KESCO: Gjatë 21 ditëve të janarit janë importuar 28 milionë euro energji elektrike

Brenda 21 ditëve të janarit, konsumi mesatar ditor i energjisë elektrike në Kosovë, siç ka njoftuar Margarita Rashiti, zyrtare për informim në KESCO, ka arritur në 26 mijë megavatë-orë, ose mesatarisht mbi 1000 e sa megavatë brenda një ore. Ndërsa brenda orëve të pikut, kosovarët kanë shpenzuar saktësisht deri në 1,330 megavatë orë energji elektrike.

Buletini Ekonomik

Zyrtarë të KESCO-së, kompanisë për distribuimin e energjisë elektrike në Kosovë, i kanë thënë Buletini Ekonomik se brenda 21 ditëve të janarit (1-21 janar 2024), për nevojat e konsumit të Kosovës janë importuar 28 milionë euro energji elektrike. Brenda kësaj periudhe, konsumi mesatar ditor i energjisë elektrike në Kosovë, siç ka njoftuar Margarita Rashiti, zyrtare për informim në KESCO, ka arritur në 26 mijë megavatë-orë, ose mesatarisht mbi 1000 e sa megavatë brenda një ore. Ndërsa brenda orëve të pikut, gjatë kësaj periudhe, kosovarët kanë shpenzuar saktësisht deri në 1,330 megavatë orë energji elektrike.

Reklama e sponzorizuar

Këto shifra të energjisë elektrike të shënuara si konsum gjatë ditëve të shkuara të janarit, e rikonfirmojnë se Kosova me kapacitetet ekzistuese të prodhimit (rëndom janë në operim dy blloqe të termocentraleve Kosova A dhe dy të tjera të Kosovës B, me gjithsej dikur rreth 780 megavatë-orë), nuk ka gjasë reale për të përmbushur nevojat e konsumit në rritje si rrjedhojë e ditëve të acarta të dimrit. Aq më shumë, mungesat e energjisë elektrike nga burimet vendore të prodhimit bëhen më evidente kur dihet se nga termocentralet aktive të KEK-ut (dy blloqe të Kosovës A dhe dy të Kosovës B) nuk kanë mundësi reale të punojnë pa ndërprerë gjatë tërë ditëve.

LEXO EDHE:

KOSTT: Janë të mbyllura linjat e transmetimit të energjisë elektrike me Serbinë

Pati pra, ndërprerje të shkurtëra një-dy ditëshe edhe gjatë janarit për shkak të defekteve teknike që kanë ndodhur në ndonjë nga stabilimentet e termocentraleve tona të stërvjetruara. Dhe çdo ndërprje, qoftë e çastit, do të thotë, për aq kohë sa do të ndodhë riparimi i njësisë me defekte teknike, Kosova do të ketë më pak energji elektrike.

“Mosha” e termocentraleve tona (Kosova A është ndjeshëm më e vjetër se Kosova B), përkundër përpjekjeve të padiskutueshme të KEK-ut, që nëpërmjet riparimeve të shpeshta dhe të shumta t’ua kthejnë freskinë e tyre dhe t’ua zgjasin vitet e prodhimit, ka ndikimin e drejtpërdrejt në funksionimin e tyre, në ndërprerjet e paparshikuara për shkak të ndonjë defekti teknik në stabilimente e kështu me radhë. Defektet teknike në termocentralet e stërvjetruara, thjesht, nuk mund të parashikohen. Ato (defektet, pra) mund të ndodhin dhe kanë ndodhur edhe në këtë dimër. Prandaj na del gjithë ky import dhe gjithë këto para për të siguruar energjinë e domosdoshme për t’i ikur territ me pasoja, ose së paku për ta zbutur krizën e shkaktuar nga mungesa e prodhimit nga kapacitetet vendore të rrymës.

Duhet thënë se edhe po të punonin me kapacitet të plotë të gjitha kapacitetet tona aktive të prodhimit të rrymës, dy blloqet e termocentraleve Kosova B (B1 dhe B2-shi) me kapacitet dy herë 260 megavatë-orë, si dhe 2 blloqe të Kosovës A me gjithsej 260 megavatë, ose secili bllok me kapacitet 130 megavat, dhe dhjetëra megavatë të tjerë, si rëndom, që sigurohen nga kapacitetet ekzistuese të pakta të energjisë së rinovueshme, nga disa minihidrocentrale aktive dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës (me gjithsej bashkarisht, 800 megavatë-orë energji elektrike, ose shumë-shumë 850 MËh ), prap se prap në rrethanat e rritjes së konsumit, mbi 1.100 megavatë-orë e përtej nuk do të ishte energji e bollshme.

Të dhënat e KESCO-së për koston e importit të energjisë elektrike prej 26 milionë eurove për 21 ditë të janarit 2025, kur dihen edhe çmimet e ngritura të rrymës në bursat ndërkombëtare të energjisë elektrike si pasojë e ditëve me temperatura të ulura, dalin të jenë kaq të larta. Dhe, nëse vazhdon ky ritëm i importit, është lehtësisht e mundshme që të arrihet importi rekord prej 35 milionë eurove, i shënuar gjatë dhjetorit të 2024-tës.

Në importin kaq të madh të energjisë elektrike për nevojat e konsumit të vendit, ka pasur ndikim të theksueshëm edhe ngecja evidente e këmbimit të energjisë elektrike me Shqipërinë, për shkak se në liqenet akumuluese të hidrocentraleve shqiptare, nuk ishte gjendja e volitshme me rezerva të ujit, dhe për këtë shkak edhe KESH gjatë këtyre ditëve ka importuar sasi të konsiderueshme të rrymës për nevojat e konsumit vetanak.

Njohësit e zhvillimeve energjetike, edhe inxhinierë me përvojë në KEK, parashikojnë këtë situatë të brishtë elektroenergjetike në Kosovë edhe në ditët në vazhdim, nëse vazhdojnë të mbajnë temperaturat të acarta. Ata shprehen me pesimizëm për gjendjen për periudhën e mbetur të këtij dimri, duke u mbështetur në kapacitetet ekzistuese të prodhimit të rrymës në termocentralet e “mplakura” të vendit, por edhe të gjendjes së rezervave të ujit në Shqipëri.

Shumica e zërave që janë të preokupuar me situatën elektroenergjetike në vend, në muajt në vijim situatën elektroenergjetike të vendit e ndërlidhin kryekëput me motin, varësisht se si do të jetë ai deri në pranverë dhe me kursimin e domosdoshëm të rrymës nga konsumatorët e vendit.

Ndërkohë, po kështu, dihet se apelet e parreshtura të KESCO-s dhe KEDS-it kundrejt konsumatorëve për kursim të rrymës, nuk e kanë pasur jehohën e pritshme. Edhe në këtë dimër, një numër shumë i madh kosovarësh kanë ngrohur shtëpitë e tyre me rrymë. /Buletini Ekonomik/