Tregjet e gjelbra të Kosovës të mbushura me perime cilësore

Këtyre ditëve tregjet e gjelbra të vendit janë të stërmbushura me perime të stinës, ku dominojnë gjithsesi domatja shumë cilësore, speci, patatatja, trangujt, qepët, shalqini, pjepri e shumë perime të tjera. Duhet thënë se çmimet e tyre, sado që duken të larta për konsumatorin e varfër të Kosovës dhe me mundësi të kufizuara financiare, janë pak a shumë në nivelin e verës së kaluar, madje edhe nën to. Ndryshim i madh çmimesh të perimeve në supermarkete dhe markete nga tregjet e gjelbra… Eksporte të shtuara të domates, specit dhe karrotës së prodhuar nga fermerët kosovarë…

Buletini Ekonomik

Vera e sivjetshme në Kosovë, pos me ditë ekstremisht të nxehta që mbajtën që nga qershori e deri tani në korrik, karakterizohet edhe me rendimente dhe me cilësi ndjeshëm më të mëdha se sa në vitet paraprake. Siç dihet tashmë, të gjitha drithërat e bardha, e sidomos gruri, kanë shënuar rendimente rekorde dhe janë dalluar edhe me cilësi. Mirëpo sivjet, bien në sy edhe për nga sasia, edhe për nga cilësia, sidomos perimet, qofshin ato të importuara, apo perimet nga kopshtijet e bujqëve kosovarë.

Reklama e sponzorizuar

Këtyre ditëve, tregjet e gjelbra të vendit janë të stërmbushura me perime të stinës, ku dominojnë gjithsesi domatja shumë cilësore, speci, patatatja, trangujt, qepët, shalqini, pjepri e shumë perime të tjera. Duhet thënë se çmimet e tyre, sado që duken të larta për konsumatorin e varfër të Kosovës dhe me mundësi të kufizuara financiare, janë pak a shumë në nivelin e verës së kaluar, madje edhe nën to. Me fjalë të tjera, në tregjet tona (edhe në supermarkete e markete dhe në shitore të specializuara vetëm për pemë e perime), dominojnë perimet e sipërpërmendura që, gjithsesi, imponohen me cilësi dhe pamje joshëse të tyre.

Të martën në Tregun kryesor të gjelbër në Prishtinë, te ndërtesa e RTK-së, një kilogram domate, ajo e zakonshmja, e ashtuquajtura nga tregtarët e kuqja, që nëse do t’i klasifikonte ndokush, do të renditeshin në klasin e parë, gjithsesi, kushtonte nga 70, 75 dhe shumë-shumë 80 centë. Ndërsa domatja rozë, dallonte me çmime nga rafti në raft dhe kushtonte nga 80 centë, në 1 euro kilogrami. Akoma në tregjet tona ka domate nga importi, por ka ditë, ose më saktësisht nga dhjetëditëshi i parë, siç thonë tregtarët në tregjet e kryeqytetit, dominojnë domatet e vendit, ato të fermerëve nga Mamusha, Krusha dhe fshatrat rreth e përqark Prizrenit dhe Rahovecit.

Madje, bujqit e Mamushës një sasi të madhe të domates së tyre, sivjet e kanë orientuar edhe në eksport. Të martën, me rastin e shënimit të edicionit të 15-të të hapjes së Festivalit Ndërkombëtar të Domates në Mamushë, këtë fakt e ka potencuar edhe kryeministri i vendit, i cili duke i vlerësuar fermerët e Mamushës si “punëtorë të zot dhe shembull i mirë për Kosovën”, ka theksuar “rritjen e sasisë prodhuese, sidomos të domates në Mamushë, sipërfaqet e së cilës janë shtuar për 100% në krahasim me vitin 2021, gjë që ka rritur eksportin në vlerë për mbi tetë herë, dhe sasinë, mbi gati tetë here”.

Dhe, në këtë verë, domatja e kopshtijeve të Mamushës padyshim është cilësore dhe e pashme. Por në verën e sivjetshme, shumë cilësore janë edhe domatet e kopshtijeve të fermerëve të Llapit, të rajoneve të Kosovës së mesme, të Vushtrrisë dhe të Anamoravës. Dhe, në saje të cilësisë, dhe një numri të konsiderueshëm të frigoriferëve të ndërtuar në shumë vise të vendit, një pjesë e madhe e perimeve vendore tashmë ka gjetur tregje edhe në perëndim, sidomos në Zvicër dhe në Gjermani. Në këtë mënyrë, edhe kopshtarët e njohur të fshatit Sveçël të komunës së Podujevës, një sasi të madhe të produkteve bujqësore të kultivuara në arat e tyre (sidomos domatet, specat, karrotat, lakrat), tashmë i plasojnë në tregjet gjermane dhe zvicerane.

Disa tregtarë në tregjet tona, çmimin, tashmë thuaja standard të domates, por edhe të perimeve të tjera që vazhdojnë të eksportohen, e shohin si rrjedhojë të këtij eksporti. Sipas tyre, meqenëse një sasi e madhe perimesh dërgohet jashtë vendit, për tregjet tona nuk mbetet sasi e bollshme që do të ndikonte në çmimin e perimeve.

“Ka perime këto ditë në tregjet tona edhe sosh të importuara edhe vendore, por nuk ka teprica domethënëse, që do të ndikonin në ofertë të madhe dhe me ndikim në uljen eventuale të çmimeve”, thotë një tregtar i vjetër prishtinas.

Dje dhe sot, në tregjet e gjelbra të kryeqytetit kishte edhe sasi të mëdha të specave. Tani kanë arritur edhe “somborkat” e njohura të kopshtijeve të vendit, dhe një kilogram i tyre, ndër më cilësorët, kishte çmimin 1 euro, ose ata thasët e vegjël, tradicional tashmë, të amballazhimit të specave, shiteshin me çmim 1 deri në 1,5 euro.

Në anën tjetër, trangujt kushtonin 50 deri në 80 centë kilogrami, dhe përafërsisht këtë çmim kishin edhe karrotat. Edhe shalqini, që, sipas tregtarëve, është kryesisht nga Shqipëria, ishte prezent me sasi të madhe dhe dukje imponuese të jashtme në tregun prishtinas dhe kishte çmimin nga 29 deri 40 centë kilogrami. Ndërsa, pjepri, që po kështu, kishte në shumë rafte dhe në sasi të madhe, kishte çmimin nga 80 deri në 1 euro kilogrami. Patatja, një produkt që bie në sy edhe për nga pamja edhe për nga sasia e madhe në këto tregje, tregtohet me nga 50 centë kilogrami dhe në raste edhe tre kilogram një euro.

Vrojtuesit e lëvizjeve të çmimeve të produkteve bujqësore, e sidomos të perimeve, flasin për një ndryshim shumë të madh të çmimit të tyre në tregjet e gjelbra dhe në supermarkete, minimarkete dhe në disa shitore të specializuara. Në këto të fundit, ende produktet bujqësore të sipërpërmendura kushtojnë thuaja dyfishin e çmimit të tyre në tregjet e gjelbra.

Ndryshim evident i çmimeve vërehet edhe në tregun e ashtuquajtur mobil, që organizohet të marteve para hotelit Grand në kryeqytet. Të martën në këtë, 1 kilogram domatesh në shumicën e rafteve tregtohej me 1,5 euro, dhe aty këtu edhe 1,2 euro, ndërkohë që në tregjet e gjelbra, çmimi i domateve shumë cilësore, siç u apostrofua më lartë, ishte nga 70 deri në 80 centë për domaten e rëndomtë, ndërsa për atë rozë nga 80 deri në 1 euro.

Sidoqoftë, tregjet e gjelbra në Kosovë, në njëfarë mënyre, sivjet, së paku deri tash, i kanë bërë ballë hoveve të ngritjes së çmimeve nga tregtarët e produkteve të tjera, së paku krahasuar me dy – tre vjetët e fundit. Në to, në këto ditë është goxha i standardizuar, në raste edhe i ulur ndjeshëm çmimi i domates, i specit, trangujve, dhe sidomos i lakrës, por edhe i patates, qepëve dhe të ca produkteve të tjera bujqësore.

Ka ditë që nuk pati ndonjë lëvizje të madhe çmimesh, sado që shumica e perimeve deri në këto ditë kanë qenë nga importi. Por, konsumatorët shpërfaqin drojën se mos çmimet e produkteve bujqësore në Kosovë do të “hypin në qiell”, sidomos në fund të gushtit dhe gjatë tërë shtatorit, periudhë e njohur dhe e identifikuar që moti si “kohë e turshive”, kur qytetarët ngarendin në tregjet e gjelbra për të përmbushur nevojat e tyre me perime, thuaja të të gjitha llojeve, për të bërë turshitë tradicionale për familjet e tyre. Kështu ka ndodhur ndër shumë vite. Se a do të ndodhë sivjet kjo, mbetet të shihet… Do varet shumë nga oferta e kopshtarëve vendorë. Por në vitin e kaluar dhe në disa vite të tjera të mëhershme, te ne në gusht dhe në shtator ka ndodhur ngritje enorme e çmimeve thuaja e të gjitha produkteve bujqësore, sidomos i perimeve, pa dallim a ishte prodhimi nga arat vendore apo nga importi. Ndodhën çmimet stratosferike të specave, domateve, trangujve, hudhrës, majdanozit dhe të produkteve të tjera të nevojshme dhe të përdorura për turshitë. /Buletini Ekonomik/