BQK shpall konkurs për zëvendësguvernator për mbikëqyrje financiare

BQK - Buletini Ekonomik

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka shpallur konkurs për plotësimin e pozitës së zëvendësguvernatorit të saj për mbikëqyrje financiare. Ky konkurs do të jetë i hapur deri më 18 dhjetor 2023.

Sipas njoftimit të BQK-së, zëvendësguvernatori/ja për mbikëqyrje financiare shërben si anëtar/e i/e Bordit Ekzekutiv dhe e ndihmon Guvernatorin në realizimin e operacioneve të BQK-së.

“Është i/e ngarkuar me funksionet e BQK-së për licencim dhe mbikëqyrje të bankave, kompanive të sigurimit, fondeve pensionale dhe institucioneve të tjera financiare. Po ashtu mund të ngarkohet me detyra dhe përgjegjësi shtesë ose portofol tjetër sipas strukturës organizative”, thuhet në njoftim.

Reklama e sponzorizuar
Ndërkaq, kushtet për t’u bërë zëvendësguvernator i ri në këtë institucion, renditen si më poshtë në njoftimin e BQK-së:

“Të ketë minimum dhjetë vjet përvojë profesionale ose akademike në fushat e ekonomisë, financave, bankave, kontabilitetit apo çështjeve juridike; Të ketë njohuri në zhvillimin dhe implementimin e politikave të rëndësishme të lidhura me objektivat dhe detyrat e BQK-së; Të përmbushë kërkesat nga neni 40 i Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”.

Ndryshe, Kuvendi i Kosovës para pesë muajsh vototi Ahmet Ismailin si guvernator të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës me gjithsej 56 vota për.