Zyra e Avokatit të Popullit pranon letër nga BQK: Shumë shpejt pritet të largohen dispozitat e paligjshme nga Rregullorja për Bonus-Malus

BQK - Buletini Ekonomik

Zyra e Avokatit të Popullit në Kosovë ka pranuar një letër nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) lidhur me Rregulloren për Bonus-Malus, pas raportit me anë të të cilit ia kishte rrëzuar BQK-së pesë dispozita ligjore të saj – që kufizonin realizimin e bonuseve për policëmbajtësit.

BQK ka pranuar t’i largojë dispozitat e paligjshme nga rregullorja për bonus-malus sipas rekomandimeve të Avokatit të Popullit, por thotë se “kjo merr kohë”.

Më saktësisht, në këtë letër, e cila mban nënshkrimin e Guvernatorit, Ahmet Ismaili, thuhet se BQK-ja është në proces të shqyrtimit të nevojës për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për zbatimin e sistemit bonus-malus dhe në kuadër të ndryshimeve, përfshihet edhe rishikimi i dispozitës që është përmendur në raportin e Avokatit të Popullit. Por, sipas BQK-së, ky proces i ndryshimeve në këtë rregullore, merr pak kohë.

Reklama e sponzorizuar

“Si rezultat i këtyre shqyrtimeve, pas kalimit të fazave të nevojshme procedurale, do të propozohet të procedohet me miratimin e plotësimit dhe ndryshimit të Rregullores nga organet kompetente të BQK-së”, thuhet në letrën e BQK-së dërguar Avokatit të Popullit.

Avokati i Popullit, në një raport të mëhershëm, kishte ‘rrëzuar’ pesë dispozita të Rregullores së BQK-së për sistemin Bonus-Malus, e cila u gjet se kufizonte të drejtën e ngasësve të automjeteve në Kosovë për t’i realizuar bonuset me rastin e regjistrimit të veturave.

Rregullorja e vjetër për Bonus-Malus kishte pësuar ndryshime në vitin 2020 nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), duke e lidhur realizimin e bonuseve për ngasësit e automjeteve me afatet për regjistrim të veturës. Ndërkohë, Ligji për Sigurimin e Detyrueshëm nga Autopërgjegjësia, e thotë qartë se bonuset përfitohen vetëm në rastet kur policëmbajtësit nuk shkaktojnë aksidente në afatin një vjeçar të policës.

Rastin – Avokati i Populli kishte filluar ta trajtonte pas një ankese nga një qytetar, ndërsa një hulumtim i zgjeruar për këtë rast është publikuar në Buletini Ekonomik, në muajin shtator të vitit të kaluar.

LEXO hulumtimin në fjalë:

Rregullorja e BQK-së që dyshohet se ‘fshiu’ milionat e shoferëve kosovarë

Sipas gjetjeve nga hulumtimi, dyshohet për ndërhyrje të grupeve të interesit në Bankën Qendrore të Kosovës, në kohën kur ndodhën këto ndryshime. Rregullorja e vjetër kishte pësuar ndryshime vetëm në nenin 4, ku u shtuan pesë dispozita, derisa të gjitha nenet tjera mbetën të pandryshuara.

Në raportin e Avokatit të Popullit në lidhje me ndryshimin e nenit 4 të Rregullores për Zbatimin e Sistemit Bonus-Malus, thuhej se ndërlidhja e realizimit të bonuseve me afatet për regjistrim të veturës, ishte e paligjshme.

“Avokati i Popullit, duke pasur parasysh përcaktimet e rregullores në nenin 4, paragrafët 6,7,8,9 dhe 10, ka vërejtur se pronarëve të mjeteve të cilët gjatë vitit të sigurimit nuk kanë shkaktuar asnjë dëm, mirëpo në vitin pasues nuk i regjistrojnë veturat, sipas kohës së përcaktuar në nenin 4, paragrafët 6,7,8,9 dhe 10, përveçqë nuk u zbatohet sistemi i bonusit (uljes së pagesës së sigurimit), ndaj tyre shqiptohet malusi (ngritja e çmimit të sigurimit)”, thuhej në raport.

Në raport konstatohej se në Republikën e Kosovës ekziston një sistem i rregullave që i rregullojnë çështjet e automjeteve, rregullave të trafikut rrugor dhe sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia. Sipas këtyre rregullave, regjistrimi i automjeteve është detyrim ligjor, në mënyrë që mjetet të kenë të drejtë të dalin për qarkullim në trafik.

Avokati i Popullit në raport konsideron se është përgjegjësi e Policisë së Kosovës të mbikëqyrë qarkullimin e mjeteve në trafik dhe veprojë në pajtim me dispozitat e Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor, në raste kur hasen mjete të paregjistruara në trafik. Mirëpo, kjo në asnjë rast nuk i jep të drejtë rregullatorit që ta ndërlidhë realizimin e bonuseve për ngasësit e automjeteve me afatet për regjistrim të veturës.

Si praktikë ndërkombëtare, sistemi “Bonus-Malus”, merr për bazë një histori njëvjeçare të shoferëve dhe në bazë të aksidenteve të shkaktuara ose jo gjatë kësaj periudhe, llogaritë Bonusin ose Malusin. Pra, një person që nuk shkakton aksident në komunikacion shpërblehet me ulje të shumës së pagesës për sigurimin e automjetit dhe hynë në kategorinë Bonus, ndërsa ata që bëjnë aksidente paguajnë më shtrenjtë dhe hyjnë në kategorinë Malus.

Deri në vitin 2020, në Kosovë ky sistem ishte zbatuar vetëm sipas kriterit kur shoferët shkaktonin ose jo aksidente në komunikacion. Sipas ekspertëve të sigurimeve, kështu e parasheh edhe praktika ndërkombëtare në të gjitha vendet e botës. Por, rregullorja paraprake e hartuar nga BQK, e cila është në fuqi që nga viti 2012, pësoi ndryshime në korrik të vitit 2020. Zbatimi i këtij sistemi më pas ishte zgjeruar edhe për rastet kur shoferët vonohen në përtëritjen e kontratës për sigurim të veturës.

Sipas dokumenteve që posedon Buletini Ekonomik, dëmi ndaj policëmbajtësve në Kosovë vlerësohet deri në 20 milionë për këto pesë vite. /Buletini Ekonomik/

LEXO EDHE: 

Avokati i Popullit ‘rrëzon’ rregulloren e BQK-së që kufizonte realizimin e bonuseve për policëmbajtësit