Për 11 muaj, Shqipërinë e vizituan 4.2 milionë kosovarë

Sipas të dhënave të INSTAT për origjinën e vizitorëve të huaj që zgjodhën Shqipërinë si destinacion gjatë muajit nëntor 2024, është evidentuar një prirje dominuese nga disa shtete specifike. Kosova zë vendin e parë, duke regjistruar 230,673 vizitorë që vizituan vendin tonë gjatë këtij muaji.

Italia renditet e dyta me 73,472 vizitorë, ndërsa Gjermania pozicionohet në vendin e tretë me 11,017 vizitorë. Këto shifra pasohen nga Franca me 5,926 vizitorë dhe Kina me 2,308  vizitorë, duke reflektuar diversitetin në origjinën e të huajve që zgjodhën të vizitojnë Shqipërinë.

Zvicra, gjithashtu, ka regjistruar 1,938 hyrje, ndërsa Mali i Zi, një nga fqinjët tanë më të afërt, solli 63,783 vizitorë. Ndërsa, Greqia dhe Maqedonia e Veriut kontribuan me përkatësisht 49,745 dhe 54,831 vizitorë.

Reklama e sponzorizuar

Belgjika, edhe pse me një numër më modest, ka regjistruar 3,337 vizitorë, duke shënuar një interes të shtuar krahasuar me disa periudha të mëparshme.

Nëse krahasojmë shifrat e nëntorit 2024 me ato të një viti më parë, rezulton se Franca ka pasur rritjen më të madhe me 41%, e ndjekur nga Gjermania me një rritje prej 28.9%. Greqia dhe Italia regjistruan rritje prej 15.3% dhe 22.7%, ndërsa Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut patënj një  rritje përkatësisht prej 12.3% dhe 31%. Nga ana tjetër, Kosova është i vetmi shtet me një ulje të lehtë prej -1.9%.

Edhe shifrat për vizitorët e huaj gjatë 11-mujorit tregojnë se mbizotërojnë hyrjet nga Kosova, ndjekur nga vendet e Bashkimit Evropian, si Italia, Gjermania dhe Franca.

Konkretisht gjatë periudhës janar -nëntor të vitit aktual ishin rreth 4.2 milionë turistë nga Kosova, 1.16 milionë turistë nga Italia, 356,079 vizitorë nga Gjermania dhe 212,019 vizitorë nga Franca. Ndërkohë, Spanja renditet e pesta me 105,969 vizitorë në 11 muaj. Po ashtu kanë kontribuar ndjeshëm në rritjen e turizmit edhe shtetet si Zvicra, Austria, Kroacia, Kanadaja dhe Kina, që sollën rreth 265 mijë vizitorë gjithsej. /Scan tv/