Pasojat ekonomike dhe sociale nga deaktivizimi politik i shtetit në Kosovë

Pasojat e ngërçit politik të krijuar nga zvarritja e pafund e krijimit të instititucioneve të vendit, po shihen dhe po vihen në pah nga të gjithë kosovarët kompetentë, profesionistë dhe laikë, por edhe nga institucione relevante ndërkombëtare, të cilat po alarmojnë se mungesa e institucioneve do të lë gjurmë dhe ndikime negative në ekonominë e Kosovës dhe në gjendjen sociale të kosovarëve.

Buletini Ekonomik

Deaktivizimi politik i shtetit në Kosovë, si rrjedhojë e ngërçit të krijuar nga zvarritja e pafund e krijimit të instititucioneve të vendit, dhe pasojat e shumta në zhvillimet në të gjithë sektorët ekonomik, tani e sa kohë janë të tejdukshme. Pasojat po shihen dhe po vihen në pah nga të gjithë kosovarët kompetentë, profesionistë dhe laikë, por edhe nga institucione relevante ndërkombëtare, të cilat po alarmojnë se ngërçi politik do të lë gjurmë dhe ndikime negative në ekonominë e Kosovës.

Reklama e sponzorizuar

Banka Botërore në raportin “Përshtatja për Rritje të Qëndrueshme”, që u publikua para disa ditësh, ka alarmuar pikërisht për pasojat që në ekonominë e vendit kanë dhe do të kenë vonesat në formimin e institucioneve qeverisëse. Nuk ka dilema se pasojat e anarkisë së krijuar nga mungesa e institucioneve qeverisëse kanë nisë të shpërfaqen praktikisht në të gjithë sektorët ekonomik. Nuk ka investime të jashtme fare në Kosovë që nga zgjedhjet e fundit parlamentare, ndërsa investimet kapitale të brendshme, qoftë ato të parashikuara nga buxheti i sivjetshëm, qoftë nga iniciativa private nga biznesi vendor, janë fare të pakta, sa për sy e faqe, ose aq simbolike dhe të paefektshme sa që nuk ia vlen të përmenden.

Projektet energjetike, qoftë nga burime të eneregjisë së rinovueshme, qoftë sosh të cilat do të vazhdojnë edhe për shumë vjet ta kenë qymrin si resurs të vetëm të prodhimit të energjisë elektrike, të parashikuara të nisin këtë vit të ndërtohen, të rindërtohen, janë heshtur. Madje, nuk flet kush për to dhe nuk dihet më se kur do të nisë ndërtimi dhe rindërtimi i tyre. Këto janë fakte.

Edhe ministri i dorëhequr i Financave, Hekuran Murati, nga radhët e VV-së, një nga subjektet pjesëmarrëse në krijimin e ngërçit politik në Kosovë, i pohoi këto fakte duke shkruar në fillim të javës që shkoi në Facebook se “bllokimi i Kuvendit vonon dorëzimin e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe ndarjen e granteve, duke kërkuar që partitë opozitare të ndihmojnë në formimin e Kuvendit”.

Rrethanat politike që vazhdojnë të dominojnë nga 9 shkurti, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare në vend, por edhe para kësaj kohe, më saktësisht qëkur kishte filluar parafushata zgjedhore në Kosovë kanë ndikimin e padiskutueshëm edhe në ngritjet e egra dhe brutale të çmimeve në Kosovë. Mungesa e funksionimit të institucioneve të rëndësishme të vendit (Kuvendi jashtë funksionit, qeveria e dorëhequr, ose me funksion të përgjysmuar) dhe anarkia e krijuar në shumë sektorë të ekonomisë, veçmas në atë të tregtisë, për rrjedhojë të mungesës së institucioneve më të rëndësishme të vendit, u ka lënë hapësirë të pakufishme dhe gjithë mundësitë tregtarëve për të vendosur lehtësisht për të ngritur çmimet e shumë produkteve, sidomos të atyre të shportës, ose të produkteve elementare ushqimore. Ndërkohë, në këtë periudhë tregtarët, sidomos ata të pandërgjegjshmit dhe ata që gjithëherë janë veçuar në shfrytëzimin e rrethanave, kanë ngritur çmimet në stratosferë të shumë mallrave, të cilat edhe deri në këtë kohë shquheshin si tepër të larta dhe disa sosh edhe përtej çmimeve të produkteve të njëllojta në shumë shtete të Europës.

Në këtë periudhë janë ngritur shumë çmime të produkteve ushqimore, të higjienës, por edhe çmimet e shërbimeve më së të nëvojshme për jetë normale të qytetarëve të këtushëm. Ndërsa pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike prej 16,1 për qind, është ringjallur një erë ku dominojnë aspirate të panumërta ngritjesh të reja çmimesh, me pretekst dhe pa të të çmimit të ngritur të rrymës.

Disa produkte tashmë në raftet e disa marketeve dhe supermarketeve kanë zënë të ekspozohen me çmime të ngritura, ndërsa, siç raportohet, edhe në disa furra të bukës, në kryeqytet dhe në disa qendra komunale, tani buka, ajo popullorja me çmimin e deritashëm prej 50 dhe 60 centësh, ka nisë të tregtohet nga 70 dhe 80 centë. E keqja bëhet më e madhe, për shkakun se paralajmërimet për çmime të reja nuk kanë të sosur. Ndërkohë që pak ka gjasë të parandalohen tendencat e tregtarëve “gjuetarë të situatave) anarkike të pushtetit, për t’u pasuruar sa më shpejtë me çmime të reja dhe me marzha fitimi super të larta.

Edhe restorantet kanë nisë ta shfrytëzojnë anarkinë e krijuar nga mungesa e institucioneve të shtetit. Tani një kafe espresso në Prishtinë ka shkuar deri në dy euro dhe ka mbërritur çmimin e espressos që kushton në shumë vende të Europës. Në Gërmi, në kafe restorantin që deri tani është frekuentuar shumë nga pensionistët që dalin në orët e hershme për ta shfrytëzuar ajrin e pastër të Gërmisë, tani kafja kushton 1,5 euro. Dhe, që dje numri i pensionistëve është i përgjysmuar në këtë kafe-restorant.

Kjo është gjendja aktuale në zhvillimet ekonomike të vendit si pasojë e mospasjes së institucioneve qeverise të domosdoshme të vendit. Kur t’i shtohen kësaj gjendje plus masat ndërshkuese të Bashkimit Europian, të aplikuara ndaj Kosovës që nga pranvera e 2023-shit, atëherë gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë bëhet shumë më e ndërlikuar, por edhe më shqetësuese. Si rrjedhojë e kësaj gjendjeje dhe ngritjes abuzive të çmimeve të shumë produkteve dhe shërbimeve, në Kosovë është lëkundur tejdukshëm gjendja sociale e kosovarëve dhe mirëqenia e tyre, edhe ashtu shumë e brishtë deri më tani.

Safet Gërxhaliu, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës dhe një njohës i imponueshëm i zhvillimeve ekonomike dhe sociale të vendit, ka thënë për medie se “Kosova po përballet me një situatë të rëndë ekonomike dhe sociale, të ndikuar edhe nga masat ndëshkuese të BE-së, emigrimi masiv, varësia nga importet dhe rritja e kredive konsumuese.

“Kosova sot është nën masa apo sanksione ekonomike nga Bashkimi Evropian, që dëmtojnë në aspektin ekonomik, politik, social, integrues dhe psikologjik. Kosova ka mungesë të stabilitetit politik që e ngufat zhvillimin dhe perspektivën ekonomike. Kosova ka përqindjen më të ultë të investimeve të huaja, duke anashkaluar diasporën”…

Gërxhaliu theksoi se është e domosdoshme një analizë më e thellë dhe gjithëpërfshirëse për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe për të shmangur iluzionet për gjendjen reale në Kosovë.

“Kosova është shtet i varur nga importi, ku në vitin 2024 kemi importuar mbi 6.3 miliardë euro dhe krahas kësaj kemi importuar edhe inflacion të heshtur, ku jetën e qytetarëve e bënë më të shtrenjtë sesa në Evropë. Nga Kosova po ikin të rinjtë në heshtje që është një ikje më e rrezikshme sesa eksodi. Që nga fillimi i liberalizimit të vizave, Kosovën e kanë braktisur 170.000 qytetarë. Sektori privat është i ballafaquar me presione politike të papara dhe me mungesë të dialogut publiko- privat. Korrupsioni dhe tenderët një burimor janë rekord dhe po vazhdojnë të rriten”, ka thënë ai.

“Projektet publike dhe implementimi i tyre janë në pikën kritike dhe po ngufatin sektorin privat. Rritja e kredive bankare është shqetësuese, kreditë konsumuese janë në rritje të madhe dhe kur i shtohet fakti i shfrytëzimit të overdraftit nga qytetarët e paraqet realitetin ekonomik të Kosovës. Kur e analizoni pagën minimale, pagën mesatare dhe pensionet e kuptoni se ku është Kosova në krahasim me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe të Bashkimit Evropian” ka vlerësuar tutje Gërxhaliu.

Kjo gjendje nuk mund të ndryshojë shpejtë dhe me ‘shkop magjik”. Duhet përkushtim i madh i të gjithë pjesëmarrësve në institucionet e vendit, i të gjitha subjekteve politike, gjithsesi edhe i opozitës, i shoqërisë civile për t’i eliminuar pasojat dhe vështirësitë e krijuara në sektorët e ekonomisë dhe ata social në vend. Natyrisht, puna e parë dhe më urgjente është krijimi sa më shpejt i institucioneve të vendit, Kuvendit, Qeverisë dhe të gjitha organeve të tyre. Pa institucione vetëm sa do të thellohet kriza ekonomike dhe ajo sociale. Do të rrënohet edhe më tej mirëqenia e kosovarëve edhe ashtu të varfër shumica e tyre edhe deri tani. /Buletini Ekonomik/