Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka ndërprerë bashkëpunimin me dy kompanitë kroate, Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair, përgjegjëse për ndërtimin e stendave në panairet ndërkombëtare ku mori pjesë Kosova gjatë viteve 2018-2023. Kjo ka ardhur pas një hulumtimi një vjeçar të publikuar në Buletini Ekonomik, në fillim të këtij viti.
Hulumtimi zbuloi se Mirt Interijer ishte kompania prapa imazhit të Kosovës në panaire ndërkombëtare, ndërsa Kan-Construct Fair u përdor vetëm si shtojcë e të parës, por që KIESA i paraqiti ndër vite si dy kompani konkurrente. Kan-Construct Fair u përdor si kompani “fiktive”, por punët në të dyja rastet u kryen nga Mirt Interijer. Kan-Construct Fair pranoi nga KIESA pagesa mbi 1 milionë euro, ndërsa të dyja së bashku rreth 3 milionë euro.
Për angazhimin e tyre nuk janë ndjekur procedurat e prokurimit. Përveç kompanive, nga hulumtimi del se kompanitë kroate aplikuan edhe “çmime stratosferike” për ndërtim të stendave, në raste edhe deri në 600% më shtrenjtë se sa çmimet e tregut.
Pas publikimit të hulumtimit, KIESA, në fillim të këtij viti, fillimisht kishte “pezulluar” bashkëpunimin me këto dy kompani, duke i hapur rrugë kështu një “hetimi të brendshëm”. Rezultatet e këtij “hetimi” vërtetuan gjetjet e hulumtimit të mediumit. KIESA tashmë ka ndërprerë përfundimisht bashkëpunimin me kompanitë kroate Mirt Interijer dhe Kan-Construct Fair.
Zef Dedaj, Drejtor në KIESA, ka thënë se “priten edhe masa tjera”, por për momentin sipas tij, “është ndërprerë bashkëpunimi me kompanitë kroate dhe se një zyrtar është dërguar në komision disiplinor”.
“Sa i përket pyetjes së parë, ju konfirmoj se bashkëpunimi me dy kompanitë kroate është ndërprerë dhe më nuk do të vazhdoj. Po bashkëpunojmë vetëm me kompani vendore të atij shteti ku mbahet panairi”, thuhet në përgjigje.
Në përgjigjet e Dedajt përmes email-it, thuhet se pas vlerësimit të rastit dhe pas vërtetimit të gjetjeve të hulumtimit, hapi i menjëhershëm ka qenë “ndërprerja e bashkëpunimit me dy kompanitë kroate”.
Si hap tjetër, ai ka përmendur dërgimin e një zyrtari të KIESA-s në komision disiplinor, rasti i të cilit, sipas tij “ndërlidhet edhe me përgjegjësinë që ka pasur i njëjti në organizimin e panaireve jashtë vendit”. /Buletini Ekonomik/
Hulumtimin e Buletinit Ekonomik për prezantimin e Kosovës në panaire ndërkombëtare, mund ta gjeni si më poshtë:
Imazhi i Kosovës në panaire ndërkombëtare iu besua një kompanie fiktive
Shteti i Kosovës pagoi deri në 600% më shtrenjtë stendat në panaire ndërkombëtare
“Ekskursionet” e KIESA-s me panaire dhe përzgjedhja selektive e kompanive
Dosja e Stendave: Kompania “fiktive” pranoi pagesa mbi 1 milion euro pa procedura