KESCO i dha NOA-s të “drejta ekskluzive” për import në kundërshtim me rregulloren e KOSTT-it

“Noa Energy Trade” ka pasur të “drejta ekskluzive” për import të energjisë elektrike gjatë vitit 2024, në kundërshtim me rregulloren e KOSTT-it e cila përcakton qartë se të gjitha kompanitë me licencë të ZRrE-së duhet të trajtohen barabartë nga KESCO.

Agon Sinanaj

Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO), në vitin 2024, ka përzgjedhur përmes tenderit kompaninë nga Shqipëria “Noa Energy Trade” – që në emër të saj të blejë energji elektrike nga importi. Me këtë veprim, KESCO ka tejkaluar rregulloren në fuqi për blerjet e energjisë elektrike, e cila thotë qartë se të gjitha kompanitë me licencë të ZRrE-së duhet të trajtohen barabartë.

Reklama e sponzorizuar

Rregullorja e KOSTT-it “Procedura për Tregtimin e Energjisë Elektrike”, e cila rregullon shitblerjen e energjisë elektrike nga kompanitë e licencuara në Kosovë për tregtim me energji elektrike, nuk parasheh askund përzgjedhjen e një kompanie përmes tenderit. Përkundrazi, kjo rregullore parasheh procedurën e ankandit për secilën blerje nga Furnizuesi (KESCO).

“Blerësi/Shitësi duhet të jetë neutral ndaj të gjithë tregtarëve”, thuhet në Nenin 10, pikën 1, të kësaj rregulloreje.

Në Kosovë gjithsej 19 kompani janë të licencuara për tregtim me energji eletrike, por KESCO është blerësi më i madh, pasi e ka monopolin për t’i furnizuar të gjithë qytetarët e Kosovës me energji elektrike.

KESCO mund të blejë energji eletrike direkt në Bursa, pasi ka licencë nga ZRrE për tregtim me energji elektrike. Por, gjatë viti 2024, kjo kompani vendosi që të blejë rrymë në secilin rast përmes ndërmjetësuesve, ose kompanive tjera konkurrente, po ashtu me licencë të ZRrE-së.

Prej rreth 70 milionë euro sa është vlera e importit nga KESCO për vitin 2024, mbi 62 milionë euro është vlera e energjisë elektrike të importuar nga “Noa Energy Trade”, ose 90 për qind e importit.

Burimi: ZRrE

Sa herë që KESCO blenë rrymë nga kompanitë që merren me tregtim të energjisë elektrike, duhet të zbatojë procedurën e ankandit. Sipas rregullores, kjo vlen edhe për blerjet ditore të energjisë elektrike.

Një kërkesë për ofertë duhet t’u dërgohet tregtarëve me e-mail apo thirrje telefonike. Qëllimi final është zhvillimi i konkurrencës që të vihet deri të një çmim sa më i favorshëm. Por, as nga KESCO e as nga ZRrE, nuk kanë sqaruar se pse është lejuar përzgjedhja e kompanisë “NOA Energy Trade” përmes tenderit, duke shkelur rregulloren e KOSTT-it e cila kërkon që në secilin rast të blerjeve të energjisë elektrike, të zbatohet procedura e ankandit.

Nga KESCO kanë pranuar se një procedurë e tenderimit është zhvilluar kur janë pyetur se pse gjatë vitit 2024 në secilin rast blerjet nga importi janë bërë përmes një  “ndërmjetësuesi”, por asnjëherë direkt në Bursa.

“Sa i përket pyetjes suaj, KESCO ka hapur tender për përzgjedhjen e ofruesit të shërbimit për qasjen në bursë, duke ftuar të gjitha kompanitë e regjistruara në Kosovë. Kompania që i plotësoi të gjitha kriteret e kërkuara u përzgjodh si fituese e këtij shërbimi. Proceset janë transparente për të gjithë të përfshirët në tender, dhe synojnë gjithmonë kostot më të favorshme për sistemin dhe konsumatorët”, thuhet në përgjigjen e KESCO-s.

Buletini Ekonomik ka drejtuar pyetje edhe në ZRrE për të kuptuar se a kanë qenë në dijeni se një procedurë e tillë është zhvilluar dhe nëse po, pse është lejuar të tejkalohet rregullorja në fuqi e KOSTT-it. Mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Përmes kërkesës për qasje në dokumente publike, Buletini Ekonomik ka siguruar qasje në raportet që KESCO raporton në ZRrE sa i përket blerjeve të energjisë elektrike, sidomos ato nga importi.

Sipas rregullores së KOSTT-it, KESCO obligohet që për çdo muaj të raportojë në ZRrE për blerjet e energjisë elektrike. Nga raportet përmbledhëse që ka analizuar Buletini Ekonomik, del se ZRrE ka qenë në dijeni për angazhimin e kompanisë “NOA Energy Trade” përmes tenderit.

“Marrë parasysh se kjo nevojë për import është në sasi të kufizuar dhe në orë të caktuara, KESCO në baza vjetore organizon tender me tregtarë për shërbime të tilla”, thuhet në raportin e KESCO-s të dorëzuar në ZRrE, në të cilin Buletini Ekonomik ka siguruar qasje.

Kërkesat për ofertë nga KESCO pa çmim tavan

Në secilin rast kur KESCO blenë energji elektrike nga importi duhet të zbatojë procedurën e ankandit. Rregullorja parasheh që edhe për blerjet ditore, KESCO duhet t’u dërgojë një kërkesë për ofertë të gjitha kompanive të licencuara në ZRrE për tregtim me energji elektrike. Kërkesa për ofertë duhet të shkojë përmes email-t, ose thirrjeve telefonike, të cilat në secilin rast duhet të incizohen.

Por, meqë njëra kompani ka pasur të drejta ekskluzive për import, Buletini Ekonomik ka gjetur se procedura e ankandit është zhvilluar vetëm sa për të përmbushur një “obligim” që del si kërkesë nga rregullorja në fuqi.

Në kërkesën për ofertë që KESCO e dërgon përmes emailit tek kompanitë që merren me tregtim të energjisë elektrike, nuk përmendet askund si referencë ndonjëra nga Bursat ndërkombëtare, e as nuk caktohet një çmim tavan për ofertuesit.

Buletini Ekonomik ka siguruar korrespodencat e KESCO-s me këto kompani.

Në një email të datës 2 prill 2025, KESCO kishte kërkuar të blejë energji elektrike në një sasi prej 578 megavatësh për orë. Në kërkesën për ofertë përmendet vetëm afati deri kur mund të ofertojnë kompanitë, dhe se kompania duhet të jetë e regjistruar në Kosovë.

Në momentin kur përfundon afati për ofertim, KESCO në secilin rast vendos brenda 10 minutave për zgjedhjen e fituesit.

Kërkesa për ofertë nga KESCO

Buletini Ekonomik ka siguruar edhe korrespodencat e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në rastet kur ajo blenë ose shet energji elektrike përmes tregtarëve të energjisë. Te KEK-u, ka një dallim shumë domethënës me ankandet që organizohen nga KESCO.

Te rasti i KEK-ut, kërkesa për ofertë përmban edhe çmimin tavan, siç është rasti me ankandin e datës 9 prill 2025, përmes të cilit KEK kërkonte të blinte një sasi të energjisë.

“Maksimumi i çmimit është 300 euro për megavatë/orë”, thuhet në kërkesën e KEK-ut.

Kërkesa për ofertë nga KEK-u

Përveç kësaj, jo të gjitha kompanitë që kanë licencë nga ZRrE për tregtim me energji elektrike, kanë pranuar email-a nga KESCO për procedurën e ankandit. Së paku tri kompani, të cilat kanë pranuar të flasin hapur, kanë konfirmuar se nuk kanë pranuar një email të tillë nga KESCO.

“Infinit PoWer Solution” është kompani që ka licencë nga ZRrE prej vitit 2023. Naim Bujupi nga kjo kompani, thotë se nuk kanë pranuar emaile deri më tani, por shton se ende janë në proces për “me gjetë ndonjë kontratë”.

“Edhe na jemi kompani e re, jemi në proces me gjetë naj kontratë. ZRrE na ka thirrë këtë muaj me një takim e të shohim qysh po ecë”, ka thënë Bujupi, i cili thotë të mos ketë qenë në dijeni që KESCO e ka obligim në secilin rast të dërgojë kërkesë për ofertë tek të gjitha kompanitë.

Emaile nuk ka pranuar as kompania “EZ 5 Energy”, e cila është licencuar në ZRrE për tregtim me energji elektrike që nga viti 2019.

“Ne ende jemi në fillim, jemi duke shiku me gjetë prodhues. Kemi pas shumë thirrje prej bizneseve tash pas vendimit për me dalë në treg të hapur”, ka thënë Arlinda Shala, përfaqësuese e “EZ 5 Energy”.

“Enerco LLC”, është një kompani tjetër që nuk pranon emaile nga KESCO. Diamant Dalladaku, drejtor aty, thotë se në vitin 2025 e kanë ripërtërirë licencën.

“Edhe sikur të kishim marr emaila, nuk kemi pasë mundësi me ofertu pasi nuk kemi ndonjë kontratë me ndonjë prodhues. Jemi në kërkim e sipër për ndonjë marrëveshje afatgjatë me prodhues. Në prill jemi ftu për një takim nga KESCO dhe të shohim ndoshta qartësohen këto gjana”, ka thënë ai.

Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka thënë se në rastet kur ka monopol një kompani, siç është rasti me “Noa Energy Trade”, çmimi tavan është i domosdoshëm, pasi kompania mund të aplikojë çmime përtej çmimit referues në Bursa.

“Është shqetësues fakti që vetëm një kompani, ose 90 për qind e importit, e tregtisë, realizohet vetëm përmes një kompanie. Tregu i lirë ose tregu i liberalizuar bëhet me qëllim që ma shumë kompani me hy në treg edhe me konkuru edhe me ofru çmime ma të ulëta, sepse nëpërmes konkurrencës ofrohen çmime më të ulta”, ka thënë Haxhimusa.

Pikërisht monopoli që e pati një kompani gjatë vitit 2024, dyshohet se ka rritur kostot e importit përtej çdo parashikimi. Sipas vlerësimeve të ZRrE-së, Kosova në vitin 2024 importoi rrymë me një çmim mesatar prej 181.34 euro për megavat/orë, dyfish më shumë se parashikimi prej 97.79 euro për megavat/orë. Sipas ZRrE-së, kjo është një nga arsyet kryesore për miratimin e tarifave të reja, për 16.1 përqind më të larta për vitin 2025.

Në këtë mesatare ndikuan sidomos kostot për transport të energjisë përmes rrugëve tregtare. Si kurrë më parë, pati rritje të kostove për transport të energjisë për 907 për qind në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023. Nga rreth 1 milion euro, vetëm për transport të energjisë shkuan rreth 10 milionë euro.

KESCO raporton në ZRrE të “dhëna përgjithësuese”

Përveç çmimit në Bursat ndërkombëetare, një aspekt me rëndësi tek blerjet e energjisë elektrike përmes importit, janë kapacitetet ndërkufitare të transmisionit, ose linjat e transmisionit për bartjen e energjisë elektrike.

Zakonisht, kjo rregullohet mes shteteve, përkatësisht Operatorëve të Sistemit, që për Kosovën përgjegjës është KOSTT-i. Por ka raste kur tregtarët e mëdhenj i blejnë vetë linjat e transmisionit duke aplikuar çmime të larta ndaj blerësve për bartje të energjisë. Veç kësaj, tregtarët e mëdhenj në shumë raste i shmangin Bursat për blerje të energjisë elektrike. Ata lidhin kontrata direkte afatgjata me prodhues të fuqishëm, duke blerë rrymën me çmim të lirë dhe duke e shitur shumëfish më shtrenjtë.

Kjo dyshohet të ketë ndodhur me kompaninë “NOA Energy Trade” në rastin e importeve për Kosovën gjatë vitit 2024. Nga hulumtimi del se “NOA Energy Trade” është kompani që realizon blerje të rregullta në Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), si dhe blenë energji elektrike në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). Tregtarët e mëdhenj të energjisë zakonisht blejnë energji elektrike te kompanitë publike, pasi çmimi është më i ulët, dhe e shesin tek blerësit me çmim shumëfish më të lartë.

Kjo është arsyeja pse sipas ekspertit Haxhimusa, tregtarët në shumë raste shmangin Bursat, pasi sipas tij, Bursa është mekanizëm i sigurtë, që ofron siguri, por në të cilën nuk mund të manipulohet çmimi i energjisë elektrike.

Në raportet që KESCO i dorëzon në ZRrE për blerjet e energjisë elektrike nga importi, nuk figurojnë të dhënat e blerjeve sipas ditëve dhe orëve të caktuara. Aty përcaktohet vetëm çmimi mesatar sipas muajve.

Buletini Ekonomik ka dashur të krahasojë çmimim që ka aplikuar “NOA” për KESCO-n me çmimin referues në Bursë, në kohën kur ka ndodhë shitblerja e energjisë elektrike.

Nga kompania NOA, në një përgjigje për Buletinin Ekonomik, thonë se e blejnë dhe e shesin energjinë elektrike ekskluzivisht përmes Bursave dhe platformave të njohura ndërkombëtare të tregtimit të energjisë, si dhe nëpërmjet marrëveshjeve me partnerë të licencuar në tregun rajonal dhe më gjerë.

“Të gjitha burimet e energjisë që ne kontraktojmë janë të certifikuara dhe përputhen me standardet ligjore dhe teknike në fuqi në vendet përkatëse”, thuhet në përgjigjet e “Noa Energy Trade”.

Por, ata nuk kanë treguar se kush janë prodhuesit me të cilët kanë të lidhura kontrata bilaterale për blerje dhe shitje të energjisë elektrike.

“Ne operojmë me një kombinim kontratash afatshkurtra, afatmesme, dhe afatgjata varësisht nga nevojat e tregut dhe kërkesat e klientëve tanë. Lloji i kontratës përcaktohet nga dinamika e tregut, luhatjet sezonale dhe parashikimet për konsum”.

Sa i përket çmimeve që ka aplikuar ndaj KESCO-s, kjo kompani thotë se çmimi përcaktohet sipas kontratës mes “NOA Energy Trade” dhe KESCO-s, duke iu referuar Bursave ndërkombëtare për çmimet e ditës sipas kërkesës zyrtare.

“Marrëveshjet tona janë transparente dhe reflektojnë lëvizjet në tregjet rajonale dhe evropiane të energjisë”. /Buletini Ekonomik/

LEXO EDHE:

Monopoli i NOA-s ‘trashi’ çmimet e importit të rrymës në Kosovë gjatë 2024-s

Rritje e kostos për transportin e energjisë së importuar nga KESCO për 907% në vitin 2024