Rekord ‘i zi’ i stërzgjatjes së punimeve në rrugën Prishtinë-Mitrovicë

Rruga kombëtare Prishtinë – Mitrovicë ka një histori të madhe të dështimit (zvarritjes për një kohë rekorde të gjatë të zgjerimit të saj, për tejkalime të shumëfishta edhe të afateve të ndërtimit edhe të llogarive paraprake të kostos, për ndërpreje të shpeshta dhe ndërrime të panumërta punëkryesish). Siç dihet, qysh në vitin 2009 kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që është bërë shembulli më i keq i investimeve në Kosovën e pasluftës, dhe gjithsesi dhe më i përfoluri. A do të përmbushen më në fund afatet më të reja, të shpallura më 8 shkurt 2024 nga krerët e Ministrisë së Infrastrukturës, për finalizimin e kësaj rruge?

Buletini Ekonomik

Rruga magjistrale Prishtinë- Mitrovicë, që lidhë kryeqytetin e Kosovës me Vushtrrinë dhe Mitrovicën, dy rajone të rëndësishme të vendit dhe shumë e shumë fshatra që gravitojnë në këto komuna, ka një histori të madhe të dështimit (zvarritjes për një kohë rekorde të gjatë të zgjerimit të saj, për tejkalime të shumëfishta edhe të afateve të ndërtimit edhe të llogarive paraprake të kostos, për ndërpreje të shpeshta dhe ndërrime të panumërta punëkryesish).

Reklama e sponzorizuar

Siç dihet, qysh në vitin 2009 kanë filluar punimet për ndërtimin e rrugës që është bërë shembulli më i keq i investimeve në Kosovën e pasluftës, dhe gjithsesi dhe më i përfoluri. Prandaj, me gjithë premtimet më të fundit të autoriteteve të Kosovës (ministrit të Infrastrukturës dhe zëvendësit të tij, Hysen Durmishit, të bëra më 8 shkurt 2024, publikisht në një konferencë shtypi), se më në fund tani një vjet nga dita e sotme, do të finalizohet ndërtimi i tërësishëm i kësaj magjistraleje, njerëzit e rezignuar dhe të zhgënjyer deri më tash, shprehen goxha skeptik, për përmbushjen e afateve më të reja, të deklaruara nga zyrtarët.

Thjesht, qytetarët nga komuna e Mitrovicës dhe nga ajo e Vushtrrisë, frekuentuesit e rregullt të kësaj rruge, të mllefosur, të irrituar dhe të shqetësuar gjuajnë “gurë e dru” në adresë të autoriteteve zyrtare për neglizhencën e pakuptueshme të deritashme, sipas tyre.

“Në kohën kur kanë filluar punimet në këtë rrugë, vetë Fatmir Limaj atëbotë ministër i Infrastrukturës së Kosovës, ka thënë se kjo rrugë kryhet deri në vjeshtë”, shprehej kohë më parë për medie një qytetar nga Mitrovica, që qarkullon përditë këtë rrugë.

Ai ka rrëfyer edhe për vështirësitë, vonesat dhe peripecitë e shumta, që ka përjetuar gjatë këtyre 15 vjetëve, gjatë qarkullimit nëpër këtë rrugë. Disa qytetarë të tjerë, në kushte anonimiteti duke folur për medie shtojnë se “nuk kanë shpresa që kjo rrugë do të përfundojë ndonjëherë”, duke e apostrofuar zvarritjen 15 vjeçare të finalizimit të saj, dhe duke e shpërfaqur haptazi mosbesimin dhe skpticizmin e tyre rreth afateve më të reja për përmbylljen e saj, të deklaruara të enjten nga krerët e ministrisë së Infrastruktuës. Sidoqoftë, Buletini Ekonomik, po e përsëritë parashikimin më të ri të Liburn Aliut dhe të Hysen Durmishit se “rruga Prishtinë-Mitrovicë do të përfundojë “brenda një viti”, ose saktësisht më 8 shkurt 2025.

“Një segment prej afro 10 kilometrave për zgjerimin e rrugës magjistrale rreth 40 kilometra të gjatë, e cila e lidh kryeqytetin Prishtinë me qytetin e Mitrovicës, pritet të përfundojë në fillim të vitit 2025”, tha të enjten (më 8 shkurt 2024) ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Liburn Aliu, duke shtuar se se ky është ndër projektet më të stërzgjatura që nga paslufta.

Ai ka njoftuar se Ministria e tij ka nënshkruar kontratë me një kompani për përfundimin e ndërtimit të segmentit përfundimtar të rrugës që nisi të zgjerohej në vitin 2009.

“Sapo nënshkruam sot kontratën për zgjerimin dhe përfundimin e rrugës që e lidh Prishtinën me Mitrovicën, projekt ky që ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë, me probleme të shumta, mbase një ndër projektet më të stërzgjatura në historinë e pasluftës së Kosovës, por që jemi duke shkuar drejt përfundimit të tij, meqë sot arritëm që ta nënshkruajmë kontratën, proces ky që ka fillu me 2 tetor, kur është publikuar njoftimi për dorëzimin e ofertave e që është paraprirë me disa faza tjera si: angazhimin kompaninë mbikëqyrëse e që në këtë rast e kemi të angazhuar kompaninë, procesi i përmbylljes, i shkëputjes së kontratës së vjetër që është paraprirë nga një proces i auditimit”, ka thënë ai.

Është bërë e ditur se projekti i kësaj rruge ka kosto prej rreth 25 milionë eurosh dhe fondet janë siguruar me huamarrje nga fondi ndërkombëtar OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar dhe Fondi Saudit për Zhvillim. Kontratën për këtë rrugë e fitoi konsorciumi i përbërë nga dy kompani: Eskavator, kompani nga Kosova  dhe Hidrostroi – kompani nga Bullgaria. Këto kompani, sipas zëvendësministrit, kishin bërë ofertën më të lirë gjatë tenderimit.

“Që nga sot janë 12 muaj ditë kalendarike. Pra, sot një vit kontratori e ka për detyrim ta dorëzojë projektin e përfunduar”, ripërsëriti Durmishi.

Zëvendësministri i Infrastrukturës, duke rikujtuar dështimet e deritashme ka njoftuar për të satën herë se “kontrata e deritanishme për ndërtimin e këtij segmenti u shkëput një vit më parë për shkak se auditori kishte gjetur “parregullësi”.

“Jemi detyruar ta zhvillojmë një auditim dhe auditimi ka gjetur shumë parregullësi dhe rekomandimi ka qenë që duhet të shkëputet kontrata”, tha Durmishi.

Durmishi tha se kanë analizuar veprimet e tyre në mënyrë që, nëse kompania të cilës ia kanë shkëputur kontratën e padit shtetin e Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit, ajo të mos mund ta fitojë rastin, duke thënë si konstatim që “ne nuk rrezikojmë fare nga shkëputja eventuale e kontratës”. Ndërkohë që dihet se qysh para rreth një viti, ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu kishte bërë të ditur se është publikuar njoftimi për prokurim, për shërbimet konsulente për rishikim të dizajnit dhe mbikëqyrje të punimeve në rrugën N2, që është rruga Prishtinë-Mitrovicë.

Aliu me anë të një shkrimi në Facebook kishte thënë se shërbimet në fjalë priten të mbulojnë një periudhë 25 mujore.

“Sot është publikuar Njoftimi Specifik për Prokurim për Shërbimet Konsulente për Rishikim të Dizajnit dhe Mbikëqyrjen e Punëve Ndërtimore në Rrugën N2 Prishtinë-Mitrovicë, me gjatësi 9.78 kilometra. Shërbimet do të mbulojnë një periudhë prej njëzet e pesë (25) muaj kalendarik nga data e fillimit ku përfshihen: 3 muaj shqyrtimin e dizajnit, përgatitjen e dosjes së tenderit, procedurat e prokurimit dhe vlerësimin e ofertave, 20 muaj periudha e mbikëkqyrjës se punimeve dhe 2 muaj periudha e finalizimit të projektit”, shkruante Aliu.

Ai kishte ftuar kompanitë vendore dhe ndërkombëtare të dorëzojnë propozimet e tyre.

“Ftohen të gjitha kompanitë konsulente ndërkombëtare dhe vendore të interesuara që ti dorëzojnë propozimeve e tyre”, përfundonte ai.

Sido që të jetë, zotimet dhe premtimet e krerëve të ministrisë së Infrastrukturës që ndërlidhën me afatet e reja të përbylljes së të gjitha punimeve në këtë magjistrale, më në fund do të duhej të përmbusheshin. Sepse, s’ka ku të shkojë përtej stërzgjatjes së deritashme, që është rekorde e dështimit të një investimi infrastrukturor brenda dhe jashtë vendit.

Që nga 2009-ta, pra, rruga ka mbetur shqetësim tronditës për qindra-mijëra banorë të kësaj ane, të cilët, në asnjë rast nuk kanë qenë as pjesëmarrës, as fajtor në problemet e apostrofuara nga zyrtarët si shkaqe të këtij dështimi të madh, qoftë për problemet e paraqitura rreth shpronësimeve, qoftë rreth përzgjedhjes së punëkryesve të dobët, qoftë dizanjim të dështuar të derivonshëm, apo materiale dhe standarde të dyshimta dhe të diskutueshme të aplikuara nga punëkryesit e deritashëm.

Nuk ka asnjë logjikë dhe as kuptim të vonohet edhe më tej ky projekt. Nuk ka asnjë kuptim të mos realizohen edhe shumë premtime të tjera konkrete për finalizimin e disa rrugëve të Kosovës, që janë arterie të rëndësishme dhe jetike të qarkullimit rrugor (të njerëzve dhe të mallrave) në vendin tonë dhe të ndërlidhjes së qendrave të ndryshme me kryeqytetin e republikës, dhe që janë nisur kaherë të modernizohen, të zgjerohen ose të rehabilitohen, por që janë bërë edhe nga qeveria aktuale.

Në këto vitet dy-tre vjetët e fundit, edhe më 2023, sidomos janë shënuar jo pak raste të mosrespektimit të këtyre premtimeve, të mosrespektimit të afateve të proklamuara edhe nga disa herë duke i vonuar pakuptimisht dhe duke i lënë ato si “pika të zeza” të shumë aksidenteve edhe me viktima dhe me qarkullim të vështirësuar me vite. Për të qenë më konkret, po e ripërsërisim se tashmë janë vonuar pabesueshëm shumë punët në autostradën Prishtinë – Gjilan, të diskutueshme që në fillimet e nisjes të saj, por vonesa të mëdha dhe jashtë çdo logjike investimesh e ndërtimesh ka edhe në magjistralen Prishtinë – Podujevë (mbetet të shihet a do të finalizohet kjo rrugë sivjet) dhe në autostradën Prishtinë-Pejë. Në të gjitha këto magjistrale, tashmë ose është përafruar një dhjetëvjetësh, një dekadë pra, qëkur kanë filluar punimet, ose tashmë është tejkaluar edhe dhjetëvjetëshi (rruga Prishtinë- Mitrovicë ka nis të zgjerohet që para 15 vjetësh), për çka ka raportuar shumë herë Buletini Ekonomik. /Buletini Ekonomik/