Ankesat e pazëshme ndaj bankave në Kosovë

BQK - Buletini Ekonomik

Shumë kosovarë gjejnë zgjidhje jetësore nga kreditë që marrin nga bankat komerciale, por një pjesë e madhe përveç mundësive, gjejnë edhe telashet nga ndryshimi i kushteve të kredive e shërbimeve nga bankat, e që kryesisht janë derivat i mungesës së edukimit financiar.

Mirjeta Shabani

Armendin* nga Prishtina, një burrë mbi të 40-tat, viti 2021 e kishte gjetur me një brengë të kahmotshme dhe në të njëjtën kohë edhe dëshirë, për t’ia siguruar vetes dhe familjes së tij një vend që do ta quanin shtëpi. Për këtë ëndërr, nuk mjaftonin kursimet disavjeçare nga puna e vazhdueshme e Armendit me bashkëshorten e tij, ndonëse të dy për më shumë se një dekadë janë pjesë e tregut të punës në Kosovë.

Zgjidhjen e dinin se do ta gjenin tek bankat, por kjo nuk ishte zgjidhja më e dashur për Armendin, pikërisht për shkak të averzionit që edhe sot ka ndaj bankave. Por, prapë se prapë, ajo ishte alternativa e vetme që kishin në dispozicion.

Në vitin 2021, Armendit i ishte aprovuar kredia e parë. Megjithatë, deri në këtë pikë, ai thotë se kishte kaluar një periudhë disa mujore shumë stresuese dhe të mundimshme deri në përgatitjen e dokumenteve të kërkuara nga banka, por se ishte i lumtur që më në fund do ta bënte të tijën një shtëpi.

Reklama e sponzorizuar

Kredia që e kishte marrë ai në bankën Raiffeisen, ishte në vlerë të lartë dhe afati për pagesën e saj do të zgjaste disa vite. Me normën fillestare të interesit prej 3.2%, Armendi thotë se atë kohë ndihej me fat për kushtet e volitshme të kredisë. Por, kjo normë kishte zgjatur vetëm për 11 muajt e parë të kredisë, ndërsa kishte përpara edhe shumë vite tjera ‘larje’ këstesh.

Ai kishte menduar në fillim që ka normë fikse të kredisë. Por, pas 11 muajsh, përmes një mesazhi nga banka, Armendi kishte kuptuar se kredia e tij është me normë të ndryshueshme (variabile) të interesit. Ky mesazh përmbante informatën paralajmëruese se nga muaji i ardhshëm do të kishte ndryshime të normës së interesit në kredinë e tij, që do të rezultonte me rritje të këstit të kredisë.

Nga ky ndryshim i normës referencë, Armendit fillimisht i ishin shtuar për katër muajt e ardhshëm 20 euro më shumë pagesë interesi, derisa pas 4 muajsh atij i ishte rritur prapë kësti edhe për mbi 40 euro të tjera. Pra, një rritje totale e interesit në kredi prej mbi 60 eurosh brenda pak muajsh.

Si bazë për këtë rritje, banka kishte rritjen e normës së interesit “Euribor” në Evropë, pas shpërthimit të luftës mes Rusisë dhe Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Duke mos e pasur të qartë se pse po paguante çdo muaj më shumë, Armendi ishte drejtuar tek banka për të kuptuar se çfarë po ndodh me ndryshimet në kredinë e tij. Menaxherja e kredisë, siç tregon ai, i kishte thënë se kredia e tij është me normë të ndryshueshme të interesit, që për bazë ka normën Euribor e cila ka filluar të rritet atë vit në tregun evropian.

“Mua më kanë thanë që ta kena përmend Euriborin në fillim, po problemi më kanë thanë është që nuk ia kemi ba kërkujt kaq të madhe se prej krizës financiare më 2008, nuk ka pas ndryshime Euribori, ka qenë në nivele të ulëta”, shpjegon Armendi momentin kur kishte kuptuar se çfarë është Euribori.

Para kësaj, ai thotë se nuk ka pasur njohuri se çfarë është kjo normë, ndonëse e njëjta i figuron edhe në kontratë.

“Une idenë nuk e kam pas për Euribor. Për me qenë korrekt, nashta edhe veq ma ka përmend Euriborin si term, po nuk ma ka shpjegu kurrë askush aty që ka mundësi në të ardhmen na me pas rritje të këstit të kredisë”, thotë ai.

Kështu, për gati një vit me radhë, Armendi kishte paguar këstet e kredisë së tij me interes të shtuar shkaku i rritjes së Euribor-it në Eurozonë. Ndërkohë, pas bisedimeve të vazhdueshme me menaxheren e kredisë, ajo i kishte bërë një ofertë Armendit për ta rinegociuar kontratën fillestare – duke parë që niveli i Euribor-it nuk po binte. Ajo i kishte propozuar që ta gjenin një mes për fiksimin e normës së kredisë të paktën për 5 vitet e ardhshme. Por, kjo shumë nuk do të ishte as shuma fillestare që e kishte paguar 11 muajt e parë të kredisë, e as shuma e lartë e rritjes së interesit për 60 euro për katër muajt e fundit. Mesi ishte 35 euro në muaj më shumë se këstet e para të kredisë.

Armendi e kishte menduar gjatë këtë ofertë dhe e kishte pranuar të njëjtën, duke parë çdo ditë në lajme se lufta në Ukrainë nuk po përfundonte.

“Me 60 euro me të tregu drejtë krejt faturat mujore të shërbimeve i kryej. Po prapë thashë ma mirë ta fiksoj për 5 vjet, se nuk mujsha me nejt me atë pasigurinë a po rritet ma shumë Euribori apo jo; Ma mirë i paguaj 35 euro ma shumë, bile e kam kryet rahat”.

Por ai vazhdon ta ketë peng se pse nuk e kishte bërë një pyetje bazike para se ta merrte kredinë.

“Momenti që ndihem si viktimë është që pse s’e kam shtru pyetjen se: A ka naj mundësi me m’u rrit kësti najhere”, vazhdon Armendi.

Në anën tjetër, edhe llogaritë për këto 35 euro pagesë interesi për vitet e ardhshme, Armendit i dalin të larta për standardin e jetesës në Kosovë.

“Ka 35 euro – 2100 euro për 5 vjet. 4200 euro interes ma shumë për 10 vjet, ni veturë e blen. Që i bie se veturën që sot nuk e kam, bankat në një formë janë t’u m’i marr paret e saj”, llogaritë ai.

Norma maksimale e lejuar e normës Euribor është 6%. Nga viti 2020, sipas Agjencisë së Statistikave Ndërkombëtare “Statista”, kjo normë nuk ka shkuar më shumë se 4.16% asnjëherë.

Çka është EURIBOR-i?

Bankat komerciale në Kosovë, përveç kredive me norma fikse, ofertojnë edhe kredi me norma variabile (të ndryshueshme) të interesit. Në rastin e kredive me normë variabile, referencë për normë të aplikueshme në të ardhmen, ato kryesisht e përdorin normën Euribor të tregut evropian.

Euribor është një nga normat kryesore të interesit të referencës ndërbankare të Eurozonës. Normat e Euribor-it bazohen në normat mesatare të interesit me të cilat një panel i madh bankash evropiane marrin hua nga njëra-tjetra.

Në Kosovë, shumica e kredive të dhëna nga bankat janë me normë fikse të interesit dhe kësti që paguajnë kredimarrësit mbetet i njëjtë deri në maturim, sepse këto kredi nuk ndikohen nga lëvizjet e Euribor-it. Ndërsa, kreditë e marra me normë variabile të interesit janë direkt të lidhura me normën Euribor.

Albulenë Kastrati, ekonomiste dhe ligjëruese universitare në Amerikë, thotë se norma e Euribor-it ka shënuar rritje më të theksuar prej fillimvitit 2023. Ajo shpjegon se sa herë që ndryshon (rritet) norma Euribor në tregjet evropiane, automatikisht ndryshon (rritet) edhe norma mujore e interesit në kredi dhe rrjedhimisht edhe vlera e këstit mujor që duhet paguar nga huamarrësi në Kosovë. Për këtë, ajo iu bën thirrje të gjithë kredimarrësve në Kosovë që të lexojnë kontratat e kredisë që ua ofron banka para se t’i nënshkruajnë ato.

“Kredimarrësit në Kosovë duhet të lexojnë me kujdes çdo kontratë kredie dhe të mësojnë se, ndonëse aktualisht norma variabile e interesit në kredi mund të jetë e ulët dhe tani për tani kësti i kredisë mund të jetë i ulët (sepse EURIBOR mund të jetë poshtë), në të ardhmen Euribor-i mund të rritet, dhe këtë rrezik e merr përsipër vet kredimarrësi”, thotë ajo.

Sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorëve në Kosovë (neni 91), një marrëveshje kreditore mes bankës dhe kredimarrësit, ndër të tjera, duhet të përmbajë: normën e interesit, kushtet që rregullojnë zbatimin e normës e interesit dhe, kur është e mundur, çdo indeks ose normë reference të aplikueshme për normën fillestare të interesit, si dhe periudhat, kushtet dhe procedurat për ndryshimin e normës së interesit, nëse në rrethana të ndryshme zbatohen norma të ndryshme të interesit.

Normat Euribor konsiderohen si normat më të rëndësishme të referencës në tregun evropian të parasë. Në tetor të këtij viti, norma mujore e ofertës ndërbankare të euros (EURIBOR) për fondet njëjavore ishte 3.31 për qind, krahasuar me 2.69 për qind për fondet dymbëdhjetëmujore. Më pastaj, në nëntor ishte shënuar edhe më tej ulje e Euriborit. Konkretisht, më datë 8 nëntor 2024, norma javore e Euriborit në tregun evropian ka qenë 3.135%, për një muaj 3.087%, për tre muaj 3.032%, për gjashtë muaj 2.822% dhe për një vit ka qenë 2.534%.

Pika më e lartë e Euriborit kishte qenë në muajin tetor të vitit 2023, ku norma vjetore kishte shkuar në 4.16%, që në të njëjtën kohë, sipas Statista-s, kishte qenë norma më e lartë e Euribor-it në katër vitet e fundit. Nga indeksi minus që kishte për një kohë të gjatë që nga kriza financiare më 2018, Euribori kishte filluar trendin në plus që nga muaji prill i vitit 2022 për fondet 12 mujore, për të vazhduar më pas e njëjta rritje deri në shtator edhe për fondet njëjavore, ato tremujore dhe gjashtëmujore.

Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Kosovë, para se konsumatori të hyjë në detyrime në ndonjë marrëveshje kredie, kredidhënësi apo ndërmjetësuesi i kredisë, duhet që në bazë të informacionit të kërkuar nga konsumatori, t’i sigurojë konsumatorit informacionin e duhur para-kontraktor për të krahasuar ofertat e ndryshme – në mënyrë që ai të marrë një vendim për lidhjen e një marrëveshje kredie.

Armendi thotë se kjo para-kontratë për ta krahasuar ofertën, nuk i është ofruar nga banka Raiffeisen para marrjes së kredisë, edhe pse sipas ligjit, para-kontrata është e obligueshme t’u ofrohet klientëve nga çdo bankë.

Shumë viktima, pak ankesa

Lidhur me aplikimin e normës variabile të kredisë Euribor, Banka Qendrore e Kosovës thotë se gjatë vitit 2023 ka pranuar vetëm 26 ankesa nga klientët bankar. Ndërsa nga janari deri në shtator 2024, në këtë institucion kanë shkuar gjithsej 15 ankesa.

Për këto ankesa, BQK-ja thotë se në bazë të Rregullores për Normën Efektive të Interesit dhe kërkesave ndaj bankave për shpalosje të informatave në të gjitha kontratat e kredisë mes bankës dhe klientit, të njëjtit kanë qenë të informuar rreth kushteve të kredisë dhe periudhës së ndryshimit të normës së interesit.

Në anën tjetër, ekonomistja Kastrati thotë se bankat zakonisht nuk i proklamojnë të gjitha të drejtat dhe detyrimet e klientëve në ofertat që reklamojnë në fillim, sepse ofertat mund të duken më pak tërheqëse për klientët. Megjithatë, sipas saj, bankat janë të detyruara të shpërfaqin të gjitha të drejtat dhe obligimet si të klientit, si të bankës në kontratat përkatëse. Por, siç thotë ajo, shpeshherë edhe vetë klientët e bankave nuk kërkojnë të dinë më shumë rreth të drejtave dhe përparësive që kanë kur përdorin produkte dhe shërbime bankare.

Ankesa ndaj bankave komerciale kanë edhe klientë të tjerë përpos Armendit, të cilët nuk kanë njohuri të mjaftueshme rreth produkteve bankare dhe as për shfrytëzimin e të drejtës së tyre për ankesë nëse iu është bërë padrejtësi.

Meritoni*, një ish-klient i bankës Raiffeisen, ka treguar për Buletinin Ekonomik përvojën e tij me rastin e mbylljes së kredisë që kishte marrë në këtë bankë më 2021.

Kredia që kishte marrë ai kishte qenë në vlerë 10 mijë euro, me këste pagese për 3 vjet. Marrja e kredisë në këtë bankë, Meritoni thotë se kishte qenë shumë e lehtë, po mbyllja e saj më pas kishte qenë e vështirë.

Ndonëse thotë se kishte bërë kërkesë në këtë bankë për mbyllje të kredisë 4 muaj të plotë para afatit kur do të përfundonte edhe kësti i fundit sipas kontratës, atij i është dashur të presë mbi 1 muaj e gjysmë për ta mbyllur kredinë, me arsyetimet për procedura administrative dhe pushim të stafit.

“Katër muaj para kohe kom shku me e mbyll kredinë, 1 muj e gjys m’kan vonu me procedura me e mbyll kredinë, me aryetimet jo jena n’pushim, jo s’jena”.

Meritoni thotë se ishte ankuar tek menaxheri i pikës së kësaj banke në qytetin e tij, mirëpo i njëjti i është drejtuar me fjalët se “vetëm menaxheri i kredisë ka të drejtë ta mbyllë kredinë”. Kurse ky i fundit kishte qenë në pushim të prindërimit për më shumë se një muaj.

Duke e parë se banka në fjalë s’po i bënte zgjidhje brenda muajit, Meritoni thotë se një shok i kishte propozuar të kontaktojë përmes telefonit edhe Bankën Qendrore të Kosovës për zgjidhje të mundshme të problemit, por nuk ishin në dijeni asnjëri se në BQK mund të dorëzohej edhe ankesë e shkruar zyrtare kundrejt bankës përkatëse.

“Kom thirrë njëherë në Bankën Qendrore, veç më thojshin është procedurë, duhesh me fol me bankën direkt. Më patën than veç agjenti i bankës vendos kur me e mshel – kur jo”, thotë ai.

“As agjenti i BQK-së nuk më ka thanë atë ditë që une shembull muj me dorëzu ankesë të shkrume e që e marrin parasysh”, shton Meritoni.

E në mungesë të një zgjidhjeje nga BQK-ja dhe vet banka ku Meritoni ishte klient atëherë, zgjidhjen e kishte bërë vet. Ai tregon se vetëm kur iu ka thënë në bankë se e ka patjetër ta mbyllë atë kredi sa më shpejt, për shkak se do të marrë edhe një kredi më të lartë në të njëjtën bankë, ata kanë vendosur për mbyllje të përshpejtuar të saj.

“Mas një muaji e gjysmë, mezi dikur pranuan edhe e mbylla, edhe atë veç masi iu thashë se du me e marr një tjetër kredi me shumë ma të lartë në atë bankë, ma mbyllën. Ndryshe, nuk dojshin me ma mbyllë.”

Në bazë të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, konsumatori ka të drejtë në çdo kohë para afatit të maturimit të shlyejë plotësisht ose pjesërisht detyrimet e tij nga marrëveshja e kredisë konsumatore. Në këto raste, kredi-dhënësi (banka), sipas ligjit, duhet të bëjë një reduktim të kostos totale të kredisë. Ky reduktim konsiston në uljen e interesit dhe kostot e aplikuara mbi pjesën e pashlyer të kredisë, për periudhën e mbetur sipas marrëveshjes së kredisë.

“Pas pranimit të kërkesës për parapagim të kredisë, kredi-dhënësi duhet që t’i përfundojë të gjitha procedurat e mbylljes së kredisë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve”, thuhet tutje në nenin 97 të këtij ligji.

Përpos vonesës në mbylljen e kredisë, Meritonit ia kishin ndalur edhe një shumë të sigurimit të kredisë për katër muajt e mbetur deri në maturim, me rastin e mbylljes së kredisë.

“Edhe mandej edhe për katër muaj, m’i kanë ndalë paret e sigurimit të kredisë që kom pas me i pagu, afër 5 eurove për secilin muaj”.

Kjo procedurë e zgjatur, që sipas Meritonit ishte e pakuptimtë, e kishte shkurajuar atë të aplikonte në të njëjtën bankë për kredinë e re. Pas kësaj përvoje, ai kishte vendosur ta mbyllë edhe xhirollogarinë në këtë bankë dhe të kalojë si klient në një bankë tjetër në Kosovë.

Edhe Ahmeti*, 75 vjeç nga Prishtina, këto ditë është përballur me një ngjarje që ndër ankesat tjera ndaj bankave, është më e pazakontë në sistemin bankar në vend.

Ahmeti, tash pensionist, gjatë kohës sa ishte aktiv si fuqi punëtore e deri në ditët e fundit pak para se të dilte në pension, kishte kursyer vazhdimisht dhe të njëjtat mjete i kishte depozituar në bankën ku ende është klient i rregullt. Ai thotë se një pjesë të kursimeve, i kishte afatizuar për një periudhë të caktuar, me shpresën se të njëjtat do t’i gjente po aty kur të skadonte afati i afatizimit. Por, nuk kishte ndodhur ashtu.

Ahmeti tregon se pas një ngjarjeje familjare ditëve të fundit, atij iu kishin dashur urgjentisht një pjesë e mirë e depozitimeve të tija që t’i shfrytëzonte.

“Kam depozituar një shumë parash, të cilat i kisha afatizuar për një periudhë të caktuar. Dhe, kjo periudhë kohore e afatizimit kishte muaj që kishte kaluar, ndërkohë, unë kisha nevojë për një pjesë të parave të depozituara. Kur shkova në bankë, më thanë shkurt: “nuk mund t’i tërheqësh paratë e kërkuara për shkak të afatizimit të tyre”.

Afati i depozitimeve të tija, sipas kontratës fillestare me bankën, kishte kaluar para katër muajve.

“Unë u shpjegova se afati i afatizimit ka mbaruar muaj më parë, por punëtorja e bankës ma ktheu se këtu po figuron kështu, pra se paratë e mia të depozituara vazhdonin të jenë të afatizuara, sado që sipas kontratës fillestare të bërë me bankën, ky afat kishte muaj që ka skaduar”, ka rrëfyer ai.

Prishtinasit të moshuar, pas shumë e shumë vajtje-ardhjesh në bankë dhe bisedave të shumta për dy javë me zyrtarë të bankës dhe pas ankesës që kishte bërë në bankë, tashmë i është zgjidhur çështja dhe ka tërhequr depozitat e tij.

Arsyetimi i bankës kishte qenë se janë riafatizuar të njëjtat gabimisht, duke i kërkuar falje për gabimin.

Në ndërkohë, nga Banka Qendrore e Kosovës thonë për Buletinin Ekonomik se gjatë këtij viti (janar-shtator 2024), numri i ankesave ndaj bankave komerciale të adresuara në BQK, është 386, ndërsa në vitin 2023 kanë qenë gjithsej 448 ankesa. Sipas BQK-së, ankesat më të shpeshta që drejtohen tek ta kanë të bëjnë me produktet kreditore si dhe ankesa për menaxhimin e llogarisë bankare.

Lidhur me atë se si trajtohen këto ankesa e ana e BQK-së, ata thonë se banka shqyrton të gjitha ankesat e parashtruara nga ana e klientëve të institucioneve financiare apo të palëve të tjera që kanë ndonjë interes lidhur me shërbimin e caktuar financiar, në pajtueshmëri me rregullën e brendshme për trajtimin e ankesave. Për rastet kur ankesa është e bazuar, BQK-ja thotë se si Rregullator lëshon rekomandime ndaj institucionit financiar në pajtueshmëri me rregullën e brendshme për trajtimin e ankesave, ndërsa thekson se vetëm në procese ekzaminuese më pas, mund të shqyrtohet niveli i marrjes parasysh të tyre.

“Në Ligjin e ri për Bankat, që është në proces të shqyrtimit në Kuvend, BQK-ja ka marrë kompetencë shtesë për të vepruar si autoritet i mbrojtjes së konsumatorit të produkteve dhe shërbimeve financiare. Kjo do të rris edhe cilësinë e ofrimit të shërbimeve”, thonë ndër të tjera nga BQK-ja për Buletinin Ekonomik.

Në kuadër të Edukimit Financiar, nga Banka Qendrore e Kosovës theksojnë se vazhdimisht kanë aktivitete të vetëdijësimit të qytetarëve.

Ndërkohë, nga këndvështrimi i një ekonomisteje, Kastrati potencon se programi i BQK-së për edukim financiar, nuk ka dhënë rezultate të prekshme deri më tani, prandaj sipas saj, atyre iu nevojitet një strategji e re dhe më energjike.

“Jo të gjithë klientët e dinë se mund të ankohen në  Departamentin e Ankesave në kuadër të BQK, por edhe promovimi i aktiviteteve dhe komunikimi me publikun nuk janë pika të forta të BQK-së”, thotë ajo.

Sipas Kastratit, vetë bankave komerciale iu konvenon të investojnë më shumë në edukim financiar, sepse kësisoji rrisin numrin e klientëve që do të ishin në gjendje të marrin kredi. Megjithatë, siç thotë ajo, bankat në Kosovë vazhdojnë të jenë konzervative në kredidhënie, dhe fokusohen kryesisht te kredimarrësit ‘e mirë’ e me kapacitet të lartë të kredimarrjes.

Në një raport të Instituti GAP të emëruar “Mbrojtja e konsumatorëve në sektorin bankar“, i publikuar në vitin 2019, theksohet se BQK ka krijuar video informuese si dhe ka divizion për edukimin financiar dhe organizon aktivitete me nxënës e studentë, por, sipas tyre, videot dhe aktivitetet e tyre nuk arrijnë te një pjesë e madhe e qytetarëve.

Për ta mbështetur këtë raport, Instituti GAP kishte realizuar edhe një anketë online me konsumatorë të bankave komerciale në Kosovë për të vlerësuar përshtypjet e tyre rreth produkteve e shërbimeve financiare të marra nga banka kryesore të cilën e përdorin. Anketa ishte realizuar me 675 të anketuar.

Sipas kësaj ankete, vetëm pak më shumë se gjysma e të anketuarve, kanë pasur njohuri se mund të ankohen në bankën e tyre dhe në BQK, por as pesë për qind e tyre nuk e dinë se mund të ankohen edhe në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Shumica kishin deklaruar se janë ankuar në bankën ku kanë marrë shërbimet dhe në BQK. Rreth 40% e tyre kanë deklaruar se ankesa iu është refuzuar, 34% kanë deklaruar se iu është pranuar pjesërisht dhe 27% se iu është pranuar plotësisht ankesa. Ndërkaq, sa i përket kredive, rezultatet e anketës tregojnë se një numër i konsiderueshëm i klientëve nuk e lexojnë kontratën – rreth 23%, megjithëse numër më i madh kanë deklaruar se e lexojnë atë në tërësi – rreth 40%.

Kjo anketë nxjerr në pah edhe një të dhënë tjetër se rreth një e treta e qytetarëve në Kosovë (35%) ngatërrojnë normën nominale të interesit dhe normën efektive të interesit, kurse rreth një e pesta (19%) e qytetarëve ngatërrojnë debit kartelën me kredit kartelën. Pra, një pjesë e të anketuarve nuk kanë njohuri të mjaftueshme financiare për t’u siguruar që edhe ato informata që i marrin nga bankat t’i kenë të qarta. Në këtë pikë, nga GAP-i theksojnë se edhe bankat dështojnë të publikojnë informata të kuptueshme lehtë nga qytetarët.

Derisa nuk e shfajëson veten, Armendi thotë se edhe niveli i ulët i edukimit financiar kishte bërë që ai të mos i kuptojë qartë termet bankare, anipse ka nivel të edukimit më të lartë se mesatarja e kosovarëve.

“Kom pagu interes për bankën ma shumë për shkak të mos-informimit të duhur prej bankës, këtu s’po e shfajësoj edhe veten për leximin e kontratës, po në anën tjetër problematik është fakti se qysh unë si një njeri që lexoj çdo ditë s’po muna me e dit saktë se çka është (Euribori), e pyes veten se qysh mundet me e dit një njeri shembull në fshat atje, ose një fermer se çka është Euribori… Këto sene duhet me u shpjegu nga bankat”, përfundon ai. /Buletini Ekonomik/

Shënim*: Armendi, Meritoni dhe Ahmeti janë emra anonimë të njohur për redaksinë e Buletinit Ekonomik, por që kanë folur në kushte anonimiteti për përvojat e tyre të hidhura në bankat komerciale në vend.

 

Shënim**: Ky artikull është publikuar me ndihmën financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e BULETINIT EKONOMIK dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Evropian.