Pesë paqartësitë në raportin e ZRrE-së: Dyshime për ‘manipulim’ në përcaktimin e tarifave

Një analizë e Institutit për Politika Zhvillimore (INDEP) që u ka bërë raporteve konsultative të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ngre dyshime të forta për ‘manipulim’ në përcaktimin e tarifave të rrymës për vitin 2025, ku përfshihet edhe propozimi për rritjen prej 15 për qind.

INDEP ka analizuar raportet konsultative të ZRRE-së për Përshtatjet Vjetore të të Hyrave Maksimale të Lejuara për vitin tarifor 2025.

Nga analiza dalin së paku pesë paqartësi në mënyrën se si është kalkuluar nga zyrtarët e ZRRE-së propozimi për rritjen prej 15 për qind të tarifave. Fillimisht, në raport thuhet se ZRrE ka “dështuar në sigurimin e transparencës së plotë të këtij procesi, duke e kufizuar konsultimin vetëm në raportet teknike të përshtatjes së të hyrave, pa bërë publik ndonjë propozim konkret mbi strukturën tarifore apo nivelin specifik të tarifave për konsumatorët”. Kjo bie ndesh me obligimet ligjore të përcaktuara në Ligjin Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, neni 27, që kërkon transparencë dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe grupeve të interesit në vendimmarrjen tarifore.

Reklama e sponzorizuar

Paqartësia e parë e analizuar nga INDEP është “Faktori i Efikasitetit të Kostove Operative” (OPEX) që ka ndikim në kostot e tarifave të rrymës. Në Raportin Konsultativ, ZRRE ka përcaktuar që kostot operative (OPEX) të Furnizuesit me Shërbim Universal (FSHU) për vitin tarifor 2025 të indeksohen me një faktor efikasiteti prej 0.75%. Mirëpo, sipas INDEP, në raportin e ZRRE nuk ofrohet asnjë shpjegim metodologjik apo analizë e qartë se si është përcaktuar ky nivel efikasiteti. Vendimi V_2637_2025, i cili paraqitet si bazë për këto kalkulime, gjithashtu nuk ofron një arsyetim të detajuar lidhur me këtë figurë specifike.

“Duke marrë parasysh rëndësinë e këtij faktori dhe ndikimin e tij në përcaktimin e të hyrave të lejuara maksimale (MAR), INDEP kërkon nga ZRRE që: · Të sqarojë në mënyrë transparente metodologjinë dhe kriteret e përdorura për përcaktimin e faktorit të efikasitetit prej 0.75%. · Të ofrojë analizë ekonomike mbi realizueshmërinë e këtij faktori duke marrë parasysh kushtet aktuale ekonomike dhe operacionale në tregun e energjisë në Kosovë. · Të argumentojë qartë nëse është realiste dhe e bazuar në evidenca objektive pritja që FSHU do të realizojë një rritje të efikasitetit prej 0.75%, veçanërisht në kushtet e paqëndrueshme ekonomike dhe energjetike të kohës. Pa ofruar këto sqarime, vendosja e një faktori të tillë efikasiteti mbetet jotransparente, duke krijuar rrezik për mosrealizim dhe rrjedhimisht transferim të barrës së kostove shtesë tek konsumatorët përmes tarifave më të larta në vitet pasuese”, thuhet në raportin e INDEP.

Paqartësia e dytë lidhet me atë që INDEP  e quan “Sqarimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e transparencës për Kostot e Bartshme dhe ndikimin e deregulimit”. Në Raportin Konsultativ mbi Përshtatjet Vjetore të të Hyrave të Lejuara Maksimale (MAR) për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU), kostot e bartshme paraqesin një pjesë të konsiderueshme të strukturës tarifore të propozuar nga ZRrE. Këto kosto, të cilat përfshijnë tarifat e OST/OT (KOSTT), OSSH (KEDS) dhe Fondit të Burimeve të Ripërtëritshme (BRE), janë përcaktuar duke u bazuar në sasitë e furnizimit për konsumatorët e rregulluar dhe duke marrë parasysh efektin e procesit të deregulimit.

INDEP konstaton se Raporti nuk ka sqaruar në mënyrë të mjaftueshme dhe transparente:

  • Si janë përcaktuar konkretisht këto kosto bartëse, dhe në çfarë mase është analizuar dhe vërtetuar që ato janë të justifikuara dhe të arsyeshme?
  • Si ndikon specifikisht procesi i deregulimit të konsumatorëve në këto kosto, veçanërisht në aspektin e sasive dhe profilit të energjisë së blerë nga FSHU?
  • Cilat kategori të konsumatorëve preken konkretisht nga ndryshimet, sa është vëllimi i konsumit të tyre dhe si ky ndryshim reflektohet në nivelin e tarifave për konsumatorët e mbetur në tregun e rregulluar?
  • Cili është ndikimi afatmesëm dhe afatgjatë i deregulimit të konsumatorëve mbi këto kosto dhe mbi stabilitetin financiar të FSHU-së, duke marrë parasysh se deregulimi do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme?

Për tu sqaruar kjo, INDEP kërkon nga ZRRE të publikojë analizën e detajuar ekonomike dhe metodologjinë e përdorur në përcaktimin e kostove të bartshme për FSHU-në, duke demonstruar se këto kosto janë të justifikuara dhe të bazuara në kostot reale të shërbimeve.

Paqartësia e tretë lidhet me mungesën e transparencës në përcaktimin e kostove të blerjes së energjisë me shumicë.

Në kapitullin që trajton kostot e blerjes së energjisë me shumicë (ËHPC) për vitin 2025, raporti i ZRRE identifikon disa çështje kritike lidhur me përshtatjen e çmimit të energjisë së blerë nga hidrocentralet me koncesion. Dokumenti vetë pranon se palët e përfshira kanë përdorur një qasje të ndryshme nga ajo e përcaktuar në Marrëveshjen për Shitblerjen e Energjisë (PPA), duke rezultuar në çmime që devijojnë nga propozimi fillestar. Si rrjedhojë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka aplikuar një korrigjim prej -0.45 milionë euro, duke vendosur shpërndarjen e kësaj vlere përgjatë tri viteve (- 0.15 milionë euro në vit).

“Megjithatë, në dokument mungojnë sqarimet e duhura mbi arsyet që kanë çuar në këtë korrigjim, metodologjinë e zgjedhur për shpërndarjen trevjeçare të kësaj vlere, si dhe mbi ndikimet konkrete që ky korrigjim do të ketë në tarifat e konsumatorëve në periudhën afatmesme dhe afatgjate”, thuhet në raport.

INDEP konsideron se Mungesa e transparencës lidhur me metodologjinë dhe arsyetimin e ndryshimit të qasjes për përshtatjen e çmimeve të energjisë nga hidrocentralet me koncesion cenon besueshmërinë e parashikimeve për kostot e blerjes së energjisë. INDEP rekomandon që ZRRE “Të sqarojë në mënyrë të detajuar dhe transparente pse është devijuar nga marrëveshja fillestare (PPA) dhe të publikojë metodologjinë e plotë që ka çuar në korrigjimin e vlerës prej -0.45 milionë euro”.

Paqartësia e katërt ka të bëjë me Përdorimin e Indeksit të Inflacionit të Eurozonës (HICP) për indeksimin e kostove të lejuara. Në Raportin Konsultativ, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka përdorur Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit (HICP) të Eurozonës për indeksimin e kostove operative (OPEX), kostove të amortizimit dhe kthimit të lejuar për vitin 2025. Konkretisht, është përdorur shkalla e inflacionit prej 2.36%, e publikuar nga Eurostat për vendet e Eurozonës. Por INDEP shpreh shqetësimin se Kosova nuk është pjesë e Eurozonës dhe indeksi i inflacionit i Eurozonës “mund të mos reflektojë me saktësi realitetin ekonomik lokal”. Në raport, sipas INDEP, nuk është sqaruar në mënyrë të mjaftueshme arsyeja pse është zgjedhur pikërisht indeksi i inflacionit të Eurozonës dhe jo një indeks që më saktësisht reflekton kushtet ekonomike në Kosovë.

E pesta lidhet me paqartësitë dhe mungesën e analizës së duhur ekonomike lidhur me rritjen e kostove të shërbimeve ndihmëse për vitin 2025. Në kapitullin e Raportit Konsultativ që trajton shërbimet ndihmëse (ancillary services), ZRRE parashikon një rritje jashtëzakonisht të lartë të këtyre kostove për vitin 2025. Konkretisht, krahasuar me shpenzimet e realizuara në vitin 2024 (24.7 milionë euro) dhe kostot e lejuara nga ZRRE për të njëjtin vit (18.17 milionë euro), propozimi i ZRRE-së për vitin 2025 arrin në 43.12 milionë euro, një rritje prej rreth 137%. INDEP vëren se raporti jep disa arsye operacionale dhe teknike për këto rritje, por nuk ofron analizë të mjaftueshme ekonomike dhe transparencë në procedurat e kontraktimit të këtyre shërbimeve.

Këtu mund ta gjeni raportin e plotë të INDEP:

Analizë e raporteve konsultative të ZRRE-SË PËR PËRSHTATJET VJETORE TË TË HYRAVE TË LEJUARA MAKSIMA (MAR) PËR VITIN TARIFOR 2025