Inflacioni i produkteve ushqimore në vendet e pasura bie në nivelet e para luftës në Ukrainë

Ndryshimi vjetor i çmimeve në 38 vende të industrializuara, u lehtësua në 5.3% në shkurt, sipas të dhënave të OECD.

Inflacioni i produkteve ushqimore në vendet e pasura, ka rënë në nivelin më të ulët, që para pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në Ukrainë, me një ngadalësim të rritjes së çmimeve, që lehtëson presionin ndaj miliona familjeve, të goditura nga dy-vjeçari i kostove të ushqimit.

Ndryshimi vjetor në çmimet e ushqimit të konsumatorit, në 38 vende të industrializuara, u lehtësua në 5.3 % në shkurt, nga 6.2 % në muajin e kaluar, vlerë shumë më e ulët se 16.2 % në nëntor 2022, sipas të dhënave më të fundit të OECD.

Reklama e sponzorizuar

Çmimet e ushqimit, u rritën në vitin 2022, për shkak të rritjes së kostove të energjisë dhe tregtisë më të ulët, të shkaktuar nga lufta në Ukrainë, ndërsa thatësira më të mëdha se sa pritej, dhe ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit të lidhura me COVID, gjithashtu u rritën. Çmimet më të larta, kontribuan në një shifër rekord prej 333 milionë njerëz, që përjetuan pasiguri akute ushqimore në vitin 2023.

Çmimet e mallrave bujqësore, kanë rënë ndjeshëm në dy vitet e fundit, që nga kulmi i çmimeve, që pasuan pushtimin e Ukrainës, dhe kjo po vepron si një forcë ndikuese edhe në nivelin e shitjes me pakicë.

“Zinxhirët e furnizimit, janë normalizuar plotësisht, çmimet e gazit kanë zbritur në nivele, të cilat historikisht konsiderohen më normale dhe eksportet e grurit të Ukrainës, kanë rifilluar përmes korridorit të Detit të Zi,” tha Tomasz Wieladek, ekonomist në kompaninë e investimeve T Rowe Price.

“Zhdukja e këtyre faktorëve, sugjeron që dezinflacioni global i ushqimit, me siguri do të vazhdojë.”

OECD pritet të komentojë shifrën e çmimit të produkteve ushqimore, i cili është më i ulëti, që nga tetori i vitit 2021.

Shifrat e ndara të publikuara nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), treguan se çmimet e produkteve ushqimore, përfshirë drithërat, sheqerin dhe mishin, kishin zbritur nga majat rekord në vitin 2022.

Indeksi i Çmimeve të Mallrave të Ushqimit FAO, u rrit margjinalisht në 118.3 në Mars, pas një rënie shtatë-mujore. Por, shifra ishte akoma poshtë 9.9 pikë nga marsi i kaluar.

Në SH.B.A., inflacioni vjetor i çmimit të ushqimit, ra në 2.2 % në shkurt, nga një kulm prej 11.4 % në gusht 2022 dhe më i ulëti, që nga maji 2021.

Në Mbretërinë e Bashkuar, çmimet për ushqim dhe pije joalkoolike, u rritën 5 % në vit deri në shkurt, vlera më e ulët, që nga fillimi i vitit 2022 dhe shumë më poshtë se vlera më e lartë në 45 vjet, prej 19.2 % në Mars 2023.

Në të gjithë Eurozonën, niveli vjetor i ushqimit dhe çmimeve të pijeve jo-alkoolike, ra në 2.7 % në mars, leximi i parë nën 3 %, që nga nëntori i vitit 2021, sipas vlerësimeve të Flash Eurostat.

Disa vende, vazhdojnë të luftojnë me çmime më të larta se normalja. Rritja e marsit në indeksin e FAO-s, u nxit nga një rritje e çmimeve për vajrat vegjetale si soja, luledielli dhe farat e rapit, për shkak të një rënie sezonale të prodhimit dhe një rritje të papritur të kërkesës nga Azia juglindore.

“Në përgjithësi, inflacioni i çmimeve të ushqimeve po bie në botën e zhvilluar dhe në tregjet në zhvillim, por ne po shohim vende ku gjërat janë ende të vështira, veçanërisht vendet me presione të kursit të këmbimit, që mbështeten në importe,” tha Kiran Ahmed, ekonomist kryesor në Oxford Economics.

Turqia, një vend i OECD, regjistroi inflacion vjetor të ushqimeve prej 70.4 % në mars, ndërsa lira ka vazhduar të dobësohet kundrejt dollarit. Në mënyrë të ngjashme, inflacioni i ushqimeve, u rrit me një normë vjetore prej 37.9 % në shkurt në Nigeri, e cila mbështetet në importet e produkteve ushqimore dhe së fundmi zhvlerësoi monedhën e saj.

Ka pasur gjithashtu një rritje të qëndrueshme të çmimeve të ushqimeve, në shumë vende ku orizi është një element kryesor dietik, pasi një ndalim indian për eksportet e orizit ndikoi në furnizim. Çmimet standarde të orizit, u rritën 25 % në shkurt, sipas FMN-së, dhe inflacioni i çmimeve të ushqimeve ka vazhduar të rritet në vendet, që mbështeten në importet e orizit indian, si Filipinet dhe Bangladeshi, në 3.4 % dhe 9.44 % në të njëjtin muaj.

Megjithatë, rënia e çmimeve të produkteve bujqësore me shumicë, veçanërisht për drithërat, tregon për vazhdimin e dezinflacionit në shumicën e vendeve në muajt në vijim.

Rënia e çmimeve të mallrave bujqësore, nuk ka penguar rritjen e përgjithshme të çmimeve të konsumit të ushqimeve, sepse mallrat përbëjnë një pjesë relativisht të vogël të kostove të shitjes me pakicë.

Çmimi i bukës, për shembull, varet edhe nga kostoja e punës, ambalazhimi, energjia, shpërndarja, marzhet e fitimit dhe marketingu. Rabobank vlerëson se çmimi i grurit, përbën maksimumi 10 % të kostos totale të bukës.

Çmimet e mallrave, gjithashtu u kalohen konsumatorëve me një vonesë kohore, që do të thotë se rënia e fundit e çmimeve bujqësore, do të reflektohet në raftet e ushqimeve në vitin e ardhshëm. /FT/