Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Shkollës së Frankfurtit për Financa dhe Menaxhim, ka lansuar përmes një konference nismën për mbështetjen e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse “WE Finance Code”.
Ky projekt, sipas njoftimit, pritet të ketë ndikim të qëndrueshëm në gjithëpërfshirjen financiare në vendin tonë, në pajtim me orientimet strategjike të BQK-së.
Punimet e kësaj konference i nderoi dhe mbështeti me pjesëmarrjen e saj Presidentja e Republikës, Vjosa Osmani Sadriu, me një fjalë përshëndetëse.
Gjatë kësaj ngjarjeje, është nënshkruar Memorandumi i Mirëkuptimit me Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (ARBK) për të shkëmbyer të dhënat mbi bizneset, veçanërisht ato që janë në pronësi ose bashkëpronësi të grave, si dhe janë nënshkruar solemnisht Letrat e Qëllimit nga institucionet që do të mbështesin me aktivitete konkrete këtë nismë, për një gjithpërfshirje dhe ndikim sa më domethënës në financa dhe ekonomi.
Në fjalimin hapës, Guvernatori Ahmet Ismaili, falënderoi pjesëmarrësit duke shprehur kënaqësinë që institucionit që drejton po koordinon këtë projekt në nivel vendi, pasi që sipas tij kjo nismë ofron një mundësi shtesë për të mbështetur qasje në financa dhe gjithëpërfshirje financiare, promovimin e mbrojtjes së konsumatorit dhe forcimi i edukimit financiar për të gjithë, me theks për qasje për gratë ndërmarrëse.
Guvernatori Ismaili ka treguar se një nga rezultatet kryesore të këtij projekti është përmirësimi i të dhënave të ndara sipas gjinisë, që do të ndihmojë të kuptojmë sfidat me të cilat përballen gratë kur kërkojnë qasje në financa, veçanërisht ato që drejtojnë apo menaxhojnë Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (NVM).
Në fund, Guvernatori Ismaili tha se ky projekt nuk është i rëndësishëm vetëm për BQK-në, por është thelbësor për të ardhmen e ekonomisë së vendit tonë, duke theksuar se, kur gratë fuqizohen financiarisht, ato kontribuojnë më shumë në zhvillimin ekonomik dhe krijojnë mundësi që sjellin përfitime për gjithë shoqërinë.
“WE Finance Code” tashmë po zbatohet nga mbi 30 banka qendrore në vende të ndryshme në mbarë botën, përfshirë edhe vendet e rajonit, nder to edhe Republika e Kosovës përmes BQK-së.