Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se asetet e saj në fund të muajit korrik 2024 kanë arritur vlerën prej 1.73 miliard euro, duke shënuar rritje për 25.19 milionë euro krahasuar me muajin paraprak, kryesisht si rezultat i rritjes të depozitave të Buxhetit të Republikës së Kosovës (Llogaria e Thesarit) dhe korporatave publike jofinanciare, ndërsa janë zvogëluar depozitat e bankave komerciale dhe fondeve pensionale.
Ndërsa depozitat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit kanë mbetur pothuajse në nivel të njëjtë me muajin paraprak.
Sipas njoftimit, nga gjithsej asetet e jashtme, vlera e investimeve në depozita dhe letra me vlerë jashtë vendit deri më 31 korrik 2024 ishte 1.27 miliard euro, e cila krahasuar me muajin paraprak përfaqëson rritje prej 60.88 milionë euro. Prej tyre, investimet në depozita janë rritur për 70.09 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë janë zvogëluar për 9.22 milionë euro.
Depozitat në BQK deri më 31 korrik 2024 ishin 1.45 miliard euro, prej të cilëve 618.66 milionë euro nga Buxheti i Republikës së Kosovës (Llogaria e Thesarit), 520.04 milionë euro nga bankat komerciale, 170.62 milion euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe 144.46 milion euro të tjerat.
Kapitali i BQK-së deri më 31 korrik 2024 ishte 107.10 milionë euro.
“Asetet e rezervës ndërkombëtare në fund të muajit korrik 2024 shënuan vlerën e 1.35 miliard euro, e cila përfaqëson rritje për 29.16 milionë euro krahasuar me muajin paraprak, ndikuar nga rritja e investimeve në depozita për 34.03 milionë euro, ndërsa investimet në letra me vlerë kanë shënuar rënie prej 4.60 milionë euro për shkak të maturimit të letrave me vlerë”, njofton BQK.