Digjitalizimi i Kosovës, nënshkruhet marrëveshja për pjesëmarrje në programin “Evropa Digjitale” në vlerë 7 miliardë euro

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka bërë të ditur se Kosova po bëhet pjesë e programit “Evropa Digjitale” në vlerë prej 7 miliardë euro.

“Në emër të Republikës së Kosovës, nënshkrova Marrëveshjen Kornizë të këtij Programi, ndërsa nga ana e Komisionit Evropian, marrëveshja është nënshkruar nga Roberto Viola, Komisioner për Komunikim, Rrjete, Përmbajtje dhe Teknologji”, ka shkruar Rizvanolli.

Reklama e sponzorizuar

Ajo ka shtuar se ky program ka për qëllim të rritë qasjen në digjitalizim tek qytetarët, bizneset dhe institucionet, dhe përmes granteve strategjike të avancojë katër fusha:  Resurset kompjuterike me performancë të lartë, Inteligjenca artificiale (IA), Shkathtësitë e avancuara digjitale, si dhe  Përshpejtimi dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve digjitale dhe ndërveprueshmëria (interoperabiliteti).

“Pas miratimit nga Qeveria e Kuvendi i Kosovës, ne do të mund të bëhemi pjesë e projekteve të digjitalizimit të BE-së. Ky program synon t’i afrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me ekonominë e shoqërinë e BE-së, për të mbështetur digjitalizimin në përgjithësi, veçanërisht të bizneseve të vogla dhe të mesme”, ka shkruar ministrja në Facebook. /Telegrafi/