Krim e kishte konsideruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mungesën e investimeve në kombinatin metalurgjik Trepça.
“Nuk është krim vetëm kur bën diçka keq, por edhe kur s’bën diçka mirë e e ke përgjegjësinë për diçka të tillë”, kishte deklaruar ai në fund të janarit të vitit 2021, përpara se të merrte pushtetin për herë të dytë.
Rreth dy vjet më vonë, në shkurt të vitit 2023, Qeveria e tij miratoi një kredi prej 20 milionë eurosh për investime në Trepçë.
Por, edhe një vit pas, këto mjete nuk u ekzekutuan.
Ministria e Ekonomisë e Kosovës tha në një deklaratë me shkrim për REL-in se për shpërndarjen e tyre “janë kërkuar standarde më të larta të kontrollit të brendshëm operativ e financiar, si dhe përgatitje e hulumtim i tregut”.
Ajo nuk dha ndonjë afat se kur pritet të ndahen mjetet dhe nuk iu përgjigj pyetjes se a është planifikuar ndonjë investim konkret.
Udhëheqës të ndërmarrjes thonë se këto mjete do të zgjidhnin shumë probleme në kombinatin që ka sektorë në jug dhe në veri të Mitrovicës
Për çka kanë nevojë minatorët?
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Ibrahim Januzi, i përshkruan si “jashtëzakonisht të rënda” kushtet e punës për kolegët e tij.
Nevoja e parë e tyre, thotë ai, është ndihma mjekësore, përkatësisht vendosja e një ekipi mjekësor në dispozicion të minatorëve.
“Një aksident të ndodhë, ne nuk kemi mundësi t’iu dalim direkt në ndihmë, në vendin e aksidentit”, thotë Januzi për Radion Evropa e Lirë.
Ai tregon se edhe pajisja e minatorëve me rroba pune, helmeta e llamba ndriçuese, që bëhet nga menaxhmenti i kompanisë, është shpesh sfiduese.
Sipas tij, disa minatorë i kanë marrë pajisjet në janar, por për disa të tjerë ka pasur vonesa.
REL-i ka raportuar më herët se minatorët, nganjëherë, detyrohen t’i blejnë edhe vetë pajisjet personale.
Januzi thotë se mjetet e punës janë të vjetra po ashtu, gjë që, sipas tij, ngadalëson punën dhe rrit rrezikun.
“Zakonisht në shfrytëzim janë ekskavatorët dhe lokomotivat si mjete të punës. Në to nuk ka pasur fare investime viteve të fundit. Për herë të fundit ka pasur para pesë vjetësh në transportin kryesor, ku është blerë një lokomotivë e re, ndërsa këto në minierë janë që nga koha e paraluftës”, thotë ai.
Ish-kryeshefi i Trepçës, Basri Ibrahimi, thotë se në këtë ndërmarrje ka “vetëm improvizime afatshkurta”.
Ai thotë se derisa ka qenë në krye, në periudhën 2019-2020, mjetet e ndara kanë shkuar kryesisht për paga të punëtorëve.
“Kur nuk ke para, atëherë çka mund të presësh tjetër”, pyetet ai.
Pagat e minatorëve në Trepçë sillen nga 700 deri në 900 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale.
Ata nuk kanë pasur kurrë as sigurime shëndetësore, as jetësore, ndërsa incidente në kombinat ka vazhdimisht.
Një i tillë ndodhi në janar kur, gjatë transportimit të acidit sulfurik në ambientet e punës, u lënduan 13 minatorë.
Sfidë për minatorët është edhe pensioni. Shumica e tyre marrin pension prej 100 eurosh në muaj, pasi nuk e kanë të regjistruar gjithë përvojën e kërkuar të punës – sidomos gjatë viteve ’90, kur Kosova ishte nën masa të dhunshme të regjimit të atëhershëm të Serbisë.
Përvoja e punës dhe kualifikimi arsimor janë kritere kryesore për kategorizimin e shkallës së pensionistëve në Kosovë.
Kryeshefi i tanishëm i Trepçës, Bashkim Kurti, i cili e mori këtë pozitë më 12 janar, thotë se prioritet do ta ketë qëndrushmërinë financiare të ndërmarrjes.
“Plane për investime kapitale në Trepçë nga ana e Qeverisë ka. Jemi duke punuar në caktimin e prioriteteve dhe justifikimin e investimeve në pajisje, sepse na duhet edhe llogaridhënie për secilin investim që do të bëhet”, thotë Kurti për Radion Evropa e Lirë.
Ai thotë se është çështje javësh kur kredia prej 20 milionë eurosh, e miratuar nga Qeveria, do të kalojë te Trepça, por nuk specifikon më shumë.
Cili është qëndrimi i autoriteteve?
Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, deklaroi në një konferencë për media, në tetor të vitit të kaluar, se realizimi i kredisë prej 20 milionë eurosh “varet kryekëput nga ndërmarrja, në kuptimin e përgatitjes së procedurave të prokurimit dhe identifikimit të furnizuesve”.
“Po flasim për teknologji që prodhohen nga një numër i kufizuar i furnizuesve – kryesisht në Kanada, Suedi dhe Britani”, tha Rizvanolli atëkohë.
Më 5 shkurt, ajo bëri edhe një vizitë në Trepçë, pas së cilës, tha:
“Trepça ka nevojë që të gjithë të punojmë të unifikuar për të mirën e ndërmarrjes, për ta sjellë Trepçën aty ku e meriton, si bosht i zhvillimit ekonomik e shoqëror të Mitrovicës dhe tërë atij rajoni”.
Qeveria aktuale hyn në mars në vitin e fundit të mandatit dhe Kurti, në disa raste, është zotuar se do ta bëjë Trepçën “ndëmarrje fitimprurëse”.
Megjithatë, sipas raporteve të Zyrës së Auditorit, ndërmarrja ka operuar me humbje viteve të fundit, duke mos arritur të jetë efikase në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare.
Trepça pritet të kalojë nën Fondin Sovran të Qeverisë së Kosovës, i cili do t’i marrë në pronësi të gjitha asetet strategjike të vendit, për të investuar më pas në rritjen e vlerës së tyre.
Ligji për Fondin Sovran është miratuar në fund të vitit të kaluar, por është dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.