Rezonanca magnetike e blerë për Spitalin e Prizrenit, përveçse ka lënë të pakënaqur stafin mjekësor për perfomancat e saj, ajo është blerë rreth gjysmë milioni euro më shtrenjtë se çmimi i tregut.
Agon Sinanaj
Një rezonancë magnetike – MRI 1.5 t, me performancat e njëjta si pajisja që u përurua në Spitalin e Prizrenit, në Kinë mund të blihet me çmim nga 350 mijë deri në 400 mijë euro. Por, Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, një pajisje e tillë nga një prodhues kinez, i kushtoi hiq më pak se 785 mijë euro, apo dyfish më shtrenjtë se çmimi i tregut.
Buletini Ekonomik ka hulumtuar tregun kinez për rezonanca magnetike dhe ka marrë disa oferta nga prodhues të njohur atje – në konkurrencë me prodhuesin ku është blerë pajisja nga MSH-ja.
Pajisjen kineze e bleu kompania kosovare NeuralMed, e cila u shpall fituese në një proces të dyshimtë tenderues, i përcjellë më konflikte interesi e raporte private biznesore mes anëtarëve të Komisionit Vlerësues e kompanisë fituese, deri te përshtatja e specifikave të tenderit.
Në ofertën e NeuralMed për Ministrinë e Shëndetësisë, në fakt duket sikur pajisja është prodhuar në Poloni, por Buletini Ekonomik ka gjetur se prodhuesi me të cilin NeuralMed ishte në konzorcium, është nga Kina. Fjala është për United Imaging Healthcare, e cila ka degë edhe në Poloni prej nga NeuralMed e solli pajisjen kineze në Kosovë.
Derisa pjesa e parë e hulumtimit është përqendruar në dyshimet për kurdisje të tenderit për NeuralMed, në pjesën e dytë prezantohen dëshmitë e radiologëve të Prizrenit rreth pajisjes kineze që u montua në Spitalin e Prizrenit.
“E padëshmuar në Evropë e rajon”
Radiologët e Prizrenit kanë qenë përgjegjës për t’i bërë specifikat e tenderit, por ata nuk u ndanë të kënaqur me pajisjen që iu erdhi në spitalin ku punojnë.
Në Komisionin Vlerësues për këtë tender, prej tre anëtarëve, dy janë nga QKUK – Besim Zeqiri e Muharrem Sadiku, kurse i treti Sylejman Krasniqi, është radiolog në spitalin e Prizrenit.
Ky i fundit nuk e kishte vënë nënshkrimin kur u shpall fituese kompania NeuralMed në konzorcium me prodhuesin nga Kina – Unitet Imaging Healthcare.
Përveç që nuk kishte nënshkruar, Krasniqi ua dërgoi edhe një letër zyrtarëve të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, për t’i shpjeguar arsyet.
Buletini Ekonomik ka siguruar lëtërkëmbimin e radiologëve të Prizrenit me zyrtarët e MSH-së gjatë periudhës sa tenderi ishte ende aktiv.
Në këtë letër, radiologu Krasniqi hedh dyshime serioze rreth pajisjes nga Kina që pritej të vinte në spitalin e Prizrenit.
“Prizreni si regjion ku jetojnë gati gjysëm milioni njerëz do të ishte e rendit të pajiset me një aparat të kualitetit të konfirmuar që do të shërbente për një kohë më të gjatë dhe pa defekte të shpeshta”, thuhet ndër të tjera në letrën e Krasniqit për MSH-në, të cilën e kishin nënshkruar edhe shtatë radiologë tjerë të këtij spitali.
Krasniqi, në këtë letër shpreh hapur pakënaqësitë me pajisjen, e cila sipas tij, ka “performaca të panjohura dhe nuk është instaluar askund në rajon”.
“Kemi kërkuar e hulumtuar për këtë aparat dhe ky për momentin është i instaluar vetëm në disa vende të Afrikës. Ju bëjmë apel të gjithë juve përgjegjësve në këtë tender, mos na pajisni me aparate të dobëta, ju lusim!”, thuhet në letrën që e posedon Buletini Ekonomik.
Por, ky apel i radiologut Krasniqi hasi në “veshë të shurdhër”. Tenderi nga MSH, me një nënshkrim mangu, u procedua tutje.
Ndaj Krasniqit, sipas dëshmive të publikuara në artikullin e parë, ishte ushtruar presion nga të gjitha anët, për ta vënë nënshkrimin.
Buletini Ekonomik këtë javë ka vizituar spitalin e Prizrenit, për ta intervistuar lidhur me këtë letër radiologun Sylejman Krasniqi.
Ai ka pranuar të flasë, ndonëse ka thënë se të gjitha çfarë ka pasur për të thënë gjenden në letrën dërguar MSH-së. Gjithsesi, ai i ka dhënë disa sqarime lidhur me arsyet që e shtynë ta dërgonte këtë letër.
“Në spital kemi edhe pajisje tjera nga Kina. Janë aparate që nxehen shpejtë dhe kërkojnë servisime të shpeshta. Nuk kanë as jetëgjatësi të madhe. Kjo ka qenë arsyeja që kam kërkuar pajisje të kualitetit të dëshmuar për Evropë”, ka thënë Krasniqi, në një bisedë për Buletini Ekonomik.
Pajisja kineze e instaluar në repartin e Radiologjisë në spitalin e Prizrenit për momentin është në fazën testuese, prandaj, sipas Krasniqit, ende nuk dihen kapacitetet e saj në përmbushjen e kërkesave të qytetarëve.
“Pajisje e mesme”, “imazhe modeste”
Kina është vend i njohur për mbiprodhim të rezonancave magnetike me kualitet më të dobët e me çmim më të lirë. Prodhuesi United Imaging Healthcare, prej të cilit ka blerë Ministria e Shëndetësisë, në uebfaqen në internet nuk ka asnjë fakt të bërë publik nëse ka të instaluara pajisje të tilla në Evropë, apo vendet e rajonit.
Një hulumtim rreth këtij prodhuesi e kishin bërë radiologët e Prizrenit para se të vinte pajisja, në fillim të këtij viti. Në letrën e radiologut Krasniqi, dërguar MSH-së, thuhet se “kjo pajisje është e panjohur për tregun e Evropës”.
Në uebfaqe të prodhuesit përmendet se një përfaqësi ky brend e ka edhe në Evropë, përkatësisht në Poloni, prej nga u importua pajisja për në Kosovë.
Rezonanca magnetike (MRI) është pajisja më e avancuar në fushën e radiologjisë. Njësia që e mat fuqinë e saj quhet teslla.
Në uebfaqe të prodhuesit kinez United Imaging Healthcare, rezonanca me fuqinë më të vogël, është pajisja që u instalua në spitalin e Prizrenit. Fuqia e saj është 1.5 teslla, ndërsa rezonanca me fuqinë më të madhe te ky prodhues është 5.0 teslla.
Radiologu Krasniqi thotë se pajisja që erdhi në Kosovë i përket nivelit të mesëm, është standarde, mirëpo kërkesa fillestare ka qenë për diçka tjetër.
“Ne fillimisht kemi kërku 3 t me qenë fuqia. Dy specifika i kemi bo, edhe 1.5 edhe 3 t, por na kthyen prapa”, ka thënë Krasniqi.
Pjesa kryesore e një rezonance magnetike është diametri i pjesës hyrëse dhe pjesa që më së shumti e afekton çmimin e kësaj pajisje. Preferohet që standardi i diametrit të jetë 70cm e më lartë. Radiologët e Spitalit të Prizrenit në krye me Sylejman Krasniqin, kishin vendosur që diametri i pjesës hyrës të jetë sipas standardit – 70cm.
Kjo kërkesë nuk ishte përfillur nga Ministria e Shëndetësisë. Pajisja kineze ka diametër 60 cm.
Radiologu Krasniqi shpjegon se diametri është me rëndësi sidomos te pacientët me obezitet.
“Ideja është që pacienti kur futet në tub me qenë komod. Diametri ndikon edhe te imazhet”, ka thënë ai.
Sipas tij, me këtë pajisje nuk është bërë zgjidhje afatgjate për qytetarët e Prizrenit.
“Synimi jonë ka qenë me e marrë një pajisje të magnetit me vendos sot, edhe mos me mendu më për pesë vitet e ardhshme. Me na çu deri në 10 vjet. Jo tash na me marrë një pajisje të dobët, një pajisje të klasës së mesme, e cila bën diçka, është deri diku standarde por jep edhe disa gabime në imazhe”.
Çmimi i pajisjes – dyfish më shtrenjtë se çmimi i tregut
Tenderi i Ministrisë së Shëndetësisë, në të cilin u shpall fituese kompania kosovare NeuralMed me brendin e prodhuesit kinez, peshon gjithsej 907 mijë euro, prej të cilave vetëm pajisja kushtoi 785 mijë euro.
Nga hulumtimi që ka bërë Buletini Ekonomik, kryesisht prodhuesit kinez të MRI-ve targetojnë vendet afrikane për furnizim me këto pajisje. Kjo për shkak të çmimit më të lirë dhe kualitetit më të dobët.
Pajisja me të cilën është furnizuar spitali i Prizrenit, në Kinë mund të blihet me një çmim prej 350 mijë euro deri në 400 mijë euro, përfshirë në këtë çmim edhe montimin e pajisjes nga prodhuesi.
Me këtë çmim, Buletini Ekonomik ka marrë ofertë nga prodhuesi i njohur në Kinë i MRI-ve, YsenMed.
Me të njëjtat specifika, sikurse MRI-ja e instaluar në Prizren, YsenMed ka ofruar një çmim prej 398 mijë e 500 dollarë amerikanë, ku përfshihet edhe montimi i pajisjes në Kosovë, nga inxhinierët e kompanisë.
Buletini Ekonomik, në bashkëpunim me radiologun Krasniqi, ka analizuar katalogun e pajisjes së prodhuesit YsenMed dhe ka krahasuar performancat me ato të pajisjes që erdhi në Kosovë. Ngjashmëria është gati 100 për qind.
“Po flasim për një standard të njëjtë, me fuqi 1.5 t me përformanca gati të njëjta”, ka vlerësuar radiologu Krasniqi.
Sa i përket çmimit me të cilin NeuralMed e bleu pajisjen nga prodhuesi kinez, drejtori i NeuralMed, Amir Marovci, i kontaktuar përmes telefonit, fillimisht ka thënë që t’i drejtohen pyetjet përmes email-it, por nuk është përgjigjur më vonë.
Buletini Ekonomik ka siguruar të dhëna nga Dogana e Kosovës, rreth çmimit me të cilin pajisja kineze hyri në Kosovë.
Kompania NeuralMed, ka prezantuar dy fatura për import të kësaj pajisje gjatë muajit dhjetor 2023. Njëra peshon 255 mijë euro kurse tjetra 250 mijë euro.
Por, drejtuesit e kompanisë nuk janë përgjigjur se a bëhet fjalë për dy pajisje, apo për një të vetme, e cila mund të jetë importuar në dy faza. /Buletini Ekonomik/
LEXO EDHE: