrin të ashtuquajtura donacione dhe subvencione dhe të gjitha këto ne i paguajmë si çmim. Në të vërtetë, këto nuk janë çmime por janë abuzime me çmimet”. “Qeveria nuk e njeh qytetarin konsumator dhe e mban atë vetëm për vota dhe për të kryer obligimet fiskale, për mbushje të buxhetit” shprehet Kaçaniku.
Dhe, shteti i Kosovës nëpërmes përfaqësuesve të vet, saktësisht sikur, më shumë në këto kohë të shpërthimit të çmimeve më shumë është shtirë dhe ka bërë sikur bëri detyrën me ca apele të zbehta, anemike dhe thuaja pa asnjë ndikim në parandalimin e ngritjes enorme të çmimeve, si në asnjë vend tjetër të rruzullit. Jo pak herë, ata, akuzuan opozitën për pengimin e zbatimit të masave për të parandaluar dhe për të zbutur gjendjen kaotike në ecuritë e çmimeve.
Kurse, opozita, përveç ndonjë zëri të rrallë, që argumentoi pasojat e shfrenimit të çmimeve dhe propozoi edhe ndonjë masë për ta tejkaluar kaosin, u kënaq si gjithnjë vetëm me konstatimin e gjendjes. Zyrtarët përgjegjës e autoritetet në krye të shumë dikastereve kompetente, edhe pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në vend (vendimi u mor më 15 qershor, pas arrestimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe), pos thirrjeve për të mos ngritur çmimet dhe zotimeve se do t’i rrisin angazhimet në monitorimin e tregut, në mënyrë që të parandalohet rritja eventuale e çmimeve, nuk ndërmorri ndonjë veprim, që do të kishte ndikim real në ecuritë dhe tendencën anarkike të çmimeve.
Zyrtarët dhe autoritetet e vendit nuk u shquan deri më sot as në parandalimin e keqpërdorimeve të çmimeve, sidomos të atyre të produkteve ushqimore brenda për brenda ambienteve të marketeve dhe supermarketeve të shumta anekënd vendit.
Në bazë të ecurive të çmimeve edhe në ditët e fundit, po shihet se janë fare të paefektshme premtimet nga Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, të deklaruara për medie se “kur ka çështje apo dukuri që kërkojnë fokus dhe angazhim më të madh, rritet numri i inspektimeve, punojmë me orar të zgjatur dhe jemi të angazhuar edhe gjatë ditëve të fundjavës”.
Totalisht jorezultativ ishte edhe deklarimi i ministrisë së Rozeta Hajdarit se “Inspektorati i Tregut do ta monitorojë tregun dhe në rast se konstatohet çfarëdo shkeljeje e dispozitave ligjore në fuqi, do të ndërmerren masa ndëshkuese”. Mbase edhe ka ndodhur ndonjë inspektim të tregut, gjatë këtyre ditëve, nuk e mohojmë në asnjë mënyrë këtë. Por, çmime të ngritura pati me shumicë, sikundër pati shumë e shumë raste të keqpërdorimit të çmimeve në ambientet e tregtimit. Në këtë mënyrë, konsumatori i varfër kosovar, ndonëse ligjërisht është dhe duhet të jetë i mbrojtur, pos përballjes thuaja të përditshme me çmime të reja të ngritura për shumë produkte elementare, po përballet përditë edhe me “lojën” me çmime, që bëjnë tregtarët, sidomos në rrjetet e marketeve dhe supermarketeve të mëdha, brenda për brenda hapësirave tregtare.
Sipas zyrtarëve të MINT, rastet më të shpeshta të keqpërdorimit të tregtarëve evidentohen te mospërputhjet e çmimeve raft-arkë dhe shpalljes publike (reklamës) dhe çmimeve në arkë, të tregtimit të produkteve me afat të skaduar, keqpërdorime nga shit-blerjet “online” dhe mosdhënies së kuponit fiskal me rastin e shit-blerjes. Me fjalë të tjera, keqpërdorimet e tregtarëve dhe shkeljet e të drejtave të konsumatorëve kryesisht ndërlidhen me abuzime me çmime, me shitjën e produkteve me afat të sskaduar dhe me cilësinë e produktit. Sipas MINT, ankesat e pranuara nga Inspektorati i Tregut janë të ndryshme, por ndër to: 27% janë për mospërputhje çmimi, 15 % për mospërfillje garancioni, 14 % moskthim i mallit, 10% blerje ‘online’, etj.
Dhe, sipas të dhënave të ueb faqes “konsumatori.rks-gov.net”, ku qytetarët mund të ankohen ‘online’, për shkelje të të drejtave si konsumatorë si rrjedhojë e keqpërdorimit në marketet dhe supermarkete kryesisht dhe gjatë tregtimit “online”, nga 1 janari e deri në fund të shtatorit janë pranuar mbi 2 mijë e 360 ankesa. Prej tyre, 812 janë zgjidhur, rreth 550 janë refuzuar, ndërsa rreth 1 mijë ankesa janë në proces të zgjidhjes. Praktikisht, institucionet e Republikës dhe autoritetet zyrtare, po dëshmohen të pafuqishme totalisht kundrejt tendencave keqpërdoruese, që siç po duket, janë edhe të nxitura dhe të aplikueshme nga tregtarët abuziv dhe që kanë synim të vetëm pasurimin e vet pa zgjedhur mënyra dhe rrugë dhe pa përfillur asnjë normë, as ligjore, as morale./Buletini Ekonomik