Në Ballkanin Perëndimor, Kosova mbetet vendi me shkallën më të lartë të popullsisë që është në moshë pune dhe e aftë për punë, por që është jashtë tregut të punës. Thënë ndryshe, gati çdo i dyti person që është në moshë pune “nuk kërkon” punë.
Sipas statistikave të fundit të Agjencisë së Statistikave në Kosovë (ASK) për vitin 2023, nga 40.7% (477 350 persona) e popullsisë, që është ekonomikisht aktive, 10.9 %, apo 51 mijë e 851 persona janë të papunë. Kurse 59.3% e popullsisë në moshë pune, është joaktive, apo 694 mijë e 413 persona gjithsej, janë jashtë tregut të punës.
Sipas ekonomistit Bledi Hasaj, kjo situatë në Kosovë ka mbetur e njëjtë ndër vite dhe se popullsia në moshë pune në Kosovë nuk ka rënë drastikisht këto vite. Sipas tij, mungesa e reformave thelbësore dhe financimit nga të gjitha qeveritë deri më tani mund të jenë disa prej arsyeve që kjo shifër është kaq e lartë.
Ai thotë se as shkalla e ekonomisë jo-formale nuk mund të jetë arsye për këtë shifër kaq të lartë, për shkak se sipas tij, situata është thuajse e ngjashme edhe në shtetet e tjera të rajonit.
Siç thotë Hasaj, ka vende shembull siç është Bosnja dhe Hercegovina e cila ka arritur të rrisë shkallën e aktivitetit, dhe kjo nuk është arritur për ndonjë arsye të ndryshimeve drastike në fuqinë punëtore në moshë pune. Situatë pozitive në këtë drejtim, ai thotë se dallohet edhe në Shqipëri, veçmas viteve të fundit. /Buletini Ekonomik/