Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i ka quajtur të pavërteta raportimet se i kanë favorizuar komunat që udhëhiqen nga Lëvizja Vetëvendosje, sa i përket ndarjes së buxhetit për vitin tjetër, raporton Ekonomia Online.
Murati shtoi se raporti i prezantuar nga shoqëria civile ka pasur tendencë keqinformimin dhe se i njëjti sipas tij nuk është i vërtetë.
“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve mund të them se ia kanë arritur. Është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave. Atë që është prezantuar në atë rapor,t bëhet fjalë për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Çka nuk trajton ajo analizë është edhe fakti që edhe projektet e reja i merr vetëm sipas kodit”, ka thënë Murati.
Ministri i Financave ka këmbëngulur se komunat asnjëherë s’kanë pasur më shumë buxhet.
“Ton kjo zhurmë po bëhet për 13 milionë euro. Na pardje i nënshkruam 80 milionë euro për komunën e Prishtinës. Komunat kurrë më shumë buxhet nuk kanë pas. Është shtu për 200 milionë euro buxheti për komunat”, ka thënë Murati.
Në një analizë për ndarjen buxhetore, Instituti GAP ka konsideruar se Qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat në të cilat udhëheq për vitin 2024.. Nga 21.8 milionë euro për investimet kapitale të reja, mbi 13 milionë janë bërë për katër komunat që i udhëheq VV-ja.