Pas zëvendësministrit Hysen Durmishi, Prokuroria Speciale ka ftuar për intervistim edhe ish-Shefin e Prokurorimit në Ministrinë e Infrastrukturës, Nexhat Krasniqin, apo siç njihet “Baba i tenderëve”.
T7 sjell pamje ku shihet duke hyrë në objektin e Prokurorisë Speciale. Njëjtë sikurse Durmishi, edhe ai do të intervistohet lidhur me kontratat për rrugën Prishtinë-Podujevë.
Ndryshe, pas sanksionimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Krasniqi ishte pezulluar nga pozita e udhëheqësit të divizionit të prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI).
Departamenti Amerikan i Shtetit më 3 nëntor 2023, e ka vendosur në listën e sanksioneve Nexhat Krasniqin, për shkak të përfshirjes në korrupsion të madh. Atij i është ndaluar hyrja në SHBA.
“Si zyrtar publik përgjegjës për mbikëqyrjen e kontratave të prokurimit, Krasniqi ka abuzuar me postin e tij publik duke pranuar ryshfet në këmbim të dhënies së kontratës për lejimin e ndërtimit të parkut industrial në komunën e Drenasit nga kompania Eltoni”, ishte thënë në njoftim.