Të gjitha qeveritë e Kosovës, në dorën e të cilëve ishte dhe vazhdon të jetë perspektiva dhe ardhmëria e KEK-ut, që nga paslufta, kanë bërë më së paku për ta zhvilluar energjetikën kosovare, për të ndërtuar apo rindërtuar kapacitete të reja gjeneruese dhe për ta vënë në “këmbë të forta” KEK-un. As Qeveria Kurti 2, brenda katërvjeçarit të qeverisjes nuk ndërtoi asnjë kapacitet gjenerues elektroenergjetik, as termocentral të ri, as rindërtim të termocentraleve ekzistuese, dhe as një impiant të vetëm të energjisë së rinovushme.
Mehmet GJATA
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është subjekti ndër më të rëndësishmit dhe me ndikim të drejtpërdrejt në të gjitha zhvillimet e tërësishme në Kosovë, qoftë ato ekonomike, shoqërore, të mirëqenies së kosovarëve dhe më në fund edhe në zhvillimet politike. Njohësit e sistemit elektroenergjetik të vendit, dhe veçmas të KEK-ut, Korporatën Energjetike të vendit, stabilitetin ose ngecjet zhvillimore të këtij subjekti insdustrial e shohin si ndër faktorët jetik për kosovarët, dhe për sigurinë nacionale të vendit.
Pak a shumë, njësojë mendojnë edhe politikanët, si ata të pozitës, edhe ata opozitarë si dhe autoritetet vendimmarrëse të vendit. Por, këta të fundit, në dorën e të cilëve ishte dhe vazhdon të jetë përspektiva dhe ardhmëria e KEK-ut, që nga paslufta, kanë bërë më së paku për ta zhvilluar energjetikën kosovare, për të ndërtuar apo rindërtuar kapacitete të reja gjeneruese dhe për ta vënë në “këmbë të forta” KEK-un. Praktikisht, që nga paslufta në KEK, asnjëra nga qeveritë që qeverisen me këtë vend nuk bëri asgjë për ta zhvilluar sistemin elektroenergjetik të vendit, që identifikohet para se gjithash me KEK-un. Pati fjalë të mira, premtime të panumërta nga secila qeveri për investime në ngritje të termocentraleve të reja, apo një termocentrali të ri, për rindërtimin e tërësishëm të termocentraleve aktuale të stërvjetruara, për modernizimin e stabilimenteve në KEK, për vendosjen e elektrofiltrave efikas për ta mbrojtur ambientin nga tymtarët e termocentraleve, dhe deri tani, në vtin 2025, nuk ndodhi asgjë.
Ish-drejtoresha e KEK-ut, Pranvera Dobruna me rastin e krizës energjetike në Kosovë, pati thënë për medien se “Kemi krizë të politikave energjetike pasi politikat janë afatgjata dhe gjatë kësaj kohe ka pasur lëshime të shumta, prandaj jemi në këtë gjendje. Nëse do të kishte politika të mirëfillta energjetike nuk do të kishim krizë energjetike në vend”. Pak a shumë njësojë mendojnë edhe inxhinierë të shumtë të KEK-ut. Nuk u përmbush praktikisht asnjë premtim e zotim, ndërkohë që gjendja në KEK si rrjedhojë e stëvjetërsisë së pajisjeve në termocentralet Kosova A dhe Kosova B, është keq, e rënduar në aspektin e prodhimit dhe të afarizmit, dhe me perspektivë të paqartë tani për tani për një pjesë të mirë të kapaciteteve të amortizuara përtej çdo limiti.
KEK-u pra, në mungesë të përkujdesit të qeverive të vendit është degraduar në përmasa të dhimbshme dhe tani në shumë periudha të vitit nuk është në gjendje të prodhojë as për së afërmi sasitë e nevojshme të energjisë elektrike për nevojat e konsumit të Kosovës. Një raporti i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), i bërë publik këto ditë edhe në medie, ndoshta më së miri e përshkruan gjendjen aktuale të termocentraleve të KEK-ut: Gjithsej 45 herë ishte ndalur prodhimi në pesë njësitë e termocentraleve Kosova A dhe B, vitin e kaluar – një mesatare prej pak më shumë se 8 ditë për një ndalesë. Prej tyre 18 ishin ndalesa të paplanifikuara dhe 14 rënie blloqesh, gjithsej 32 sish ose 71% e totalit të ndalesave. Bazuar në raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji, mesatarisht çdo 11.4 ditë pati ndalesa pa plan ose rënie të ndonjë blloku. Me tetë rënie, tetë ndalesa të paplanifikuara dhe dy tjera të planifikuara, njësia B2 e Termocentralit Kosova B, pati numrin më të lartë të ndërprerjeve të prodhimit më 2024, gjithsej 18.
Përgjysmë më pak pati ndalesa njësia B1, prej të cilave 4 ishin ndalesa të paplanifikuara dhe 3 rënie nga prodhimi. Për dallim nga njësitë e B-së që operuan me 80% dhe 86.6% të orëve të vitit, tri njësitë e A-së, të cilat janë nëntë deri në 14 vjet më të vjetra, patën performancë ndjeshëm më të ulët 61.4%, 62.9% dhe 69.9% në vit.
Derisa dy njësitë prodhuese të termocentralit Kosova B janë vënë në funksion në vitet 1983 dhe 1984, njësitë A3, A4 dhe A5 janë vënë në funksion më 1970, 1974 dhe 1975. Investimet në rehabilitimin e thellë për rritjen e besueshmërisë, kapacitetit dhe jetëgjatësisë, të një njësie të A-së dhe asaj B1, së bashku në vlerë rreth 250 milionë euro, ishin paraparë të përfundonin më 2024, por punët nuk kanë nisur ende. Kjo gjendje është pasojë e margjinalizimit të pakuptueshëm të KEK-ut nga të gjitha qeveritë e deritanishme, edhe pse politika kosovare ka qenë koshiente për rëndësinë që ka KEK-u për jetën e kosovarëve dhe për sigurinë nacionale të vendit.
Në bazë të të dhënave, të shpërfaqura ndër vite, del që 25 vjet pas çlirimit janë të humbura për energjetikën e Kosovës. Gjthsesi, për huqjet dhe mosrealizimin e premtimeve zhvillimore në sektorin e energjetikës së vendit nuk mund të amnistohet as Qeveria Kurti 2, e cila ka dështuar në sendërtimin e parashikimeve për rimëkëmbje të KEK-ut dhe për investime të reja në energjetikë në përgjithësi. Qeveria Kurti 2 dhe përfaqësuesja eminente e kësaj qeverie për sektorin energjetik, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë dështuar në ndërtimin dhe në rindërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese në bazë të qymyrit (Kosova ka rezerva të pafundta të këtij resursi) dhe po vonohet pakuptueshëm shumë në jetësimin e proklamuar ripërsëritshëm të tranzicionit energjetik, që nënkupton kapacitete tjera gjeneruese të rrymës, sosh nga burime të ripërtritshme (nga era dhe nga dielli).
As Qeveria Kurti 2, brenda katërvjeçarit të qeverisjes nuk ndërtoi asnjë kapacitet gjenerues elektroenergjetik, as termocentral të ri, as rindërtim të termocentraleve ekzistuese, dhe as një impiantë të vetëm të energjisë së rinovushme. Kjo është gjendja faktike dhe reale edhe pas qeverisjes katërvjeçare të qeverisë së VV-së, e cila premtoi aq shumë për rimëkëmbjen energjetike të vendit. Njohësit e situatës në zhvillimet energjetike të Kosovës, huqjen e Kurtit 2 e ndërlidhin me mungesën e guximit për të ndërmarrë hapa vendimtar, për të ndaluar nepotizmin dominues në punësimet në KEK, për t’u përcaktuar pa ekuivoke për kapacitete të reja tepër të nevojshme, qoftë nga qymyri qoftë nga burimet e energjisë së rinovueshme, me mungesë të strategjisë më konkrete të zhvillimit elektroenergjetik dhe me përzgjedhjen e kuadrove udhëheqëse brenda për brenda sistemit elektroenergjetik të vendit, e sidomos brenda sektorëve të KEK-ut.
Ka verejtje të shumta edhe në përzgjedhjen e diskutueshme të shumë drejtorëve të padëshmuar profesionalisht në krye të KEK-ut dhe në ndërrimin tepër të shpeshtë të drejtorëve menaxhues dhe të bordeve të drejtorëve. Sipas burimeve të besueshme të Buletinit Ekonomik, nga viti 2020 deri në 2025, brenda pesë vjetësh janë ndërruar 7 drejtorë menaxhues në KEK (drejtorë të përgjithshëm) dhe të gjitha bordet ekzistuese me ardhjen e drejtorëve të rinj menaxhues kanë pësuar ndryshime të pjesëshme, por edhe sosh më radikale.
Në krye të KEK-ut, në këtë periudhë (2020-2025) kanë qenë Njazi Thaçi, Lugj Imeri, Nagip Krasniqi, ndërsa që nga arrestimi i tij nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi (19 prill të 2023-tës), për gati 1 vjet detyrën e kryeshefit e ushtroi Përparim Kabashi, ndërsa në shkurt të vitit 2024, ushtrues detyre i ri ishte emëruar Bekir Gërguri, i cili, siç thuhet, ishte kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamble në Komunën e Fushë-Kosovës.
Ndërkohë, Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, kohë më parë, më saktësisht në shkurt të këtij viti (2025), ka liruar nga detyra ushtruesin e detyrës së kryeshefit ekzekutiv Bekir Gërguri dhe ushtruesin e detyrës të zëvendëskryeshefit ekzekutiv, Ramadan Budakova. Me këtë rast, u mor vendim që Gramos Hashani ta ushtrojë detyrën e kryeshefit ekzekutiv deri në emërimin e një të riu, ndërsa Gëzim Paci do të jetë përkohësisht zyrtar kryesor financiar dhe i thesarit, dhe menaxhmenti është udhëzuar ta hapë konkursin për kryeshef ekzekutiv më 3 mars 2025.
Ende nuk është vendosur për përzgjedhjen e drejtorit të ri menaxhues të KEK-ut. Duhet thënë se KEK-u udhëhiqet me ushtrues detyre që kur u arrestua Nagip Krasniqi në prill të vitit 2023. Ndërsa, njohësit e ligjeve, por edhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë thënë jo një herë se funksionimi i KEK-ut me ushtrues detyre të njeriut të parë të Korporatës përbën shkelje të ligjit për zyrtarë publikë, i cili përcakton periudhën prej një viti si maksimum për funksionimin me ushtrues detyre. Zyrtarë të Institutit të Kosovës për Drejtësi, kanë theksuar për medie pasojat e kësaj situate. “Çdo institucion publik, çdo agjenci e pavarur, nëse udhëheqësi i saj kryesor administrativ është mbi një vit ushtrues detyre, kjo nënkupton që i njëjti nuk ka të drejtë të nënshkruajë asnjë dokument, asnjë proces të rekrutimit, tender apo çështje të tjera dhe derisa të zgjidhet udhëheqësi i ri në bazë të konkursit të bazuar në meritokraci”, kanë thënë ata.
Në Institutin GAP, konkludojnë se funksionimi i KEK-ut me ushtrues detyre ndikon në performancë. “Funksionimi i Ndërmarrjeve Publike pa kryeshef ekzekutiv me mandat të plotë apo me një ushtrues detyre të kryeshefit ekzekutiv ndikon në performancën e ndërmarrjeve, veçmas të atyre të mëdha sikurse që është Korporata Energjetike e Kosovës, e cila qarkullon miliona euro gjatë një viti dhe në të cilën pritjet janë që një kryeshef ekzekutiv përveç punëve ditore, të zbatojë edhe një strategji afatmesme apo afatgjate me reforma dhe masa që synojnë të përmirësojnë pozicionimin e ndërmarrjes”, kanë thënë në GAP.
Dhe, s’do mend se këto ndërrime kaq të shpeshta të kreut të KEK-ut kanë reflektuar jo pak negativisht në menaxhimin më të mirë të Korporatës Energjetike. Sepse, ndërrimi i shpesht, në raste ende pa u akomoduar mirë në vendin udhëheqës të punës ka pasuar ndërrimi, është shprehur në qeverisjën dhe menaxhimin më kuptimplotë të KEK-ut. Duhet thënë se në disa raste, përzgjedhja e drejtorit menaxhues nuk është bërë nga persona të merituar, të shkathët profesionalisht dhe njohës të thellë të KEK-ut. Në disa raste, në krye të KEK-ut kanë ardhur njerëz pa bagazh të domosdoshëm profesionist, njerëz anonimusa, që nuk kanë qenë fare të njohur, ose nuk kanë qenë edhe aq të njohur, persona me fare pak përvojë pune, e kështu me radhë dhe të tillë që kanë pasur njohuri të pakta rreth zhvillimeve energjetike në vend dhe rreth kompleksitetit të KEK-ut. Prandaj është kështu si është në KEK. A do të bëhet ndonjë ndryshim i kërkuar, por edhe i nevojshëm në struktura udhëheqëse të KEK-ut mbetët të shihet. Konkursi për drejtorin e ri menaxhues është akoma i hapur dhe mbetët për të parë, a do të bëhet kësaj radhe përzgjedhja që e meriton KEK-u. /Buletini Ekonomik/